Proteinat dhe fibrat bimore çojnë në humbje peshe

Proteinat dhe fibrat bimore çojnë në humbje peshe

Edhe atë vetëm nëse i konsumoni më shumë, pa e lënë veten të uritur!

Askush nuk ka thënë ndonjëherë që humbja e peshës është e lehtë, dhe ekzistojnë shumë këshilla kontradiktore rreth mënyrës më efektive për të arritur peshën e dëshiruar. Megjithatë, hulumtimet në përgjithësi tregojnë se reduktimi i marrjes ditore të kalorive dhe rritja e sasisë së proteinave është një qasje e mirë.

Një studim i fundit jep udhëzime konkrete se si kjo strategji mund të jetë e suksesshme dhe përfshin edhe një lëndë tjetër ushqyese të rëndësishme në këtë kombinim.

Hulumtimi i publikuar në revistën Obesity Science and Practice, zbuloi se marrja e një sasie të caktuar kalorish, së bashku me sasinë e duhur të proteinave dhe fibrave bimore (një lloj karbohidrati që trupi nuk mund ta tretë, por që ndihmon në rregullimin e tretjes), është kombinimi më i mirë për dobësim. Ja se çfarë tregoi saktësisht studimi dhe pse ky kombinim është kaq efektiv.

Çfarë thotë studimi i fundit?

Studiuesit përfshinë 22 persona që morën pjesë në 19 sesione edukative për ushqyerjen gjatë një viti. Ata ndoqën ndryshimet në peshë, mënyrën e të ushqyerit dhe përbërjen trupore të pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit u inkurajuan të ndjekin të ashtuquajturin program të individualizuar për përmirësimin e të ushqyerit, i cili përdor mjete për vizualizimin e të dhënave dhe sesione edukative për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë më shumë rreth ushqyerjes dhe të humbin peshë.

Në thelb, programi i inkurajonte njerëzit të rrisin marrjen e proteinave dhe fibrave bimore, ndërsa rekomandohej që marrja totale ditore e kalorive të ishte 1.500 ose më pak. Menuja e pjesëmarrësve përfshinte rreth 80 gramë proteina dhe 20 gramë fibra në ditë.

Pas një viti, 41% e pjesëmarrësve kishin humbur pothuajse 13% të peshës së tyre trupore. Studiuesit arritën në përfundimin se ekziston një lidhje e fortë midis sasisë së fibrave dhe proteinave të konsumuara nga pjesëmarrësit dhe suksesit të tyre në humbjen e peshës.

A janë të rëndësishme rezultatet?

Edhe pse bëhet fjalë për një studim të vogël, ku u përfshinë vetëm 22 persona, rezultatet janë të rëndësishme.
Personat të cilët e ndoqën rreptësisht dietën humbën pothuajse 13% të peshës së tyre, ndërsa ata që nuk e ndoqën, humbën vetëm rreth 2%.
“Pjesëmarrësit të cilët arritën të ndryshojnë ushqyerjen sipas këshillave humbën peshë, ndërsa ata që nuk arritën, humbën shumë më pak”, thotë bashkautori i studimit, Dr. Manabu T. Nakamura, profesor në Universitetin e Illinois.

Xhesika Kording, nutricioniste e regjistruar dhe autore e librit The Little Book of Game-Changers, thotë se rezultatet nuk janë të habitshme. “E dimë se edhe proteinat dhe fibrat japin ndjesinë e ngopjes”, shpjegon ajo. “Kjo i ndihmon njerëzit të ndihen të kënaqur edhe kur janë në deficit kalorik, gjë që mundëson qëndrueshmëri”.
Edhe pse 20 gramë fibra janë më pak se sasia e rekomanduar prej 25+ gramëve në ditë, Kording thekson se “kjo është akoma më shumë sesa një person mesatar merr në ditë”.

A do të ndikojë kjo në humbjen time të peshës?

Duhet të ndikojë! Ideja për të reduktuar kaloritë dhe për të rritur proteinat dhe fibrat nuk është e re. Por, ky studim ofron udhëzime shumë konkrete se si të arrihet suksesi.
“Programi ynë nuk ndalonte ushqime ose grupe të caktuara ushqimesh”, thotë Nakamura, duke shtuar se pjesëmarrësit mund të hanin gjithçka, për sa kohë që ushqimi ishte i balancuar. Ai thekson se suksesi i programit qëndron në kombinimin e kufizimit të kalorive, marrjes së proteinave dhe fibrave, si dhe përshtatjes sipas preferencave të njerëzve.

Kording thekson se është e rëndësishme të vazhdoni të hani ushqimin që ju pëlqen ndërsa po humbni peshë. “Ndonjëherë shoh njerëz që mendojnë se duhet të hanë vetëm ushqime të shëndetshme, pavarësisht nëse i pëlqejnë apo jo”, thotë ajo. “Por, është më e lehtë të arrini qëllimet nëse me të vërtetë e shijoni ushqimin që e hani”.

Edhe pse bëhet fjalë për një studim të vogël, Kording thotë se rezultatet janë inkurajuese. “Studimi është përgatitur me kujdes, rezultatet janë reale, por suksesi do të ishte akoma më i madh nëse edhe numri i pjesëmarrësve do të ishte më i madh”, thotë ajo.