Stresi është murtaja e shekullit të 21-të dhe zgjidhja ndoshta fshihet në një nga 12-të nervat e trurit. Për të mos bredhur më tej, njihuni me nervin “endacak”.
A ju kujtohet ndjenja kur gjeni 100 denarë të harruar në ndonjë xhep dhe gëzoheni sikur keni gjetur një pasuri të tërë? Apo kur ju thonë të premten se mund të shkoni më herët në shtëpi nga puna?
Një lumturi e tillë, e vogël në dukje, i jep kuptim jetës dhe është mirë të dini se ajo ndodh në organizmin tuaj dhe ju vetë mund ta stimuloni atë.
Ju prezantojmë nervin “endacak” – (vagus) – kujdestarin përgjegjës të mirëqenies suaj dhe luftëtarin e vijës së parë kundër stresit.
Tani pak biologji: Sistemi i përgjithshëm nervor është i ndarë në sistemin nervor periferik dhe qendror. Ndërsa ky i fundit mund të jetë më kompleks dhe merret me vendosjen e një raporti të përsosur midis organizmit dhe mjedisit të jashtëm, ai periferik ka rolin e lidhjes së sistemit nervor qendror me gjëndrat dhe organet, nëpërmjet nervave dhe ganglioneve. Sistemi periferik ndahet në sistemin nervor somatik dhe autonom. Sistemi autonom emërtohet edhe vegjetativ dhe përbëhet nga pjesa simpatike dhe parasimpatike. Meqë arritëm deri këtu, tani është e lehtë.
Këto dy pjesë paramendoni si dy personazhe nga një film të cilët funksionojnë shkëlqyeshëm së bashku, por janë krejtësisht të ndryshëm, si Betmen dhe Robin.
Pjesa simpatike ushqehet me stresin! Për dallim nga kjo, pjesa parasimpatike është përgjegjëse për ndjenjën e paqes dhe qetësisë. Funksioni i këtyre dy sistemeve është automatik, që do të thotë se ne nuk e vërejmë punën e tyre. Sistemi nervor periferik, i cili i përmban pjesët simpatike dhe parasimpatike, përbëhet nga 12-të nervat e trurit dhe 36-të ganglione (këto janë lidhjet sinaptike përmes të cilave sistemet shkëmbejnë mesazhe, por për këtë në një rast tjetër). Ajo që duhet t’ju interesojë është i 10-ti nga këto 12-të nerva të trurit ose nervi vagus i lartpërmendur.
Nga pjesa e poshtme e trurit, përmes pjesës së pasme të veshit, pranë fytit, përmes zemrës dhe mushkërive, deri në stomak dhe zorrë – aty do të gjeni këtë rrjet nervor, i cili ka funksione sensore dhe motorike. Duke marrë parasysh natyrën e tij të korrierit, bëhet fjalë për një nga nervat më të mëdhenj në trupin e njeriut i cili i përçon mesazhet midis organeve të trupit dhe trurit.
Ky nerv gëzon popullaritet të madh në mesin e shkencëtarëve që besojnë se ai mund të jetë çelësi për zgjidhjen e shumë gjendjeve bashkëkohore në thelbin e të cilave fshihet stresi: ankthi, pagjumësia, sindroma e zorrës së irrituar, depresioni, e madje edhe infertiliteti.
Megjithëse impiantet e stimulimit të nervit vagus përdoren tashmë në mjekësinë moderne për të trajtuar epilepsinë, migrenën dhe tringëllimën në vesh (tinitusin), fokusi i fuqisë frenuese të nervit vagus i përjeton 5 minutat e tij të famës.
Hulumtimi i kryer në Universitetin e Teksasit synon të shpjegojë se si stimulimi i nervit vagus do të ndihmojë në rast të çrregullimit nga stresi post-traumatik. Por, ajo që është vërtetuar është se qasjet tradicionale për vetëshërim si joga dhe meditimi kanë një efekt qetësues ndaj trupit, pikërisht falë nervit vagus.
Si funksionon kjo në praktikë? Le të themi se keni pasur një situatë stresuese dhe nën ndikimin e stresit po përballeni me: rrahje të shpejta të zemrës, nxehtësi, fytyrë të skuqur (ndjeni se po ju djegin faqet), djersitje të duarve, të përziera, të gjitha këto simptoma udhëhiqen nga sistemi nervor simpatik.
