Respekt, Nder, Karate: Kodi i një kampioni
Puleksenia Jovanoska është karateistja jonë më e suksesshme dhe femra e parë maqedonase që ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Ajo arriti të radhitet ndër dhjetë më të mirat e botës në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Sot vallëzon ende mbi shtroja (tatamë), por në rolin e trajneres dhe këshilltares së jetës për më të rinjtë.
A jeni pensionuar nga karateja?
Nuk jam pensionuar dhe besoj se nuk do të pensionohem kurrë. I dhashë fund karrierës sime konkurruese. I arrita të gjitha objektivat e vendosura dhe jam mirënjohëse dhe e kënaqur me atë që kam arritur. Fillova me medalje të arta kombëtare, vazhdova si kampione ballkanike, si medaliste evropiane, arrita rezultate të larta botërore, ëndërroja Olimpiadën, ndodhi dhe ajo. Shkrova një histori me shkronja të arta dhe doja të largohesha me një kurorë në kokë. Pavarësisht se çfarë do të vendos si një qëllim të ri apo sukses, nuk do të mjaftojë. Prandaj, vazhdoj me një histori të re lidhur me sportin.
A mund të na zbuloni projektet tuaja aktuale?
Puna në klubin tim është sfida ime e re, fushë në të cilën investoj më shumë energji bashkë me të gjitha projektet e tjera që lidhen me sportin. Projektet që dalin nga anëtarësimi në Komitetin Olimpik synojnë forcimin e rinisë, politikat sportive, udhëheqjen në sport dhe jashtë tij. Po e përmend edhe projektin e solidaritetit olimpik ku unë jam koordinatore dhe ku temë e seminareve është zhvillimi i aftësive drejtuese përmes sportit, si dhe fuqizimi i vajzave përmes sportit. Më vjen mirë që jam përfshirë drejtpërdrejt në krijimin e kaheve të reja nëpër të cilat sportistet e reja do të gjenden më lehtë, kurse ne do t’i mbajmë më lehtë në Maqedoni.
Karateja jep forcë fizike dhe mendore, si?
Çdo sport ofron drejtim për zhvillimin e të rinjve në personalitete të shëndetshme. Sporti na mëson humbjen, fitoren, respektin, virtytin të përgëzojmë dhe të na përgëzojnë. Çdo sport e rrit dhe forcon psikikën dhe shëndetin mendor. Karateja si sport ndikon më së shumti në disiplinën dhe hierarkinë që vendos, përforcon procesin e durimit sepse nuk mund të bëhesh më i miri brenda natës. Pikërisht për shkak të atyre brezave që janë vendosur si shkallë që në momentin e regjistrimit – fillojmë me brezin e bardhë, pastaj kalojmë në atë të verdhë, e më pas në të kuq si dëshmi e materialit që kemi zotëruar – karateja arrin të imponojë vizionin e përgjithshëm për jetën. Këshilla që marrim nga kjo është se gjithçka që duam të arrijmë, duhet ta arrijmë me shumë disiplinë, durim, përsëritje të njohurive, përgjegjësi, punë të palodhshme dhe këmbëngulje. Pikërisht për këtë arsye, karateja konsiderohet një sport që siguron vetëdisiplinë më të madhe te fëmijët.
A ndikon mënyra e të ushqyerit në përparimin e karateistëve?
Me cilindo sport që merremi, nevojitet disiplinë ndaj të ushqyerit dhe suplementeve sportive. Karateja nuk kërkon ndonjë mënyrë të veçantë të të ushqyerit, por sporti në vetvete imponon një qasje të shëndetshme ndaj ushqimit, sepse nga ajo varet gatishmëria fizike për sfidat që sjell.
Cilat momente kyçe apo individë ndikuan në rrugëtimin tuaj të karatesë?
Si momente kyçe do të përmendja vetë fillimet. Trajnerët e mi nuk besonin tek unë dhe nuk mendonin se kisha talent për karate, për ta isha thjesht një fëmijë që do të mësojë dhe të përparojë. U rrita me zhgënjim dhe ky ishte një motiv që të përpiqem dhe të dëshmoj se askush nuk është më i mirë se unë. Si individë do të përmend prindërit e mi dhe mbështetjen e tyre pa rezervë, por në të njëjtën kohë edhe bartës të flamurit të kuq që kishte për qëllim të më bënte të rishikoja nëse ishte mirë ajo që po bëja dhe nëse ia vlente të investoja më tej. Më pas, rol themelor luajtën sukseset e vazhdueshme, motivimi kur u bëra kampione kombëtare, ndjenja kur fitova një medalje ballkanike dhe dëgjova të këndohej himni maqedonas në emrin tim derisa isha duke qëndruar në piedestal, marrja e medaljes evropiane si histori në karate, medalja e vetme në konkurrencën individuale, bashkë me të gjitha ata momente ku njerëzit dhe trajnerët vërtetuan suksesin tim, më mbajtën në karate edhe kur ky rrugëtim ishte shumë i vështirë.
A përpiqeni t’i frymëzoni të tjerët?
