Sëmundjet e vjetra po rikthehen në masë të madhe. Po flasim për shytat, fruthin, pertusis-in…
Sëmundjet e çrrënjosura po rikthehen shumë, edhe te njerëzit që janë vaksinuar. Sqarim? Disa vaksina e humbasin efektivitetin e tyre me kalimin e viteve dhe shumë prindër shmangin vaksinimin e fëmijëve të tyre, duke u frikësuar nga lidhja që mund të kenë me autizmin. Por, kjo rrezikon të gjithë popullatën, sepse sa më i madh të jetë numri i personave të pavaksinuar, aq më e madhe është mundësia që sëmundja të përhapet.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, deri më 21 mars 2024, në vend janë regjistruar gjithsej 287 raste me kollë të mirë (pertusis). Pacientët janë të moshës nga 1 muaj deri në 78 vjeç.
- Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (287), 157 prej tyre (ose 54.7%) nuk janë të vaksinuar, nuk janë vaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk kanë dëshmi për vaksinim.
- Nga rastet që janë vaksinuar plotësisht, koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në shfaqjen e sëmundjes është 12.6 vjet.
- Nga të sëmurët, 44 persona janë shtruar në spital, edhe atë 38 prej tyre janë nën moshën 4 vjeç.
- Në periudhën dhjetëvjeçare 2012-2021, janë regjistruar gjithsej 2030 raste të lisë.
- Në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 13 raste të shytave me incidencë 0,7 për 100 000 banorë, me një rritje prej 44,4% krahasuar me një vit më parë, 2021.
- Ajo që fillon si një kollë e thjeshtë, me një diagnozë të gabuar bëhet bronkit, që në fund të rezultojë se është një sëmundje për të cilën kemi besuar se është zhdukur.
FRUTHI
Emri latin është morbilli dhe bëhet fjalë për një sëmundje infektive të sistemit të frymëmarrjes e shkaktuar nga një virus. Ai transmetohet lehtësisht ndërmjet njerëzve përmes kollës dhe teshtimës, gjithashtu mund të transmetohet përmes pështymës dhe sekrecioneve të hundës. Fruthi prek rreth 20 milionë njerëz në vit në mbarë botën, kryesisht në vendet në zhvillim në Afrikë dhe Azi. Programet globale të vaksinimit kanë ulur shkallën e vdekjeve prej fruthit nga 2.6 milionë njerëz në vitet e 80-ta në 73,000. Vdekshmëria është më e lartë te personat e infektuar nën moshën 5 vjeç.
SIMPTOMAT: Shenjat e para që do të vini re janë kolla dhe rrjedhja e hundës. Tri deri në pesë ditë më vonë, shfaqet një temperaturë e lartë dhe njolla të kuqe në të gjithë trupin. Nëse dyshoni se e keni fruthin, shkoni te mjeku për të marrë një konfirmim dhe më pas mbështilluni nën batanije në shtëpi dhe qëndroni larg për të paktën 4 ditë pasi të shfaqen skuqjet, kohë gjatë së cilës jeni akoma infektues. Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni, pasi virusi mund të jetojë në ajër deri në 2 orë. Nëse ndiheni letargjik, konfuz ose filloni të keni halucinacione, kërkoni ndihmë mjekësore.
SHYTAT
Bëhet fjalë për një infeksion virusor i cili zakonisht sulmon gjëndrat e pështymës parotide të vendosura poshtë veshëve, pas nofullës. Më shpesh shfaqet te fëmijët nga mosha 5 deri në 14 vjeç, por nuk përjashtohen edhe të rriturit. E vetmja veçori pozitive e shytave, e thënë në mënyrë figurative, është imuniteti i përhershëm që krijohet pas shërimit të sëmundjes dhe i cili mbron nga një infeksion i dytë deri në fund të jetës.
SIMPTOMAT: Kujtoni simptomat e njohura të gripit – dhimbje koke, temperaturë të lartë të trupit, dhimbje muskujsh, lodhje dhe humbje të oreksit. Është e njëjta gjë me shytat, por në këtë rast vërehet një ënjtje e gjëndrave të pështymës, kështu që dikush mund të mendojë se po mbani një bonbone në gojë. Kollitja dhe teshtitja janë gjithashtu simptoma të zakonshme, por interesante është se te një e treta e të prekurve, simptomat nuk shfaqen fare. Nëse dyshoni se i keni shytat, kini parasysh se jeni infektues për 5 ditë pasi të shfaqet ënjtja. Simptomat zgjasin rreth një javë, dhe prania e virusit testohet përmes një analize gjaku. Është e nevojshme të pushoni dhe të pini mjaftueshëm lëngje. Do t’ju duhen rreth 2 javë që të ndiheni plotësisht të shëndetshëm.
KOLLA E MIRË
Pertusis ose kolla e mirë është një infeksion bakterial që sulmon fytin. Përhapet përmes kollitjes ose teshtitjes dhe mund të jetë veçanërisht serioze te fëmijët e vegjël.
SIMPTOMAT: Simptomat fillestare të kujtojnë ato të ftohjes së zakonshme: rrufë, kollë e lehtë, ndonjëherë e shoqëruar nga një temperaturë pak e lartë. Për një deri në dy javë, kolla bëhet shumë e shpeshtë, e thellë dhe e rëndë. Kollitja mund të zgjasë më shumë se një minutë dhe të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje. Në disa raste, kollitja ekstreme mund të çojë në rraskapitje, të vjella dhe madje edhe plasaritje të brinjëve. Nëse ekziston edhe dyshimi më i vogël për shfaqjen e sëmundjes, është e nevojshme që menjëherë të shkoni te mjeku. Duke qenë se bëhet fjalë për një infeksion bakterial, është e nevojshme terapia me antibiotikë, të cilën sa më shpejt të filloni ta merrni, aq më shpejt do të shëroheni. 5 ditë pasi të keni pirë antibiotikun, nuk jeni më i rrezikshëm për mjedisin. Duhen disa muaj për t’u shëruar plotësisht nga sëmundja, prandaj në disa vende të botës njihet edhe si kolla 100 ditore.
SITUATA GLOBALE
Njerëzit që udhëtojnë shpesh, duhet të përfshijnë gjithashtu edhe vaksinën e poliomielitit në kalendarin e tyre të imunizimit – virusi zakonisht përhapet përmes ujit dhe ushqimit të ndotur dhe shkakton paralizën e fëmijëve. Përveç kësaj, rekomandohet edhe vaksinimi kundër rubeolës – një infeksion virusor me simptoma gripi që është shumë i rrezikshëm për gratë shtatzëna.