E kemi në dispozicion vetëm një herë në vit, por a e konsumojmë në sasi të mjaftueshme edhe atëherë? Me shumë gjasa jo! Ndoshta sepse ato kokrra të kuqe të shijshme duan shumë kohë për të dalë nga lëvozhga?!
Është interesante që shega është një produkt bazë në rajonet e thata të Iranit, Indisë, Turqisë dhe Egjiptit, ku konsiderohet një superfrut. Teknikisht, shega i përket familjes së manave dhe çdo frut përmban mbi 600 fara me një shije të ëmbël freskuese, por njëkohësisht të thartë.
Pas pamjes së bukur të këtyre kokrrave të lëngshme fshihet një fuqi e vërtetë ushqyese të cilën duhet ta shfrytëzoni.
Profili ushqyes
Ky frut dimëror është i pasur me polifenole – antioksidantë të fuqishëm që mbrojnë qelizat nga radikalet e lira, gjegjësisht nga inflamacioni, plakja dhe lloje të caktuara të kancerit.
Shega përmban më shumë antioksidantë sesa çaji jeshil!
Përveç kësaj, shega është gjithashtu një burim i shkëlqyer i kaliumit – një elektrolit i rëndësishëm për funksionimin e duhur të muskujve.
Ja si duket përbërja ushqyese e një gote me kokrra shege:
- Kalori: 144
- Yndyra: 2 g
- Yndyra të ngopura: 0.2 g
- Karbohidrate: 33 g
- Natrium: 5 mg
- Sheqerna: 24 g
- Fibra: 7 g
- Proteina: 3 g
Nëse sheqeri ju tërhoqi vëmendjen, po, shega përmban shumë më tepër se frutat e tjera. Por, prandaj është e pasur me fibra për rregullim më të mirë të sheqerit në gjak.
Përfitimet shëndetësore të shegës janë vërtet serioze!
1. Mbështet shëndetin e zemrës
Shega kontribuon vërtet në qarkullimin e shëndetshëm të gjakut. Hulumtimet tregojnë se konsumimi i përditshëm i lëngut të shegës mund të ulë presionin e gjakut, të ulë kolesterolin e keq (LDL) dhe të përmirësojë qarkullimin e gjakut. Polifenolet, taninet dhe antocianinat, të gjitha të pranishme në shegë, së bashku kontribuojnë për një shëndet më të mirë të zemrës.
2. Stimulon funksionin e trurit
Shega nuk do t’ju japë kujtesë fotografike, por mund të përmirësojë përqendrimin tuaj. Hulumtimet sugjerojnë se konsumimi i rregullt mund të përmirësojë funksionin njohës afatshkurtër, veçanërisht te personat e moshuar dhe ata të moshës së mesme. E gjithë kjo falë antioksidantëve që mbrojnë qelizat e trurit nga dëmtimi.
3. Ndihmon për dhimbjet e kyçeve
Vetitë anti-inflamatore të shegës mund të ndihmojnë për artritin ose kyçet e inflamuara. Edhe pse nevojiten më shumë studime, rezultatet deri më tani janë premtuese.
4. Është e mirë edhe për tretjen
Gjysmë gote me kokrra shege përmban rreth 4 gramë fibra – të mjaftueshme për t’ju ndihmuar të zbrazni zorrët rregullisht. Lëngu i shegës, nga ana tjetër, sipas studimeve mund të zvogëlojë inflamacionin në zorrë. Çaji nga lëkura e tharë e shegës është një ilaç i njohur për diarrenë.
Megjithatë, mos e teproni me sasinë!
Edhe pse shega duket si një ushqim perfekt, ajo nuk duhet të hahet në sasi të pakufizuara. Përmban sheqerna natyralë, kështu që njerëzit me diabet duhet ta matin me kujdes konsumimin e tyre. Gjithashtu, nëse jeni duke marrë ilaçe për kolesterolin ose tensionin e gjakut, duhet të konsultoheni me mjekun, pasi shega mund të ndikojë në absorbimin e disa ilaçeve, ngjashëm me grejpfrutin.
Shega dhe humbja e peshës?
Shega mund të jetë pjesë e planit për humbje peshe – gjysmë gote ka më pak se 100 kalori dhe shumë fibra që japin ndjesinë e ngopjes. Studimet tregojnë se njerëzit të cilët rregullisht hanë fruta (tre racione në ditë) humbasin më shumë peshë sesa ata që hanë më pak.
Lëngu i shegës është një zgjedhje po aq e shëndetshme
Nëse nuk ju pëlqejnë farat, lëngu i shegës është një alternativë e shkëlqyer. Ka përqendrim të lartë të vitaminave C, K dhe antioksidantë, por vetëm lëngu i shtrydhur i freskët. Megjithatë, i gjithë fruti ka përparësi për shkak të fibrave, të cilat stabilizojnë nivelet e sheqerit në gjak.
Ide për të shijuar shegën
Farat e shegës janë më shumë sesa thjesht dekorim – ato janë një perlë e vërtetë gastronomike.
- Shtoni ato në smoothie në vend të frutave të pyllit.
- Përzieni në sallata për ngjyrë dhe freski.
- Hidhni sipër kosit ose qullit të tërshërës.
- Ose zbukuroni me to koktejet dhe pijet freskuese për festat.
