Roli i Omega-3 dhe suplementeve në degjenerimin makular
Degjenerimi makular senil është shkaku më i zakonshëm i humbjes së shikimit në vendet e industrializuara. Është një sëmundje që prek qendrën për shikim të qartë, gjegjësisht makulën. Nuk janë sqaruar ende arsyet e sakta të shfaqjes së saj, por janë përcaktuar disa faktorë rreziku që ndikojnë, përkatësisht: mosha (kryesisht ndodh mbi 55 vjeç), raca e bardhë (te njerëzit me lëkurë të bardhë shfaqet shumë më shpesh), trashëgimia (nëse dikush në familje ka pasur degjenerim makular, probabiliteti për t’u transmetuar te fëmijët rritet), pirja e duhanit (dyfishon rrezikun e degjenerimit makular), presioni i lartë i gjakut (hipertensioni), ushqimi jo i shëndetshëm (konsumimi i lartë i yndyrës dhe marrja e pakët e bimëve jeshile, vitaminave dhe yndyrave të shëndetshme), operacionet e mëparshme të syve (katarakti, etj.), ngjyra e çelët e syve (sytë e hapur janë më të ndjeshëm ndaj rrezeve të dëmshme), ekspozimi afatgjatë në diell (njerëzit që punojnë në kushte të jashtme), etj.
Paraqitet në dy forma, forma e thatë dhe ajo e lagësht, e para trajtohet me suplemente kurse e dyta, e cila çon në dëmtim të përhershëm të shikimit, trajtohet me terapi, më së shpeshti me aplikim intraokular të barnave.
A mund të parandalohet?
Fillimisht, është mirë të shmangni faktorët e rrezikut të përmendur më sipër dhe ajo që mund të ndihmojë në zbutjen dhe parandalimin e përparimit të sëmundjes është marrja e antioksidantëve.
Janë bërë studime (AREDS1 dhe AREDS2) që tregojnë se marrja e dozave të larta të antioksidantëve, si vitaminat dhe mineralet, redukton ndjeshëm rrezikun e përparimit nga forma e thatë në të lagësht dhe në këtë mënyrë ruan mprehtësinë vizuale. Rekomandohet që të gjithë personat mbi 55 vjeç, veçanërisht ata me faktorë rreziku, të bëjnë kontrolle të rregullta okulistike dhe të marrin rregullisht suplemente.
Cilat suplemente janë të rëndësishëm për parandalimin e degjenerimit makular?
Është mirë të merrni vitaminë E, vitaminë C, zink me bakër, vitaminë A dhe beta karoten, por duhet bërë kujdes me dozat, sidomos zink dhe karoten. Më tej, luteina dhe zeaksantina, të cilat reduktojnë rrezikun e degjenerimit me 26%, për dallim nga pacientët që nuk kishin marrë mjaftueshëm nga këto suplemente.
Shtimi i acideve yndyrore Omega 3 përmirëson efektin edhe më shumë. Acidet yndyrore omega-3, si EPA (Eicosapentaenoic acid) dhe DHA (Docosahexaenoic acid), kanë veti të fuqishme anti-inflamatore. Reduktimi i inflamacionit mund të ndihmojë në mbrojtjen e makulës nga dëmtimi.
DHA është veçanërisht i rëndësishëm për strukturën e qelizave në retinë. Përmbajtja e DHA në retinë ndihmon në ruajtjen e shëndetit të qelizave vizuale dhe mund të përmirësojë funksionin e shikimit. Disa studime sugjerojnë se njerëzit që konsumojnë sasi më të larta të acideve yndyrore omega-3 kanë rrezik më të ulët të zhvillimit të degjenerimit makular të lidhur me moshën. Ushqimi pasur me peshk dhe fruta deti shoqërohet me rezultate më të mira për shëndetin e syve.
Acidet yndyrore omega-3 shpesh kombinohen me antioksidantë (të tilla si vitaminat C dhe E) për të rritur mbrojtjen kundër stresit oksidativ, i cili është një faktor kyç në zhvillimin e AMD.
Hapat e parandalimit:
1. Ushqimi i shëndetshëm dhe marrja e vitaminave, veçanërisht:
- Acidet yndyrore omega-3: Përfshini peshkun (veçanërisht peshkun e yndyrshëm) në ushqimin tuaj dhe suplementet e vitaminave
- Antioksidantët: konsumimi i rregullt i frutave dhe perimeve, veçanërisht spinaqit, lakrës jeshile dhe karotave
- Vitaminat dhe mineralet: Vitaminat C dhe E, zinku dhe luteina/zeaksantina janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të syve.
2. Kontrolli i peshës trupore
- Ruajtja e një indeksi të shëndetshëm të masës trupore ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të AMD.
3. Ekzaminime të rregullta të syve
- Vizitoni rregullisht okulistin, veçanërisht nëse keni një histori familjare të degjenerimit të lidhur me moshën. Zbulimi i hershëm është vendimtar.
4. Mbrojtja nga Rrezatimi UV
- Përdorni syze dielli me mbrojtje UV për të mbrojtur sytë nga rrezatimi i dëmshëm UV.
5. Lënia e duhanit
- Pirja e duhanit është një faktor rreziku i rëndësishëm për AMD. Rreziku i paraqitjes së degjenerimit te duhanpirësit është dy herë më i lartë. Lënia e duhanit mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun.
6. Aktiviteti fizik
- Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe shëndetin e përgjithshëm, gjë që mund të kontribuojë në shëndetin e syve.
7. Kontrolli i hipertensionit dhe diabetit
- Kontrolli i gjendjeve kronike, si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti, është i rëndësishëm për shëndetin e syve.
Mund të konkludohet se parandalimi i degjenerimit makular të lidhur me moshën përfshin një kombinim të zakoneve të jetesës së shëndetshme dhe mbikëqyrjes së rregullt të gjendjes së syve nga mjeku okulist. Për të moshuarit rekomandohen ekzaminime të rregullta vjetore, kurse për pacientët në rrezik, dy herë në vit.
Dr. Maja Ivanova Cekov
Okuliste e specializuar – Spitali Europian i Syve