Festat janë periudha kur të gjithë i gëzohemi shoqërimit me të afërmit, ushqimit dhe argëtimit. Por, me kaq shumë tundime, lehtë mund të neglizhohet shëndeti dhe të humbet ritmi. Sipas hulumtimeve, gjatë muajve të festave, njerëzit shtojnë mesatarisht 0.5 deri në 2 kilogramë dhe akoma më shqetësues është fakti se këto kilogramë vështirë humben pas festave. Çelësi është te maturia dhe marrja e vendimeve të zgjuara – prandaj festoni, kënaquni, por gjithmonë kini kujdes që të mos e humbni fokusin nga ai që është më i rëndësishëm: shëndeti juaj!
1. Pjatë më të vogël, për një racion më të vogël
Hulumtimet tregojnë se përdorimi i pjatave dhe enëve të vogla mund të ndihmojë në kontrollin e konsumimit të ushqimit. Një studim në “Universitetin Kornell” zbuloi se njerëzit që përdornin pjata më të vogla hanin deri në 30% më pak pa u ndjerë të privuar nga kënaqësia gurmane. Ky ndryshim i thjeshtë mund të bëjë një ndryshim në planin afatgjatë, veçanërisht gjatë periudhës së festave kur racionet janë më të mëdha dhe kurthet e kalorive janë gjithkund rreth nesh.
2. Vakte të hershme, për më pak kalori
Ritmi cirkadian, ora biologjike e trupit, luan një rol të madh në mënyrën se si metabolizmi i përpunon lëndët ushqyese. Shkencëtarët nga Universiteti i Tel Avivit zbuluan se vaktet natën vonë mund të rrisin ndjeshëm peshën trupore dhe të prishin metabolizmin. Gjatë mbrëmjeve festive, përpiquni t’i hani vaktet kryesore herët gjatë ditës, kur trupi është më i gatshëm për të djegur kalori.
3. 20% stomak bosh për jetëgjatësi
Ky parim, i njohur në Japoni, rekomandon që të hamë deri në 80% të kapacitetit të stomakut. Njerëzit në Okinava të Japonisë, të cilët e ndjekin këtë rregull, njihen për jetëgjatësinë dhe shëndetin e tyre të mirë. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të shijuar specialitetet e festave pa e tepruar. Praktikoni të ngrënit e ndërgjegjshëm – duke përtypur ngadalë dhe duke dëgjuar sinjalet e trupit tuaj për të kuptuar se kur jeni të ngopur.
4. Më pak kalori të lëngshme
Alkooli dhe pijet me sheqer janë fajtorët më të mëdhenj për kaloritë e fshehura gjatë periudhës së festave. Një gotë verë ka rreth 125 kalori dhe koktejet mund të arrijnë deri në 350 kalori për gotë. Sipas një studimi në “American Journal of Clinical Nutrition”, alkooli jo vetëm që shton kalori, por gjithashtu ngadalëson metabolizmin, duke bërë që trupi të ruajë më shumë yndyrë. Alternativa është të zgjidhni kokteje me një vlerë të ulët kalorike ose të kufizoni marrjen e alkoolit në një gotë.
5. Të ecurit pas një vakti
Një ecje e shkurtër pas një vakti të bollshëm mund të jetë çelësi për ruajtjen e niveleve të qëndrueshme të sheqerit në gjak. Sipas një studimi të publikuar në “Diabetologia”, një shëtitje 15-minutëshe pas një vakti mund të ulë nivelin e glukozës në gjak me 30%, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për ata që janë të rrezikuar nga diabeti. Prandaj, pas drekës apo darkës së festës, sugjeroni anëtarëve të familjes një shëtitje të shkurtër. Nëse i ftohti apo ndotja nuk e lejon, aktivizohuni në shtëpi.
6. Gjumë të mjaftueshëm për t’u ndjerë të ngopur
Gjumi i pamjaftueshëm mund të çrregullojë hormonet që kontrollojnë oreksin – grelinën dhe leptinën. Një studim i publikuar në “Annals of Internal Medicine” tregon se njerëzit që flenë më pak se gjashtë orë në natë kanë nivele dukshëm më të larta të grelinës (një hormon që stimulon oreksin) dhe nivele më të ulëta të leptinës (një hormon që sinjalizon ngopjen). Gjatë festave, kur orari mund të jetë më kaotik, është e rëndësishme të ruani gjumin e rregullt dhe cilësor.