Shqetësimi ju harxhon energjinë dhe ju shkatërron vetëbesimin. Por, që të ndaloni së shqetësuari duhet shumë më tepër sesa të dëgjosh dikë që të thotë: “Mos u shqetëso, gjithçka do të jetë në rregull”, apo jo?
Për çfarë po shqetësoheni tani? Se nuk po fitoni mjaftueshëm? Se fëmija juaj kalon shumë kohë para kompjuterit? Që nuk jeni mjaftueshëm aktiv fizikisht?
Ne jemi vazhdimisht të shqetësuar me disa probleme të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme. Po sikur të ndodhë kjo, dhe çfarë nëse të ndodhë…e kështu me radhë deri në pakufi. Stili i shpejtë i jetesës na ka kthyer në një brez të personave mega-të shqetësuar. Pyetja kryesore: Çfarë është ajo që i nxit këto shqetësime?
Frika nga e ardhmja, e panjohura, vetmia, interneti?! Psikologët thonë se shqetësimi i tepërt çon në ankth, i cili më pas kthehet në depresion.
Në të kaluarën shqetësimet e vërteta fillonin pas moshës 30-vjeçare, sot të rinjtë që në bankat e shkollës së mesme lodhen me gjëra që nuk duhet të jenë shqetësimi i tyre aspak.
Sondazhet e fundit tregojnë se këto janë shqetësimet që sot më së shpeshti i bëjnë njerëzit me dhimbje koke
54% e njerëzve e gjejnë shqetësimin e tyre më të madh te financat. Me siguri nuk jeni shumë të befasuar nga këto të dhëna, duke qenë se rroga po bëhet gjithnjë e më pak e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e jetës, e jo më për të lënë diçka anash. Shumica e të rinjve rreth të 30-tave janë të “burgosur” në të njëjtën dhomë fëmijërore në shtëpinë e prindërve, dhe kjo krijon zhgënjime. Komoditetin e jetesës e sigurojnë bankat përmes ofertave për kredi. Por, përpara se të vraponi në bankë për një kredi, ndiqni financat tuaja. Cilat janë shpenzimet tuaja fikse mujore? Ku shpenzoni më shumë para? Sa para mund të kurseni nga të ardhurat tuaja mujore? Kur të bëni një listë të financave tuaja, do të jeni në gjendje të kontrolloni shumë më lehtë harxhimin e tyre. Bëni një plan real për qëllimin që dëshironi të arrini dhe përgatituni të sakrifikoni një pjesë të kënaqësive. Pajtohuni me faktin se investimi juaj ndoshta mund të shkurtojë planet tuaja të udhëtimit. Plani është një motivim për punë të përkushtuar pa kompromis, dhe kjo redukton ankthin lidhur me financat.
40% e njerëzve janë vazhdimisht të shqetësuar për shëndetin e tyre sepse ndihen të lodhur kronikisht. 56% e problemeve të lidhura me shëndetin janë rezultat i rraskapitjes dhe lodhjes së vazhdueshme. Disa kafe gjatë ditës për të qëndruar zgjuar, 1-2 gota verë gjatë natës për t’u qetësuar – sondazhet tregojnë se në këtë mënyrë njerëzit përpiqen të kontrollojnë lodhjen kronike, megjithëse kjo vetëm e përkeqëson gjendjen e tyre. Psikologët alarmojnë se njerëzit duhet të mësojnë të vendosin veten e tyre në radhë të parë dhe t’u kushtojnë më shumë vëmendje gjërave që ua harxhojnë energjinë. Me një milion obligime që ju presin, do të jetë e vështirë të përcaktoni se çfarë ju harxhon më shumë energji. Por, nëse filloni t’i përcaktoni gjërat një nga një, do të gjeni fajtorin. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të ushqeni trupin tuaj me ushqim të shëndetshëm, vakte të balancuara dhe të rregullta dhe hidratim për të siguruar energji gjatë gjithë ditës. Përpiquni të pakësoni sasinë e kafeinës, pasi kështu trupi do të reduktojë lirimin e hormonit të stresit që ju bën të ndiheni të lodhur.
