Zonja që e ktheu gatimin në modë
Nëse mungesa e kohës është justifikimi juaj për t’iu shmangur kuzhinës, Sanja Saveska është këtu për t’ju bindur se në më pak se gjysëm ore, mund të gatuani gjithçka që mund të imagjinoni. Natyrale dhe e ngrohtë, drejtuesja e emisionit të gatimit “Brza Kujna” (,,Kuzhina e shpejtë”) së bashku me shefat e kuzhinës Nikola Mishkovski dhe Boban Simonovski, çdo ditë na rikujton magjinë e gatimit, fuqinë e shijeve për të bashkuar njerëzit dhe për të mbledhur familjen në një tavolinë të përbashkët.
Pas një dite të vështirë dhe stresuese, dreka e përbashkët nën shoqërinë e Sanjës është kthyer në ritual për shumë familje në Maqedoni. Emisioni thyen rekorde shikueshmërie, amvisat janë mirënjohëse që gjithmonë kanë një përgjigje për pyetjen: “Çfarë të gatuaj nesër për drekë?”, shumë prej tyre janë të motivuara të qëndrojnë pranë shporetit dhe sigurisht që ka edhe nga ata të cilët janë të privilegjuar vetëm të shijojnë.
Si ju orientoi jeta para ekraneve të televizorit, a keni dashur gjithmonë të keni një profesion publik?
Loja fëmijërore shpesh mund të shfaqë prirjet e fëmijëve. Nëpërmjet lojës mund të zbulohet edhe orientimi profesional në të ardhmen. Të paktën kështu ndodhi me mua. Që në moshë shumë të vogël, loja ime ishte e lidhur me argëtimin e njerëzve të afërt, leximin e programit televiziv (diçka që në të kaluarën e prisnim me padurim në ekrane).
Më pëlqente të prezantoj, të imitoj dhe të luaj para një publiku. E gjithë kjo depërtonte përgjatë shkollimit tim. Gjithmonë isha pjesë e seksioneve në të cilat përgatiteshin shfaqjet, që nga përgatitja e gazetës së shkollës, drejtoja programet që organizoheshin… Që më pas gjatë shkollës së mesme të filloja me emisionet e mia në radio.
Hapat e parë në televizion kishin të bëjnë me dublimin e filmave vizatimorë në televizionin e atëhershëm A1, ku për një periudhë kohore drejtova edhe një kuiz interaktiv.
Që do të thotë se kjo punë është mbjellur tashmë në zemrën time.
Çfarë ju motivon që të shkoni gjithmonë me buzëqeshje në punë?
Telespektatorët. Publiku që na mbështet çdo ditë. Të punosh në media do të thotë të japësh një pjesë të vetes tënde për ata që janë në anën tjetër të ekranit. Ne jemi në televizion për shkak të shikuesve, ata mund të zgjedhin kë të ndjekin. Që dikush t’ju ndjekë, duhet t’i dhuroni atij buzëqeshje dhe humor të mirë. Publiku është i sinqertë dhe menjëherë e dallon energjinë. Dhe pikërisht ajo energji, të cilën e ndjej nga spektatorët, por edhe nga kolegët e mi, më dhuron buzëqeshjen me të cilën shkoj në punë.
Atmosferën dinamike dhe stresuese në “Makedonija denes” (,,Maqedonia sot”) e zëvendësuat me “Brza kujna” (,,Kuzhina e shpejtë”) – edhe pse të dyja profesionet zhvillohen para publikut, ato dallohen mjaft. A ju përmbush më shumë prezantimi sesa gazetaria?
Të jem e sinqertë, nuk mund të bëj dallim. Ka po aq bukuri edhe në gazetari, sado të jetë stresuese, e pasigurt, shpesh edhe rraskapitëse. Ka bukuri edhe në transmetimin e informacioneve, në bisedat nga të gjitha sferat e shoqërisë, në zbulimin e risive. Por, ndryshimet janë gjithmonë të mirëseardhura. Fshehurazi, gjithmonë kam dashur një punë të këtillë – një emision me një audiencë të madhe. Punë me një ekip të madh profesionistësh. Dhe kështu, dita kur mora ftesën nga “Brza kujna” (,,Kuzhina e shpejtë”) është një nga ditët më të lumtura në karrierën time. Një çast kur njëra nga ëndërrat e mia u realizua. Nga ky këndvështrim, mund të them se prezantimi më përmbush dhe ndjej vërtet kënaqësi në punë.
Jeni vazhdimisht në kontakt me njerëz, dhe njerëzit shpesh janë mësim në lëvizje. Pra, a ju ka mësuar diçka profesioni, a është një nxitje në jetën tuaj dhe mos ndoshta ka marrë diçka nga ju?
