Pse gjithnjë e më shumë çifte divorcohen pas moshës 50 vjeçare?

Pse gjithnjë e më shumë çifte divorcohen pas moshës 50 vjeçare?

Martesa ndërtohet mbi dashurinë, përkushtimin dhe planet e përbashkëta të jetës. Por çfarë ndodh kur, pas dekadash të kaluara së bashku, partnerët kuptojnë se rrugët e tyre nuk shkojnë më në të njëjtin drejtim? Vitet e fundit, “divorcet gri” – ato që ndodhin pas moshës 50 vjeçare – po bëhen një dukuri gjithnjë e më e zakonshme.

Sipas hulumtimeve, numri i divorceve mes njerëzve mbi 50 vjeç është dyfishuar në tre dekadat e fundit. Ndërsa në vitin 1990 vetëm 8.7% e divorceve i përkisnin kësaj grupmoshe, në vitin 2019 kjo përqindje arriti në 36%. Ky trend i shqetëson ekspertët, por gjithashtu ngre shumë pyetje: Çfarë i shtyn partnerët të ndahen pas një kohe kaq të gjatë? Dhe si po e përballojnë ata këtë ndryshim?

Pse po rritet numri i divorceve të vonuara?

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, divorci u bë më i arritshëm dhe i pranueshëm nga shoqëria, veçanërisht me ndryshimet ligjore të cilat u mundësuan grave një pavarësi më të madhe financiare. Brezat e sotëm, veçanërisht “baby boomers” (ata që kanë lindur nga viti 1946 deri në vitin 1964), janë rritur në një shoqëri ku divorci nuk konsiderohet tabu dhe ku lumturia personale është prioritet.

Për më tepër, njerëzit jetojnë më gjatë – jetëgjatësia mesatare është rritur nga 70 vjet në vitin 1960, në 77.5 vjet në vitin 2022, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Kur dikush është 50 ose 60 vjeç dhe ka disa dekada jetë përpara, ideja për të qëndruar në një martesë që nuk i përmbush bëhet më pak e pranueshme. Në vend që të qëndrojnë të martuar nga zakoni ose frika, shumica zgjedhin një fillim të ri.

Arsyet kryesore të divorcit pas të 50-tave

1. Rrugët ndahen
Njerëzit ndryshojnë me kalimin e viteve. Ajo që i ka bashkuar ata në fillim të martesës mund të zhduket, kurse dallimet të bëhen të pakalueshme.

2. Fole e zbrazët
Kur fëmijët rriten dhe largohen nga shtëpia, bashkëshortët mbeten vetëm me njëri-tjetrin. Disa çifte e kuptojnë se nuk kanë më interesa të përbashkëta, ose se për një kohë të gjatë lidhja e tyre u mbajt vetëm për shkak të detyrimeve familjare.

3. Pavarësia financiare
Sot, gratë kanë më shumë mundësi financiare se në të kaluarën. Nëse qëndrimi në martesë dikur ka qenë një domosdoshmëri ekonomike, tani më nuk është kështu.

4. Përmirësimi i jetëgjatësisë
Një jetëgjatësi më e madhe do të thotë më shumë kohë për zhvillim personal dhe përvoja të reja. Shumica e njerëzve nuk duan t’i kalojnë dekadat e tyre të fundit në një martesë që nuk i përmbush.

5. Sfidat shëndetësore
Disa partnerë nuk duan të kalojnë vite duke u kujdesur për një bashkëshort të sëmurë, veçanërisht nëse marrëdhënia e tyre ka qenë tashmë e ndërlikuar.

Si të përballeni me divorcin në vitet e mëvonshme?

Divorci në vitet e mëvonshme sjell sfida që nuk ekzistojnë më herët në jetë. Një prej tyre është pasiguria financiare, veçanërisht për gratë. Gratë, në përgjithësi, kanë kursime më të vogla financiare. Edhe pse sot punojnë më shumë dhe kanë arsim të lartë, meshkujt akoma fitojnë më shumë. Dallimi gjinor i pagave është pjesë e arsyes, por ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që shkaktojnë stres financiar.

Ndërsa gratë fitojnë 76% të pagave të burrave, ato zotërojnë vetëm 36% të mjeteve të tyre. Kjo është për arsye se burrat kanë qasje më të madhe në mundësitë për të grumbulluar pasuri, ndërsa gratë më shpesh mbajnë barrën ekonomike si prindër të vetëm, edhe nëse kanë qenë më parë partnere në një marrëdhënie.
Prandaj, kujdesi për veten është thelbësor gjatë përballjes me divorcin. Ja disa mënyra për të ndihmuar veten në këtë proces:

Ndërtoni një rrjet për mbështetje

Rrethoni veten me miqtë dhe familjen, pasi izolimi social rrit rrezikun e ankthit, depresionit, shpërdorimit të substancave, e madje edhe humbjes së kujtesës. Njerëzit me lidhje të forta sociale jetojnë më gjatë se ata që kalojnë shumë kohë vetëm. Caktoni takime javore me të afërmit ose filloni një hobi, regjistrohuni në një palestër ose udhëtoni.

Vizitoni një terapist

Terapia mund t’ju ndihmojë të kuptoni arsyet e përfundimit të martesës suaj dhe të forcojë vetëbesimin tuaj për marrëdhëniet e ardhshme. Terapia gjithashtu mund të ndihmojë në zhvillimin e strategjive për menazhimin e stresit dhe ankthit.

Bëni një plan financiar

Një nga sfidat më të mëdha të divorcit është paqëndrueshmëria financiare. Nëse mundeni, konsultohuni me një këshilltar financiar. Nëse ky nuk është një opsion, hulumtoni në internet burime falas për edukimin financiar.

Planifikoni mbrojtjen shëndetësore

Nëse më pare keni qenë të siguruar përmes bashkëshortit tuaj, shikoni mundësitë tuaja për sigurim të ri shëndetësor. Merrni parasysh kontrollet parandaluese shëndetësore dhe një mënyrë jetese që do të përmirësojë mirëqenien tuaj.

Mendoni për të ardhmen

Divorci mund të jetë i frikshëm, por nuk duhet të nënkuptojë fundin – përkundrazi, mund të jetë një fillim i ri. Kjo mund të jetë një periudhë zhvillimi personal dhe çlirimi, pasi më në fund mund të përqendroheni vetëm te vetja.

Pyesni veten: Kush jam unë tani? Çfarë dua në këtë fazë të re të jetës? Nëse dëshironi të mësoni një aftësi të re, regjistrohuni në një kurs. Nëse dëshironi të udhëtoni, filloni të kurseni për destinacionin tuaj të ardhshëm. Jeta pas divorcit nuk duhet të jetë e vështirë – përkundrazi, mund të jetë plot me mundësi të reja.
Divorci është i vështirë në çdo moshë, por sjell edhe anë pozitive. Të zgjedhësh veten është një vendim i guximshëm dhe i rëndësishëm, sepse të gjithë e meritojnë lumturinë.