Po, përpiqem të jem frymëzuese dhe të mos ndalem. Më udhëheq një moto, të mos ndaloj së mësuari, sepse ashtu siç përparon teknologjia, përparon edhe sporti. Dua t’i inkurajoj të rinjtë të punojnë për veten e tyre, sepse edhe unë frymëzohem nga ata, nga vullneti i tyre për të mësuar, që t’i dëgjojnë dhe zbatojnë këshillat dhe udhëzimet e mia. Kurrë nuk e kam sjellur historinë time në një gjendje për qenë e trishtuar, përpiqem të jem gjithmonë frymëzuese përmes shembujve pozitivë edhe kur vijnë nga ngjarje të pakëndshme dhe disfata.
Çfarë ju frymëzoi për të hapur një shkollë private karateje për fëmijë?
Gjithmonë e kam ditur se të gjitha njohuritë e mia, përvojën me seminare jashtë Maqedonisë, kampionatet zyrtare evropiane dhe botërore, gjithë pasurinë time të fituar përmes sportit, përfshirë edhe miqtë, kontaktet, aftësitë komunikuese, ndjenjën e ndjeshmërisë dhe ndarjes së gëzimit në fitore dhe trishtimit në humbje, do t’i ndaj me gjeneratat e reja. Detyra ime kryesore është që t’ua përcjell mënyrën time të jetesës, prandaj krijova një kënd ku ata do të kenë një udhëheqëse me integritet, një trajnere që do t’u mësojë vlera të shëndetshme, virtyte, taktika për vetëorganizim të përsosur, ndjeshmëri të shëndetshme, mundësinë që zhgënjimet e tyre t’i përdorin si motiv për të studiuar dhe për të mësuar se gjërat nuk fitohen pa meritë. E di që nuk do të jenë të gjithë kampionë, por jam e lumtur nëse arrij të ndikoj në të paktën 20% të gjendjes mendore dhe kapacitetit të tyre për të kapërcyer sfidat e jetës.
Çfarë vlerash dëshironi të mbillni te nxënësit tuaj?
Të dinë të respektojnë njëri-tjetrin, të respektojnë më të dobëtin, të mbështesin më të dobëtin, të dinë të përgëzojnë suksesin nga zemra, të dinë të pranojnë një urim. Të kenë ndjeshmëri, të jenë solidarë, të mësojnë për hierarkinë dhe respektin ndaj të moshuarve. T’i kushtojnë vëmendje ndërtimit të imazhit të tyre në shoqëri. Çdo fjalë dhe veprim i tyre të ketë peshë me qëllim për të krijuar një bazë të fortë besimi me njerëzit e tjerë.
Si ndikon karateja te fëmijët që ndjekin shkollën tuaj?
Gjatë komunikimit me prindërit, mësoj se ata janë më të qetë, mësojnë të ndajnë, të mos jenë egoistë dhe të pabindur. Kjo më bën të lumtur dhe këtu e vërej përparimin tim në edukimin e tyre. Përpiqem shumë që të zgjoj tek ata të njëjtën ndjenjë që ata zgjojnë te të tjerët me sjelljen e tyre, në mënyrë që të kuptojnë më lehtë se kur gabojnë.
Si e mbani vëmendjen e tyre?
Nuk kam metoda konkrete, por përmes aktiviteteve dhe lojërave në ekip e zhvilloj shpirtin e tyre ekipor. Metoda ime e edukimit është e përqendruar në mësimin se sa i rëndësishëm është sporti për rritjen dhe zhvillimin e tyre, për socializimin dhe shoqërimin e tyre. Nëpërmjet lojës, i mësoj ata të respektojnë njëri-tjetrin, të mbështesin njëri-tjetrin, të respektojnë dhe mbrojnë ekipin. Përmes lojërave përpiqem që fëmijët më të qetë dhe të turpshëm të dalin në plan të parë, ndërsa dominantët, që janë lider nga natyra, i inkurajoj të mbështesin më të dobëtit. Nuk i praktikoj hapat dhe presionet kampione që në moshë të vogël, sepse një metodë e tillë zakonisht ka kundër efekt dhe fëmijët dorëzohen që në pengesën e parë.
Sa e rëndësishme është përfshirja e prindërve?
Për mua është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjet gjatë trajnimit, të kem besimin dhe mbështetjen e tyre. Jam shumë e lumtur që kemi një komunikim të mrekullueshëm në linjën prind-fëmijë-trajner, një trekëndësh që e theksoj shpesh se është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Nëse një prind më beson mua, kështu e edukon edhe fëmijën e tij që të besojë në gjithçka që them gjatë trajnimit. Është e rëndësishme që me prindërit kemi të njëjtin synim: fëmijë të shëndetshëm, të gatshëm për sfida në jetë. Askush prej nesh nuk niset me synimin për të bërë një kampion nga fëmija e vet. Fëmijët duhet të vijnë në trajnim të buzëqeshur, të largohen akoma më të buzëqeshur dhe të mos ngarkohen kurrë me detyrimin se duhet të bëhen kampionë. Në bazë të këtij komunikimi unë ndërtoj klubin tim dhe bashkëpunimin me prindërit, i cili tanimë prej 2 vitesh funksionon për mrekulli.
