Ylli i ri që po pushton botën e filmit maqedonas dhe ndërkombëtar
Me çdo rol, Sara Klimoska sjell freski, emocion dhe thellësi që vështirë mund të harrohet. E njohur për interpretimin e saj autentik në filmat e Millço Mançevskit “Vrba” dhe “Kajmak”, Sara u bë shpejt sinonim i valës së re të talenteve maqedonase që pushtuan ekranet filmike rajonale dhe botërore. Por, rruga e saj artistike nuk ndalon me kaq – përveç aktrimit, Sara provon të merret edhe me regji, duke eksploruar mënyra të reja të të shprehurit dhe tregimit. Pavarësisht se a është në film, në skenën e teatrit apo pas kamerës, ajo me guxim i zhvendos kufijtë e krijimtarisë së saj. Në këtë intervistë, Sara na zbulon frymëzimet e saj, sfidat me të cilat përballet si aktore dhe regjisore dhe çfarë e motivon për t’i qëndruar besnike vetes në një botë nga e cila kamerat janë të drejtuara gjithmonë.
Arti shpesh konsiderohet ilaç për ata që e konsumojnë, por a është dhe sa shërues është për ata që e krijojnë dhe e prezantojnë?
Arti shëron shpirtin, kjo është e sigurt. Na bën të lidhemi me historinë dhe estetikën dhe të identifikohemi, kjo na bën njerëz më të mirë, më të ndjeshëm dhe kritikë. Kjo vlen si për artistët, ashtu edhe për publikun.
Për mua, teatri dhe filmi janë padyshim kanalizimi i emocioneve dhe mendimeve. Kjo është psikoterapia ime dhe prandaj jam shumë e lumtur që kam profesionin më të bukur në botë. Sigurisht, ndjej një përgjegjësi të madhe ndaj publikut se çfarë përmbajtje dhe çfarë idesh shpërndahen përmes projekteve me të cilat punoj.
A jeni ndier ndonjëherë nën presion si grua në industri?
Si në çdo profesion tjetër, femrat janë një kategori e ndjeshme. Sidomos në profesionin tim, sepse jemi mjaft të ekspozuara. Më kanë bërë shpesh lloj-lloj komentesh lidhur me atë se si e përdor trupin tim, i cili në fakt është një instrument për punën time. Fatmirësisht nuk më kanë prekur komentet e tilla, sepse jam shumë e bindur se unë dhe vetëm unë vendos për veten dhe trupin tim.
Sigurisht, brenda vetë industrisë, burrat shpesh kanë pozitë të privilegjuar. Më vjen keq ta theksoj se regjisoret femra mund të numërohen me gishta, kurse drejtore fotografie femër nuk kemi asnjë. Kjo tregon shumë për gjendjen e barazisë në industri. Shpresoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.
Kritika vjen me shpejtësinë e dritës përmes mediave sociale, a shihni më shumë përparësi apo mangësi në këtë? Si i trajtoni kritikat negative apo dështimet?
Nuk besoj se kam dështime, sepse çdo projekt më mëson diçka, më bën më me përvojë dhe më të pjekur. I adhuroj kritikat, të cilat sigurisht janë të bazuara dhe nuk janë gjuhë e urrejtjes, sepse përmes tyre bëhem një aktore dhe artiste më e mirë në tërësi. Fatkeqësisht, mediat sociale janë të mbushura me bullizëm dhe gjuhë urrejtjeje, por jo gjithçka duhet marrë seriozisht dhe duhet të kemi një filtër për atë se çfarë duhet të na prekë dhe çfarë jo. Në fund të fundit, ne nuk mund të jemi të preferuarit e të gjithëve, dhe kjo është në rregull.
Ju keni lindur në Strugë, një qytet i qetë buzë liqenit, në një kohë të mrekullueshme kur luanim në rrugë dhe kur i ngjisnim posterat e yjeve të filmit në mure. Çfarë fëmijërie keni pasur?
Unë kam lindur në Strugë, por kam jetuar në Ohër deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç para se të shkoj në Shkup për studime. Edhe pse kanë kaluar 12 vjet që kur jam larguar nga Ohri, nuk pushova kurrë së munguari liqenin, ajrin e pastër, rrugët e pastra dhe arkitekturën. Kam kujtime të mrekullueshme nga fëmijëria, por edhe shumë të këqija që më kanë formuar në personin që jam sot. Fatkeqësisht, shumë rrallë kthehem në Ohër sepse koha nuk më lejon, por megjithatë shkoj kryesisht për të vizituar familjen.
Shpesh luani personazhe komplekse dhe në ekran kjo duket shumë e thjeshtë, që është një shenjë e detyrave të shtëpisë të kryera me sukses. Si përgatiteni për role të tilla? A ju zbulojnë diçka për veten që nuk e keni ditur?