Çdo njeri është një histori më vete. Çdo njohje e re na sjell një përvojë të re. Kam takuar dhe po takoj vazhdimisht njerëz të mrekullueshëm. Mësova se njerëzit më të suksesshëm janë edhe më modestët. Buzëqeshja nuk tregon nëse dikush e ka jetën e lehtë, përkundrazi, kam takuar njerëz të cilët nuk janë përkëdhelur nga fati, por kanë qëndruar të fortë. Dhe pikërisht ato histori janë motivi im në jetë. Jo çdo gjë duhet të jetë ashtu siç e kemi imagjinuar, ndonjëherë Zoti ka plane të tjera për ne, prandaj duhet të qëndrojmë të fortë.
A përballeni më shumë me komente pozitive apo negative? Si i trajtoni këto të fundit, sidomos kur janë të pabazuara?
Profesioni publik nënkupton edhe të jesh në qendër të vëmendjes, e ne jemi një vend ku njerëzit duket se shpesh janë të lumtur kur shkruajnë diçka të keqe për dikë që nuk e njohin. Por, kjo gjë ndodh vetëm pas tastierës. Askush nuk vjen të ta thotë në fytyrë që ti je kështu, ashtu, pa vlerë. Duket se kjo dukuri është në rritje në rrjetet sociale. Më shqetëson, flas shpesh për këtë, që komentet më të shëmtuara vijnë nga popullata e moshuar dhe janë pikërisht ata të cilët duhet të edukojnë rininë për ndjeshmëri, respekt dhe mirësjellje.
Fatmirësisht deri më tani nuk kam pasur komente negative, vetëm disa kohë pas kohe, por kjo nuk është e dhimbshme. Megjithatë e shoh se për çfarë janë të gatshëm lexuesit dhe kjo nuk më pëlqen fare, uroj që të mbjellin më shumë dashuri.
Unë e respektoj publikun tim, e deri më tani edhe ata më kanë respektuar dhe besoj se kështu do të jetë gjithmonë.
Përveç prezantimit, a keni ndoshta një profesion të dytë, dashuri apo hobi që praktikoni?
I jam përkushtuar tërësisht profesionit tim dhe investoj maksimalisht në atë që punoj. Kam kryer studimet politike, por ky nuk u bë kurrë profesioni im.
Kur moti është i ngrohtë, më pëlqen shumë që të ec, e kur është ftohtë, më pëlqen të lexoj libra dhe të jem e rrethuar nga njerëzit e të mi të dashur. Asgjë nuk mund të më kënaqë dhe të më bëjë më të lumtur sesa koha e kaluar me njerëzit e dashur.
Si keni qenë me gatimin para emisionit “Brza Kujna” (,,Kuzhina e shpejtë”) dhe si jeni sot? A gjenden mësimet e gatimit që i realizoni në studio, edhe në menunë e shtëpisë?
Kam ditur të gatuaj dhe të shijoj gatimin që në shkollë të mesme. Prindërit e mi më mësuan mua dhe vëllain tim të punojmë gjithçka dhe jam pafundësisht mirënjohëse që na edukuan në atë mënyrë. Tani kam akoma më shumë mundësi për të marrë njohuri të reja dhe çdo ditë mësoj nga shefat më të mirë, Nikola Miskovski dhe Boban Simonovski.
Cila është receta juaj e preferuar që e keni mësuar në emisionin e gatimit dhe çfarë ju pëlqen të hani në përgjithësi?
Krahë pule me mjaltë dhe susam! Definitivisht diçka që më është dashur të provoj që në fillim dhe është bërë mënyra ime e preferuar për të përgatitur krahët. Përndryshe, jam gustatore, dua të provoj gjithçka, por nga pak, më shumë për kuriozitet. Zakonisht ha oriz me pulë dhe perime, po ashtu më pëlqejnë makaronat, të preferuarat e mia janë me salcë domatesh dhe borzilok. Dhe sigurisht, më pëlqejnë ëmbëlsirat dhe tortat.
A keni ndoshta një regjim të veçantë të ushqimit duke pasur parasysh dukjen tuaj fizike?
Nuk kam ndonjë regjim të veçantë, siç e përmenda në përgjigjen e mëparshme, ha çdo gjë nga pak, nuk ha shumë në sasi. Dhe kur dua të humbas ndonjë kilogram, eliminoj plotësisht miellin dhe sheqerin nga dieta ime, por kam receta të shkëlqyera zëvendësuese për vakte të shëndetshme, si dhe për ëmbëlsira dhe torta me sheqerna natyralë, kështu që nuk e kam të vështirë ta përballoj.