Pas një momenti kaq stresues, me siguri po kërkoni ngushëllim në një vakt të ngrohtë e të shijshëm me ëmbëlsirë të përfshirë. Zbrazëtia në bark nuk është më, në skenë del nervi “endacak”. Ai regjistron aktivitetin në stomak, dërgon sinjale në tru dhe qetëson rrahjet e zemrës, e normalizon presionin e gjakut dhe ju vë në një gjendje paqeje dhe qetësie.
Se nervi vagus rregullon stresin, u zbulua nga fiziologu gjerman, fitues i çmimit Nobel, Oto Levi, qysh në vitin 1921. Oto Levi tregoi se me stimulimin elektrik të nervit vagus zvogëlohet edhe pulsimi i zemrës. Ai gjithashtu zbuloi se stimulon lirimin e një substance të quajtur acetilkolinë, e cila më vonë u vërtetua se ishte një neurotransmetues që luan një rol kryesor në relaksimin e muskujve dhe gjumin.
Kjo hap derën për trajtimin e gjendjeve që karakterizohen me inflamacion akut ose kronik (si artriti reumatoid ose sëmundja e zorrëve të inflamuara) me ndihmën e stimulimit të nervit vagus.
Një studim i fundit i publikuar në “The Journal of Clinical Psychiatry”, tregon se njerëzit me depresion kanë nivele për 46% më të larta të treguesve të inflamacionit në gjakun e tyre për dallim nga personat e shëndetshëm. Profesori Edvard Bullmor, neuroshkencëtar i Universitetit të Kembrixhit dhe autor i librit “The Inflamed Mind”, e trajton epideminë e sotme të depresionit si një inflamacion të shkaktuar nga stresi kronik.
Pra, nëse e dimë se nervi vagus redukton efektet e stresit dhe na bën të ndihemi më mirë, ku qëndron problemi? Fatkeqësisht, “endacaku” nuk arrin të kompensojë stresin ndaj të cilit e ekspozojmë.
“Ka një mospërputhje midis trashëgimisë evolucionare të gjenetikës njerëzore dhe mjedisit tonë modern”, thotë Dr. Rangan Çitarxhi, mjek i përgjithshëm dhe autor i “The 4 Pillar Plan“.
“Mekanizmi instinktiv – lufto ose mbathja – ndodh në një situatë rreziku, por jeta moderne dhe ritmi me të cilin jetojmë na bëjnë të ndihemi sikur jemi vazhdimisht nën ndonjë kërcënim. Ndërsa gjuetarët prisnin prenë e tyre, të nevojshme për të siguruar ushqim në tryezë, truri i tyre endej. Ne nuk mund ta lejojmë atë luks sot. Edhe kur gjoja pushojmë, përsëri thurim plane. Plus, ne shpenzojmë shumë kohë të ngjitur pas ekraneve dhe kjo sjell pasoja: si ju, ashtu edhe nervi “endacak” jeni shumë të lodhur nga puna”.
Nëse nervi vagus nuk e kryen mjaft mirë funksionin e tij, do të thotë se ai nuk funksionon ose funksionon me një kapacitet të ulët dhe nuk mund të qetësojë përgjigjen stresuese të organizmit”, thotë Dr. Magdalena Bak-Majer, neuroshkencëtare.
“Kur jeni në gjendje frike ose paniku dhe nuk mund të dilni nga ajo situatë, nervi vagus është nën një presion të madh për të rivendosur ekuilibrin. Pikërisht për këtë arsye stresi kronik është kaq i dëmshëm. Vetëm të kujtuarit e një ngjarjeje të frikshme dhe stresuese mund të dobësojë nervin vagus”.
Ekspertët rekomandojnë ushtrime të rregullta dhe stërvitje për nervin “endacak”.
“Si fillim, provoni atë “OM”-në klasike që vjen nga joga. Lëshimi i gjatë i këtij tingulli reflektohet në pjesën e sipërme të gojës dhe në pjesën e pasme të fytit ku fillon nervi vagus”, shpjegon Mercedes Zif, trajnere e jogës dhe psikologjisë pozitive.