Unë jam punëtore dhe i përkushtohem plotësisht asaj që bëj, qind për qind, pa rezerva. Më vjen mirë që më janë dhënë mundësi të shkëlqyera dhe e kam patur të rëndësishme të kontribuoja sa më shumë që të mundja në çdo projekt. Shpesh mbështetem në intuitën time dhe e lë atë të më udhëheqë së bashku me regjisorin dhe pjesën tjetër të ekipit. Por, sigurisht, këtu teknika dhe përvoja janë gjithashtu të rëndësishme. Çdo rol është një eksplorim, një zbulim për veten, një gjetje dhe mësim.
Shohim se si disa regjisorë krijojnë një dinamikë specifike me aktoret me të cilat bashkëpunojnë shpesh, si Kuentin Tarantino me Margo Robi, ndërsa Vudi Alen e quajti Skarlet Johanson muzën e tij. A ndieni se ekziston një lidhje e veçantë krijuese mes jush dhe Millço Mançevskit?
Është shumë e bukur ndjenja kur e di se je në të njëjtën linjë me regjisorin. Në aspektin që lehtësisht kuptoheni, keni vlera të ngjashme estetike dhe që të dy i doni sfidat. Kjo është marrëdhënia dhe bashkëpunimi që kam me Millçon. Ai është gjithashtu një punëtor shumë i përkushtuar dhe një krijues i jashtëzakonshëm, prandaj jam vërtet e lumtur që kam bashkëpunuar me të dhe shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ju keni përvojë me produksione ndërkombëtare, prandaj më intereson nëse kontekstet e ndryshme kulturore ndikojnë në aktrimin tuaj?
Mjeti ynë bazë është gjuha, dhe sigurisht se aktrimin në gjuhën time e ndiej gjithmonë si më të saktë. Por, siç e përmenda, i dua sfidat dhe ishte kënaqësi për mua të luaja në gjuhët që flas, si dhe në gjuhët që nuk i flas, por i kam mësuar për rolin. Çdo gjuhë ka melodinë e vet dhe unë zakonisht lidhem me melodinë që më jep dimensione të reja të krijimit të një roli dhe nga unë del një personazh tjetër. Madje, kur flas si në Ohër më duket sikur kam një temperament tjetër, për shkak të specifikës së dialektit.
Çfarë po punoni aktualisht? Si është të kesh statusin “punonjëse” në Teatrin e Dramës?
Më vjen mirë që u punësova në teatrin ku doja të punoja. E kam zvarritur gjatë procesin e punësimit, gjegjësisht nuk kam aplikuar në konkurset e mëparshme, sepse mendova se duhej të kaloja shumë kohë në skenën e pavarur kulturore dhe të sillja në teatër diçka që e kisha mbledhur si përvojë prej atje. Por, ka qenë gjithmonë dëshira ime të punësohem në atë teatër, sepse është më afër vlerave estetike dhe politikave të mia kulturore dhe merret me teatrin bashkëkohor dhe format e reja eksperimentale.
Aktualisht po përgatitem për hapjen e sezonit me shfaqjet të cilat tashmë janë në repertorin tim dhe paralelisht po punoj me gjuhën ruse për një serial të ri.
Debutimi juaj regjisorial “Vrzani” është përzgjedhur për programin prestigjioz “European Short Pitch”, i cili nxjerr në pah potencialin e suksesit global të projekteve filmike. Çfarë kuptimi ka kjo për ju si regjisore?
Hyrja në programin “European Short Pitch” me filmin “VRZANI” vetëm më konfirmoi se ky skenar filmi ka vërtet një potencial të madh dhe një ditë duhet të realizohet. Jemi ende në proces financimi të atij filmi dhe shpresoj që një ditë ta shohim në ekranin e madh.
Ndërkohë, në mënyrë shumë spontane shkrova një skenar tjetër për një film me metrazh të shkurtër të quajtur “NOVA ENERGIJA”, të cilin arritëm ta filmonim këtë verë me fondet tona dhe miq sponsorë që na ndihmuan ta mbështesim financiarisht filmin. Aktualisht jemi në postproduksion dhe pothuajse jemi gati, filmi është gati për të filluar aventurën e tij në festivalet botërore. Kishim një ekip të mrekullueshëm të udhëhequr nga producenti Jordanço Petkovski, i cili është maqedonas, por që tashmë njëzet vjet jeton dhe punon në Serbi. Filmi është në regjinë time, me bashkëregjisor Radovan Petroviq, ndërsa rolin kryesor e luan Tamara Ristoska. Fatmirësisht, në projekt na u bashkua edhe drejtorja e jashtëzakonshme e fotografisë nga Serbia, Bojana Andriq, e cila është nënkryetare e IMAGO – Shoqatës Botërore të kinematografëve. Pjesë e projektit gjithashtu ishin edhe Goran Ignjatovski – maska, Mihail Panev – skenografia, Roze Trajçevska – kostumi, Petar Koçishki – operator i kamerës, Millka Ançevska – asistente e parë dhe drejtore e kastingut, Nikolina Nedellkovska – skenariste dhe shumë autorë të tjerë të shkëlqyer pa të cilët ky film nuk do të realizohej.
