Ngjyra intensive e këtij fruti me një shije specifike dëshmon përbërjen e tij të pasur antioksiduese dhe shëruese. Mund t’i konsumoni përmes lëngut, kompostos, reçelit, por më të fuqishme janë kur konsumohen të freskëta. Janë të pasura me vitaminat A, C, E, acid folik, kalium, magnez, hekur dhe fibra vegjetale. Ato përdoren kryesisht për të reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin në kocka dhe muskuj. Shkenca thotë se 20 vishnja në ditë e zvogëlojnë dhimbjen në mënyrë të barabartë sa aspirina ose një analgjezik. Vishnjat përmbajnë gjithashtu edhe antocianina që kanë një efekt parandalues kundër kancerit, e veçanërisht parandalojnë zhvillimin e tumoreve në zorrën e trashë.
Vishnjat përmbajnë deri në 19 herë më shumë beta-karoten se boronicat, e cila është thelbësore për ruajtjen e shikimit të shëndetshëm, veçanërisht gjatë periudhës së verës, kur sytë janë të ekspozuar ndaj rrezatimit të lartë UV. Vishnja është një nga frutat e rralla që përmban melatonin, një hormon natyral që rregullon gjumin. Një gotë me lëng vishnje para gjumit është një taktikë e mirë për të ndihmuar trupin tuaj të ketë një gjumë të thellë dhe të vazhdueshëm gjatë natës. Vishnjat e mbajnë zemrën të shëndetshme, sepse rregullojnë kolesterolin në gjak dhe ulin rrezikun e trombozës.