Me siguri keni dëgjuar se pirja e qumështit ndihmon kundër aciditetit në stomak. Ose, ndoshta të moshuarit ju bindin të hani një copë bukë për t’u çliruar shpejt nga ndjesia e bezdisshme e djegies.
Por, kur fillon ajo djegie e pakëndshme në gjoks, a ndihmojnë me të vërtetë ilaçet shtëpiake?
Sipas gastroenterologut Dr. Patrik Hajat nga Baltimor, këto janë vetëm “besëtytnitë e gjysheve” që madje mund të përkeqësojnë gjendjen.
Aciditeti në stomak shfaqet kur aciditeti i stomakut, lëngu që prodhohet gjatë tretjes së ushqimit për të shkatërruar bakteret, kthehet prapa në ezofag, shpjegon Dr. Hajat.
Shpesh shfaqet pas konsumimit të ushqimeve të tharta, si vera, kafeja ose ushqimet pikante. Acidet nga këto ushqime bashkohen me aciditetin e stomakut, duke krijuar një përzierje më të fortë që djeg kur ngjitet në ezofag.
Sasitë e tepërta të ushqimit gjithashtu mund të shkaktojnë aciditet, shton ai. Kur stomaku është i tejmbushur, përmbajtja e stomakut bën presion mbi hapjen e poshtme të ezofagut (sfinkteri ezofageal), që mund të shkaktojë rrjedhjen e aciditetit përpjetë.
Në këto raste, konsumimi i sasive shtesë të ushqimit si buka ose qumështi, vetëm do të rrisë volumin në stomak dhe do të nxisë trupin të prodhojë akoma më shumë acid stomaku.
Atëherë, çfarë ndihmon me të vërtetë?
Farmacitë janë plot me opsione, por Dr. Hajat thotë se lehtësimin më të shpejtë e japin barnat që bllokojnë histaminën dhe që mund të blihen pa recetë.
Këto barna funksionojnë duke bllokuar histaminën, një substancë kimike që stimulon prodhimin e aciditetit në stomak. Ato mund të sigurojnë lehtësim për 15 deri në 30 minuta.
Nëse ushqeheni mirë dhe shmangni disa zakone të caktuara, fare nuk do të përballeni me këtë problem.
Si fillim, përpiquni të identifikoni shkaktarët e zakonshëm. Kushtoni vëmendje të veçantë se si ndiheni pas ngrënies së ushqimeve pikante, të yndyrshme apo ushqimeve që përmbajnë hudhër ose domate. Pijet si qumështi, kafeja, nenexhiku, çokollata dhe pijet e gazuara gjithashtu mund të shkaktojnë refluks.
Nëse megjithatë vendosni të shijoni ushqime që mund të shkaktojnë probleme, menjëherë pas vaktit përtypni një çamçakëz pa aromë menteje për të mos i përkeqësuar simptomat. Çamçakëzi stimulon prodhimin e pështymës, e cila neutralizon acidin dhe lehtëson shqetësimin në ezofag.
Të ngrënit vonë në mbrëmje gjithashtu mund të shkaktojë aciditet, thotë gastroenterologu Dr. Dejvid Popers, profesor në NYU Langone Medical Center. Ai rekomandon të prisni të paktën dy orë pas ngrënies, para se të shkoni për të fjetur. Kurse gjatë fjetjes, shtrihuni në një pozicion të ngritur, që parandalon aciditetin të ngjitet në ezofag.
Nëse keni aciditet më shumë se dy herë në javë, patjetër konsultohuni me mjekun, thotë Dr. Hajat. Shfaqja e shpeshtë e aciditetit mund të jetë simptomë e sëmundjeve gastrointestinale dhe nëse këto sëmundje nuk trajtohen me kohë, mund të shfaqen probleme të tjera shëndetësore, si inflamacion i ezofagut, sëmundja Barrett e ezofagut, madje edhe kancer i ezofagut.