Ajo që të magjeps te ju është kthjelltësia, freskia dhe buzëqeshja e fytyrës tuaj, e megjithatë është e gjitha e kompletuar në një formë krejtësisht natyrale, gjë që është vërtet e rrallë në këtë epokë të mbushjeve dhe botoksit. Kështu që, më duhet të pyes se si kujdeseni për veten? Keni ndonjë ritual të veçantë bukurie që dëshironi ta ndani me ne?
Faleminderit për komentin dhe përshtypjet pozitive. Buzëqeshja është diçka që vjen natyrshëm kur punon me dashuri dhe je e plotësuar nga brenda. Dhe është shumë e rëndësishme të përkujdesemi për të edhe më shumë, sepse një fytyrë e ndritshme dhe e qeshur është gjithmonë e bukur, derisa lodhja mund ta bëjë edhe gruan më të bukur të duket më pak tërheqëse në atë moment.
Nuk kam ndonjë ritual të veçantë, përveçse nuk shkoj në shtrat pa e pastruar mirë fytyrën dhe nuk përdor grim kur nuk kam nevojë.
Cili është qëndrimi juaj për korrigjimet estetike dhe ju si person publik a ndjeni presion për pamjen tuaj dhe a do të korrigjonit diçka tek vetja?
Për sa kohë që është e moderuar, është e pranueshme. Ky është qëndrimi im. Nuk do të isha e sinqertë nëse do të thoja se nuk ekziston presioni dhe se jam indiferente ndaj ndryshimeve të dukshme që shfaqen me kalimin e moshës, por gjithsesi është një proces natyral, të cilin mund ta ndalojmë për një kohë të shkurtër me ndihmën e kozmetikës dhe trajtimeve. Për mendimin tim, problemi është vetëm kur humbet kontrolli mbi ndërhyrjet, ashtuqë humbet edhe pamja natyrale. Nuk do të ndryshoja asgjë tek vetja, përveçse do të kisha dëshiruar një elasticitet më të mirë të lëkurës.
Si ka qenë fëmijëria dhe rinia juaj? Si dikush që ka përjetuar një jetë pa pajisje inteligjente e rrjete sociale dhe një jetë me prezencën e madhe të të njëjtave, si gjeni një ekuilibër midis të dyjave?
Një fëmijëri që do ta dëshiroja për edhe për fëmijët e sotëm. Nuk kishim shumë, jetonim me modesti, por fëmijërinë e kalova me shumë dashuri dhe kohë të kaluar me prindërit. Jam e lumtur që jam rritur në një familje funksionale dhe të shëndetshme, kjo për mua është një thesar i vërtetë.
Loja fëmijërore pa brenga na mblidhte të gjithëve jashtë, të djersitur, të pisët, ktheheshim të lumtur në shtëpi. Krejtësisht ndryshe nga fëmijët e sotëm. Por, për fëmijët e sotëm është e çuditshme ta kuptojnë se si ne jemi rritur pa telefona inteligjentë.
Ndoshta të gjithë do të thonë se koha kur ata ishin fëmijë dhe të rinj ishte më e mira dhe askush nuk do të gabojë, sepse çdo brez rritet ndryshe, me tendenca dhe mundësi të reja, kështu që secili është më i lumtur në periudhën e tyre të rritjes dhe zhvillimit.
Si e gjej ekuilibrin? Kur jam me shoqërinë, përpiqem të përdor sa më pak rrjetet sociale dhe të shijoj momentin aktual. Gjithmonë më ka pëlqyer fotografia, kështu që ndoshta kjo është gjëja e vetme të cilën nuk mund ta kontrolloj dhe bëj fotografi përreth duke mbushur telefonin tim me to.
Çfarë ju mungon më së shumti nga e kaluara?
Mardhëniet ndërnjerëzore. Por ato të vërtetat, e jo ato të sotmet, virtuale. Me epokën e internetit ne kemi fituar shumë, por fatkeqësisht kemi humbur shumë më tepër.
Cilit grup i përkisni, atyre që shijojnë magjinë e festave dhe kujdesen për çdo detaj, apo Viti i Ri është një ditë tjetër e zakonshme si gjithë të tjerat?
I dua festat për shkak të gëzimit që sjellin dhe ngrohtësisë që mbush shtëpitë në atë periudhë të vitit. Pikërisht gjatë festave kemi atë lidhje dhe afërsi ndërmjet veti, që fatkeqësisht na mungon gjithnjë e më shumë në periudhën tjetër të vitit.
Dhe në fund, cili do të ishte urimi juaj i Vitit të Ri për lexuesit tanë?
Mos e harxhoni kot energjinë tuaj, drejtojeni atë tek gjërat që ju bëjnë vërtet të lumtur. Mos e krahasoni veten me të tjerët të cilët i shihni në Instagram dhe Facebook. Krijoni harmoni në jetën tuaj dhe kujdesuni më shumë për shëndetin tuaj sesa për telefonat!