32% e njerëzve shqetësohen për prindërit e tyre, veçanërisht pasi largohen nga shtëpia për të krijuar familje. Si e përballojnë prindërit plakjen, që nënkupton dobësimin e shëndetit dhe ditët e kaluara në vetmi? A ndajnë ata kohë të mjaftueshme për t’i vizituar dhe përmbushur nevojat dhe dëshirat e tyre? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që kalojnë në kokën e njerëzve të pushtuar nga shqetësimet për prindërit. Psikologët thonë se ky fenomen është krejtësisht normal, por mënyra e vetme për ta kapërcyer, është të pranoni faktin që nuk mund të ndikoni në proceset natyrore. Thjesht dorëzohuni momenteve dhe shijoni kohën që ju ka mbetur së bashku.
29% e njerëzve janë të shqetësuar për jetën e tyre të dashurisë, sepse janë të vetmuar dhe kanë frikë se nuk do të gjejnë kurrë një partner. Psikologët thonë se socializimin mes të rinjve e kërcënojnë rrjetet sociale, njerëzit (sidomos femrat) kanë pritshmëri shumë të larta për bashkëshortët e tyre të ardhshëm, kurse brezat e rinj, përgjithësisht, janë gjithnjë e më pak të duruar dhe të gatshëm për kompromis në emër të dashurisë.
27% e njerëzve janë të shqetësuar për jetën e tyre të varfër sociale. Nëse rrethi juaj i miqve është relativisht i vogël dhe shpesh qëndroni në shtëpi gjatë fundjavës, ka shumë gjasa të ndiheni të vetmuar. Vetminë e theksojnë akoma më shumë rrjetet sociale, ku e dëshmojnë fotografitë e udhëtimeve dhe mbrëmjeve zbavitëse. Vetmia është një emocion i vështirë të cilin njerëzit rrallë herë e pranojnë, edhe pse 78% e njerëzve mendojnë se nuk kanë miq të mjaftueshëm. Pyesni veten, a keni vërtet nevojë për shumë miqësi të rreme, apo disa miqësi të vërteta me të cilët do të kaloni kohë cilësore?
25% e njerëzve janë të shqetësuar se ende nuk janë bërë prindër. Në vitet e 30-ta aktivizohen të gjitha alarmet dhe presionet nga rrethi për të lidhur martesë dhe për të krijuar familje. Edhe pse numri i grave që lindin në të 40-at po rritet që nga viti 1981, mos harroni kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe mendoni rreth mundësisë për ngrirjen e vezëve.
25% e njerëzve shqetësohen se kanë një oreks seksual të pasinkronizuar në martesë. Ky gjë i shqetëson femrat, pasi nën ndikimin e hormoneve epshi femëror ndryshon gjatë muajit, dhe ndodh që femra të mos ketë kurrfarë nevoje për seks. 55% e femrave shqetësohen se kjo mund të sjellë ftohjen e marrëdhënieve në martesë dhe mundësinë e tradhtisë nga ana e partnerit.
Kontrolloni shqetësimet tuaja
Ekzistojnë shqetësime të cilat shkaktojnë goditje në stomak dhe na orientojnë në alpinizëm, të ndërmarrim veprime dhe të pranojmë gjërat që nuk mund t’i ndryshojmë. Ekzistojnë edhe ato fjalitë helmuese që na rrotullohen në kokë dhe na bëjnë të zmbrapsemi. Por, nëse i shikojmë të gjitha shqetësimet si një stimul që na inkurajon të mësojmë nga gabimet dhe të maturohemi, ka shumë gjasa të zbulojmë sfida të reja dhe të shohim anën pozitive. Çdo stres, tension, ankth është një katalizator për ndryshim. Bëni një hap prapa, merrni frymë dhe pyesni veten se cili është problemi në të vërtetë. Më pas ndani atë në disa pjesë dhe zgjidhni ato veç e veç. Dhe mos harroni, me të vërtetë gjithçka kalon!