Me kalimin e moshës vijnë edhe shumë sfida të ndryshme – fizike, emocionale, mendore, sociale. Lista është e gjatë dhe do të rritet akoma me kalimin e viteve. Çfarë mund të bëni ju lidhur me këtë? Është e thjeshtë, filloni të vallëzoni. Besoni apo jo, vallëzimi është përgjigjja për të gjitha shqetësimet tuaja.
Vallëzimi ka pasur gjithmonë përfitimet e tij për njerëzit e të gjitha moshave, por së fundmi po rezulton të jetë një mënyrë efektive për të mbajtur mendjen dhe trupin në epokën e artë.
Përparësia më e madhe është ajo se vallëzimi është një mënyrë e lehtë, pa dhimbje dhe e këndshme për të aktivizuar muskujt dhe për të kthjelluar mendimet. Për më tepër, rreziku nga lëndimi është shumë i ulët, sepse lëvizjet janë të shumëllojshme dhe më pak të përsëritura. Mos prit, vëre në punë radion e vjetër dhe pista e vallëzimit është e jotja!
Përfitimet e vallëzimit për të moshuarit
Shëndet më i mirë kardiovaskular
Vallëzimi në një mënyrë është edhe një ushtrim kardio me intensitet të ulët që ofron të njëjtat përfitime për zemrën dhe mushkëritë si ushtrimet tradicionale kardio.
Forcë dhe qëndrueshmëri më e madhe
Vallëzimi i forcon muskujt pothuajse në çdo pjesë të trupit, sepse lëvizjet kërkojnë që ata të mbajnë peshën e trupit tuaj. Kjo rrit aftësinë tuaj për të kryer detyrat e përditshme dhe redukton gjasat për t’u lënduar gjatë rënies si pasojë e dobësimit të muskujve. Sa më shumë vallëzoni, aq më shumë mund të lëvizni dhe të jeni elastik.
Shëndet më i mirë i kockave
Lëvizja nën ritmin e muzikës forcon strukturën e kockave duke rritur nivelin e masës kockore.
Mirëmbajtje më e lehtë e peshës së trupit
Vallëzimi nënkupton aktivizimin e të gjithë trupit, gjë që rezulton në djegien e kalorive.
Rritje e nivelit të energjisë
Vallëzimi stimulon prodhimin e hormoneve të lumturisë, si serotonina dhe endorfina, të cilat ju bëjnë të ndiheni më energjikë.
Fleksibilitet më i mirë
Lëvizjet ritmike dhe të lehta janë veçanërisht të përshtatshme për kyçet sepse theksojnë fleksibilitetin e tyre, duke lejuar më shumë lëvizje me më pak shqetësime fizike.
Shkathtësi e përmirësuar
Ndërsa plakemi, shpesh humbasim aftësinë për të lëvizur shpejt dhe lehtë. Vallëzimi ndihmon në rikthimin e një pjese të asaj shkathtësie.
Ekuilibër më i mirë
Gjatë vallëzimit, ju jeni të detyruar të ekuilibroni ndërsa lëvizni, bëni hapa ose rrotulloheni. Kjo do të thotë që me çdo lëvizje, baza juaj e mbështetjes ndryshon, kështu që truri dhe trupi juaj përgjigjen duke nxitur aftësinë tuaj për t’u përshtatur dhe ekuilibruar.
Njohje më e mirë
Hulumtimet tregojnë se 1-2 orë vallëzim në javë mund të përmirësojnë aftësitë njohëse. Mësimi i hapave dhe përqendrimi që kërkon vallëzimi rezulton në rritjen e aktivitetit të trurit te të moshuarit, gjë që në periudhë afatgjate çon drejt një funksioni më të mirë njohës.
Më shumë mundësi për ndërveprim social
Vallëzimi dhe dëgjimi i muzikës janë aktivitete të shkëlqyera shoqërore. Pavarësisht nëse vendosni të merrni orë vallëzimi ose të anëtarësoheni në një klub folklorik, padyshim që do të keni mundësinë të takoni njerëz me interesa të ngjashme dhe të shijoni një aktivitet jo konkurrues, por argëtues.
Stres i reduktuar
Vallëzimi mund t’ju ndihmojë të largoni mendjen nga situatat stresuese dhe të pauzoni shqetësimet tuaja. Përveç kësaj, muzika mund t’ju qetësojë, frymëzojë dhe madje të ngjall kujtime të këndshme që do t’ju ngrohin zemrën.
Rritja e vetëbesimit
Vallëzimi mund të përmirësojë shëndetin tuaj fizik, mendor, emocional dhe social. Me të gjitha këto avantazhe në anën tuaj, me siguri do të ndiheni më të sigurt në vetvete.
Rrezik më i ulët nga demenca!
Një studim i publikuar në “The New England Journal of Medicine” tregon se vallëzimi i rregullt mund të zvogëlojnë rrezikun e demencës me 76%. Kjo lidhet me faktin se vallëzimi stimulon funksionin njohës, përmes mësimit të hapave dhe lëvizjeve të reja, gjë që nxit trurin të krijojë lidhje të reja nervore.