A ka një kauzë apo temë që do të dëshironit ta nxirrnit në pah përmes punës suaj dhe a do ta bënit këtë nëpërmjet një roli apo përmes regjisë?
Regjia në fakt është një vepër autori që jep liri shumë më të madhe të shprehjes, por me këtë vjen edhe përgjegjësia më e madhe. Nëse një film nuk është më i miri, pothuajse gjithmonë regjisori është fajtor për gjithçka, edhe nëse një aktor është i keq, është faji i regjisorit. Regjisori jep tablonë e madhe në të cilën të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë japin kontributin e tyre krijues.
Megjithatë, sigurisht që edhe unë përmes punës sime si aktore besoj se përcjell mesazhe, sjell ndryshim dhe krijoj kulturën e të parit një film. Megjithatë, edhe pse regjisori është krijuesi i tablosë së përgjithshme, një film mund të bëhet edhe pa regjisor, por nuk mund të bëhet pa kamerë dhe aktor.
A ka ndonjë rol që e keni refuzuar dhe më vonë keni dashur që ta kishit pranuar?
Nuk dua të kthehem prapa dhe të shoh nëse kam marrë vendimin e gabuar në situata të caktuara. Në atë moment, ashtu u ndjeva dhe besoj se ishte gjëja e duhur. Unë gjithmonë shikoj përpara dhe shoh se çfarë mund të bëhet më mirë nga sot e tutje.
A ka ndonjë film që e shikoni vazhdimisht si burim frymëzimi?
Unë nuk jam nga ata njerëz që rishikoj filma disa herë, sepse gjithmonë del diçka e re dhe përpiqem të përditësohem me kinematografinë botërore. Por, sigurisht, ka disa filma që më kanë mbetur në kujtesë dhe më shërbejnë gjithmonë si referencë për atë se çfarë do të thotë një film i mirë, si “Leviatan”, “Katër muaj, tri javë, dy ditë”, filmat e Dejvid Linç, Polanski e shumë të tjerë.
Si do të dëshironit të mbaheni mend si aktore?
Te kjo pyetje u zgjata më së shumti, sepse kreativiteti i pyetjes më bëri të pyes veten dhe të shikoj përpara për 40 vitet e ardhshme. Sigurisht, para së gjithash, qofshim gjallë e shëndoshë siç thuhet në gjuhën popullore.
Do të doja të mbahesha mend si një aktore e sinqertë, e pakompromis, me një dëshirë të vazhdueshme për ndryshim dhe për të bërë teatër më të mirë, film më të mirë dhe një botë më të mirë në përgjithësi. Në mesin e kolegëve të mi do të doja të kujtohesha si mbështetëse, kolegjiale dhe dikush që vazhdimisht i inkurajon të gjithë të jenë sa më të mirë dhe të luajnë në shfaqjet dhe filmat më të mirë të mundshëm.
Çfarë ndryshimi do të dëshironit të shihnit në industrinë e filmit?
Si fillim, do të doja të shihja disa kineastë të lumtur që janë të kënaqur me projektet të cilat i punojnë. Do të doja që të mos kishte më ndërprerje në xhirime si ato që ndodhën në dy vitet e mëparshme. Do të doja të shihja më shumë të rinj që duan të merren me filmin në vendin tonë. Dhe si përfundim do të doja të shihja më shumë përfaqësim të romëve në industri dhe përfaqësim më të madh të femrave, veçanërisht në pozicione ku ato pothuajse nuk ekzistojnë.
A keni ndonjë hobi apo aktivitet që e praktikoni për t’u shkëputur nga dinamika e punës?
Kohët e fundit, kam krijuar një dashuri për malet, duke u ngjitur shpesh në Vodno, Skopska Crna Gora dhe Matkë. Shpesh luaj në kitarë, ulem të lexoj dhe sigurisht, terapia ime është kur takohem me miqtë dhe pi një pije. Disa muaj më parë u bëra edhe motoçikliste, mora patentën e motoçikletës dhe bleva “Kavasaki-n” tim të parë. Mezi pres që të vijë pranvera dhe të nisem në rrugë më të gjatë me motoçikletën për aventura të reja.
Cilat vlera janë më të rëndësishme për ju si një grua e re në ditët e sotme?
Liria është shumë e rëndësishme për mua, të jem në gjendje të vendos për veten dhe trupin tim. Së fundmi jam bërë pjesë dhe po përhap idenë e nismës europiane “My Voice, My Choice” (“Zëri im, Zgjedhja ime”), e cila mbështet legjislacionin që do ta bëjë të ligjshëm abortin në çdo shtet anëtar të Bashkimit Europian. Mendoj se gratë polake kanë nevojë për ne, si dhe shumë të tjera që kanë vështirësi të realizojnë të drejtën e tyre themelore njerëzore.