A ka dallime në mënyrën se si djemtë dhe vajzat i qasen karatesë?
Nuk vërej dallime sepse trajnimet e mia janë të konceptuara në mënyrë që të mos bëjnë dallime në raport me gjatësinë, peshën, nivelin e njohurive dhe më së paku në lidhje me gjininë djem dhe vajza. Ia premtova vetes se nuk do të bëja kurrë dallime mes fëmijëve, sepse në karrierën time shumë herë jam degraduar, nënvlerësuar, më pas e mbishpërblyer dhe e dalluar. Në shkollën time të karatesë nuk do të lejoj të ketë asnjë dallim. Në të njëjtën kohë, unë ofroj mbështetje individuale nëse vërej se ndonjë fëmijë po mëson më pak, ka nevojë për më shumë shpjegime, më shumë autoritet ose më shumë dashuri.
Çfarë ju frymëzoi të merreni me karate?
Fillova të ushtroj karate në moshën 6-vjeçare. Në shkollën time kishte karate dhe një ditë hyra në sallë nga kurioziteti, doja të dija çfarë është ai sport. Ajo që më bindi është metoda graduale që ofron karateja, mënyra e të mësuarit të suksesit hap pas hapi, përmes marrjes së brezave nga i verdhë e deri në atë të zi.
Cilat interesa personale ju sjellin gëzim?
Dua të kaloj kohë me njerëzit e mi të afërt, të di që janë mirë. Jam e lumtur kur kaloj kohë me prindërit të cilët më njohin më së miri. Jam e lumtur kur kaloj kohë me veten time. Paqen, qetësinë e brendshme, mirënjohjen dhe kënaqësinë nga ajo që po jetoj, dua ta përmbledh mes 4 mureve të mia. Pak njerëz e dinë që unë vizatoj, kam pasion ndaj pikturave dhe fotografive që i bëj në shtëpi për vete, kjo gjë më relakson.
Si e ruani ekuilibrin me punës dhe jetës private?
Sa herë që kam shumë punë dhe obligime, filloj me detyrën më të vështirë, vendos prioritete, mbaj një ditar pune. Gjithmonë kam vendosur objektiva për javën, kurse të dielave pushoj. Nuk ka asnjë obligim që mund të më bëjë të anashkaloj kohën për veten time. Të gjithë të afërmit e mi e dinë se nëse unë nuk jam e mirë për veten time, nuk mund të jem e mirë as për ta.
Si e ka formësuar perceptimin tuaj ndaj bukurisë përvoja me vitiligon?
Vitiligo më dha mësimin më të rëndësishëm të jetës, se njerëzit duhet të na duan në bazë të asaj që e zgjojmë tek ata, se çfarë mbajmë brenda nesh, fjalëve që dalin nga goja jonë. Personat që përballen me ndryshime estetike nuk duhet të shqetësohen, përkundrazi, duhet të jenë mirënjohës që ajo është gjëja më e keqe me të cilën duhet të përballen, në një kohë që ka kaq shumë sëmundje. Thjesht, ajo na është dhënë që ta shikojmë brendësinë e njerëzve, e jo të gjykojmë nga pamja e jashtme.
A jeni duke marrë pjesë në ndërgjegjësimin për vitiligon?
Përpiqem të ndikoj në parandalimin e modernizimit të kësaj sëmundjeje. Është tjetër gjë të jemi të vetëdijshëm për të, ta pranojmë, të mbështesim njëri-tjetrin, por nuk duhet të ngacmojmë dikë që thjesht refuzon ta pranojë. Është në rregull nëse nuk dëshironi ta pranoni! Edhe mua më duhej pak kohë për ta pranuar. Njerëzve duhet t’u lihet hapësira që ta pranojnë pa fushata dhe presione, të vendosin vetë nëse u pëlqen apo jo. Nuk ndihem kompetente, madje nuk është në rregull t’i thuash dikujt: Pranoje, të rri mirë. Nuk është e lehtë të kesh një dallim të cilin njerëzit e vënë re menjëherë.
Si mund të promovojë diversitetin industria sportive?
Sporti ka qenë dhe do të mbetet një fushë ku dallohen më të mirët. Jo të gjithë mund të jenë sportistë të suksesshëm, jo të gjithë mund të përballojnë presionin që sjell sporti. Sporti nuk duhet keqpërdorur për qëllime politike, duhet të mësohet vetëm mësimi më i rëndësishëm që jep sporti: shëndet, shoqëri, shpirt të shëndetshëm, vlera të shëndosha morale.
Cilat janë aspiratat tuaja për të ardhmen?
Nuk kam synime të vogla, janë të mëdha, por nuk janë afatgjate. Planet e mia të ardhshme janë të përqendruara te klubi – rritja dhe zhvillimi i një klubi të qëndrueshëm të karatesë nga i cili do të dalin medalistë ballkanikë në 2 vitet e ardhshme dhe një festë për 5 vjetorin e ekzistencës së suksesshme. Gjithçka tjetër ka të bëjë me jetën time private, dëshiroj ta ndërtoj veten si nënë dhe prind.