Nervi “endacak” reagon në tinguj me frekuencë të ulët siç janë dridhjet, kështu që ato që krijohen në pjesën e pasme të fytit dhe gjoksit mund të kenë një efekt qetësues ndaj tij.
Hulumtimi i profesorit të psikologjisë dhe neurologjisë në Universitetin e Bostonit, Dr. Kris Striter, tregon se praktikimi i jogës ndikon shumë në çrregullimet e lidhura me stresin, sepse rrit aktivitetin e nervit vagus.
Për pacientët që vuajnë nga ankthi dhe sindroma e zorrës së irrituar, Dr. Çitarxhi e rekomandon teknikën e frymëmarrjes 3, 4, 5 (thith për 3 sekonda, mbaje 4 sekonda, nxirrni frymën për 5 sekonda).
“Nëse jeni në ankth, frymëmarrja juaj është e cekët, ndërsa frymëmarrja e thellë dhe relaksimi stimulojnë endacakun”, thotë ai. “Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe të vizitoni një psikolog në lidhje me ankthin, por ky është trajtimi i trurit, kurse frymëmarrja është trajtimi i trupit”.
Nuk është patjetër të vuani nga ndonjë çrregullim ose gjendje specifike për të stimuluar funksionin e nervit vagus. Ekspertët e infertilitetit sqarojnë se stimulimi i nervit vagus nëpërmjet akupunkturës së veshëve mund të relaksojë trurin, trupin dhe funksionin e zorrëve.
Stimulimi i vagusit mund të jetë i dobishëm në një farë mase edhe në jetën seksuale. Impotenca te të rinjtë në të 20-at dhe të 30-at është një fenomen gjithnjë e më i zakonshëm dhe shfaqet si rezultat i stresit të vazhdueshëm. Stresi aktivizon sistemin nervor simpatik, i cili nga ana tjetër parandalon ereksionin. Kjo shkakton reagim në sistemin nervor parasimpatik ku ndodhet nervi vagus i cili relakson trupin duke i mundësuar të arrijë ereksion.
Ndjenja e sigurisë është çelësi për një nerv “endacak” të shëndoshë. Kur ndiheni të sigurt dhe përjetoni raporte sociale pozitive, vagusi juaj u komunikon organeve të trupit se gjithçka është në rregull, duke ulur presionin e gjakut dhe duke ngadalësuar rrahjet e zemrës. Kjo mund të stimulohet përmes buzëqeshjes, një fytyre miqësore, bashkëveprimit me kafshët dhe natyrën, dhe më e çuditshmja nga të gjitha, përmes një bisede me tonalitet të bebeve. Njerëzit janë të ndjeshëm ndaj vokalizimit melodik të ngjashëm me ninullën e nënës, dhe kjo qetëson sistemin nervor.
Ky rrjet i madh i zgjeruar në brendinë e trupit ende mbetet për t’u zbuluar. Ekspertët besojnë se pikërisht stimulimi i nervit vagus do të jetë një zgjidhje alternative kryesore për shumë gjendje kur njerëzit nuk mund të pranojnë terapi mjekësore.
Derisa të zbulohen prova të besueshme për këtë mënyrë të trajtimit të murtajës të shekullit të 21-të, S T R E S I T, ja edhe disa sugjerime se si të stimuloni nervin vagus, veçanërisht kur ndiheni sikur telat tuaj janë gati të bashkohen, kurse lotët gati t’ju pikojnë. Filloni të meditoni. Një lloj specifik i meditimit budist ishte baza për hulumtimin e shkencëtarëve në Universitetin e Karolinës së Veriut në vitin 2013, i cili tregoi se emocionet pozitive dhe ndjenja e lidhjes sociale kanë një raport në ngushtë me nervin vagus. Lëshoni pak muzikë të qetë budiste dhe imagjinoni njerëzit që doni dhe që ju duan, se si ju dërgojnë ngrohtësi dhe dashuri dhe se si ju po ua ktheni në të njëjtën masë.
Një mundësi tjetër është edhe dushi i ftohtë, pasi larja e fytyrës me ujë të ftohtë aktivizon refleksin e zhytjes i cili stimulon nervin vagus. Është vërtetuar se duke ulur temperaturën e trupit, ai qetësohet. Pra, ndoshta pas disa sekondash jashtëzakonisht të ftohta, do të përjetoni atë ndjenjë “zen”.