Shërohuni me aromat e natyrës

Shërohuni me aromat e natyrës

Aroma e livandës e fton gjumin, limoni zgjon, kurse trëndafili qetëson. Pikërisht ashtu, aromat e natyrës e kanë ndihmuar njeriun për vite me radhë. Vetëm me një thithje të vajit esencial magjik, trupi dhe truri pushtohen nga një valë ndjesish pozitive. Për njeriun modern ndoshta është e vështirë të besojë se aroma mund të ndalojë dhimbjen, por shkenca e ka vërtetuar atë që e dinin qytetërimet më të vjetra. Egjiptianët e lashtë, që prej 4500 viteve para erës së re përdornin aromat në trajtimin e një game të gjerë sëmundjesh, a do të mbështeteshit edhe ju në metodat e tyre? Një gjë është e sigurt, nuk mund të bëheni më keq!

Nga lulja deri në vaj në një shishe të vogël…SI?

Vajrat esencialë fitohen me distilim dhe indianët ishin ndër të parët që e përdorën këtë metodë të nxjerrjes së “shpirtit” të bimës – aromën dhe nektarin e saj. Për të fituar vetëm disa pika vaj esencial, nevojitet një sasi e madhe petalesh, degëzash, rrëshirë madje edhe rrënjë bimësh. Por, ato pak pika jo vetëm që janë zgjidhje për disa lloje dhimbjesh, me hollimin e tyre (me vajra neutrale si bajame, luledielli, ulliri) fitoni një ilaç vërtet të dobishëm.

Është me rëndësi të dini se vaji nuk duhet të përdoret i paholluar, përndryshe rrezikoni të merrni djegie, reaksione alergjike, të përziera, marramendje, madje edhe helmim.

Vajrat esencialë arrijnë deri tek organet përmes qarkullimit të gjakut, duke rikthyer harmoninë në pikat kritike. Transmetuesit kryesorë janë hunda dhe lëkura. Por vaji nuk do të ketë efekt nëse pacienti nuk e shijon erën e tij. Megjithatë, është mirë që gjithmonë ekziston një aromë zëvendësuese me të njëjtin efekt.

Vajin esencial mund ta blini të gatshëm, por mund ta përgatisni edhe vetë. Fillimisht duhet të zbuloni se cilët vajra janë të destinuar për problemin tuaj dhe më pas mund ta bëni vetë kombinimin e aromave.

Në një shishe, me anë të pikatores, do të hidhni 10 pika nga çdo vaj. Zakonisht nuk duhet të përzihen më shumë se 5 vajra të ndryshëm. Ato pika do t’i përzieni me një vaj bazë që ju përshtatet më së miri. Nëse keni lëkurë normale ose të thatë, përdorni vaj ulliri si bazë; për ata me lëkurë të yndyrshme, vaji i lulediellit është më i përshtatshëm. Një solucion i tillë do t’ju shërbejë për një kohë vërtet të gjatë, sepse gjatë një trajtimi nuk guxoni të përdorni më shumë se 10 pika, përndryshe do të keni dhimbje koke.

Nga vaji te harmonia…SI?

Ekzistojnë 4 metoda përmes të cilave mund të shijoni përfitimet e bimëve të shndërruara në vaj:

Banjë aromatike

Përdoret për dhimbje muskujsh ose kyçesh, çrregullime të qarkullimit, lodhje, pagjumësi, stres, depresion. Mbushni vaskën me ujë dhe shtoni 10 pika vaj esencial. Përveç lëkurës, efektet e dobishme të vajit do t’i ndjeni edhe përmes sistemit të frymëmarrjes. Nëse jeni me nxitim dhe planifikoni të bëni një dush të shpejtë, hidhni 4-6 pika vaj në sfungjer dhe fërkoni lëkurën (nuk ka nevojë të përdorni sapun).

Kompresa aromatike

Aplikohen gjatë dhimbjeve të muskujve dhe kyçeve, ënjtjeve dhe dhimbjeve të kokës. Lagni një garzë të pastër në ujë të ftohtë nëse keni nevojë për të trajtuar ënjtjet, ose ujë të ngrohtë për dhimbjet e muskujve dhe kockave, në të cilën fillimisht do të hidhni 6 pika vaj. Kini durim dhe lini kompresat të veprojnë për të paktën një orë.

Inhalime aromatike

Përdoren për probleme me frymëmarrjen, astmën, hundën e zënë. Mjafton të hapni shishen dhe të thithni aromën ose të hidhni disa pika vaj në një spërkatës me ujë dhe të freskoni ambientin. Vajrat aromatikë përdoren në të njëjtën mënyrë si kur bëni inhalim me avullin e kamomilit.

Masazh aromatik

Përdoret për depresion, trishtim, humor të keq dhe vepron në çdo sëmundje sepse depërton thellë në lëkurë dhe sjell rezultate të shpejta. Vaji i masazhit përgatitet në atë mënyrë që në 10 ml vaj neutral, shtohen 5 pika të vajit esencial të përzgjedhur. Me lëvizje dhe presion të lehtë të herëpashershëm në zonën e dhimbshme, dhimbja largohet.

Një pikë vaji për çdo pjesë të trupit!

Ilaç aromatik kundër dhimbjes së muskujve dhe kyçeve: bergamot, livandë, xhenxhefil, rozmarinë, kamomil.

Përballoni viruset dhe ftohjet e stinës me ndihmën e vajit të limonit, livandës, barbarozës, piperit, vajit të eukaliptit. Ata do të jenë të dobishëm edhe për njerëzit që vuajnë nga alergjitë.
Në rast se kolla nuk dëshiron të largohet, në vend të antibiotikëve, bëni një inhalim me vaj druri sandali, livandë, temjan, pishë, bredh ose barbarozë.

Një banjë aromatike duhet të jetë e detyrueshme për gratë që janë shpesh të ekspozuara ndaj infeksioneve vaginale. Kamomili, kedri, selvia, temjani, boronica, rozmarina, përveç se janë diuretikë të shkëlqyeshëm, lehtësojnë cistitin dhe kandidozën.

Ndryshimet e humorit janë shpesh rezultat i hormoneve, veçanërisht gjatë SPM. Për të vendosur ekuilibrin hormonal, merrni vaj nga: neroli, selvia, livanda, kantarioni, limoni, pisha, kamomili.
Vaji esencial i borzilokut, rozmarinës, mentës dhe limonit përmirëson aktivitetin mendor dhe përqendrimin.

Edhe gjatë stresit më të vogël, nervat janë të parët që vuajnë. Për forcimin e tyre është përgjegjës vaji i kamomilit, livandës, balsamit të limonit, rozmarinës.

Për të ulur presionin e gjakut, thithni aromën e vajit të limonit, livandës, borzilokut, kantarionit.

Tretja e dobët është një shkak i zakonshëm i peshës së tepërt. Por, pikërisht për këtë, aty është piperi, xhenxhefili, livanda, limoni, nenexhiku dhe boronica.

Efekt bakteriostatik kanë eukalipti, boronica, livanda dhe rozmarina.

Plagët, lëndimet, mavijosjet, ënjtjet… kompresat e kamomilit, livandës, mërsinës dhe pemës së çajit janë një ilaç i vërtetuar për shërimin e çdo lloj plage.

Pas operacionit, indit i duhet kohë për t’u rigjeneruar. Një masazh i lehtë me livandë, mërsinë dhe temjan e përshpejton këtë proces.