Vladanka Krstevski

Vladanka Krstevski

“TEATRI MË MËSOI T’I KUPTOJ NJERËZIT DHE TË BËHEM NJERI MË I MIRË”

Kur një person mbart pasionin e tij në skenë, ai krijon një hapësirë ​​ku emocionet gjallërohen dhe historitë marrin një dimension të ri. E tillë është Vlladanka Krstevski – aktore, bashkëshorte, nënë e re dhe drejtuese e emisionit të njohur të fundjavës “Kajmak” në TV Sitel, ku përmes të ftuarve dhe historive interesante freskon publikun me një dozë frymëzimi dhe buzëqeshjeje.

Me karrierën e saj profesionale në Teatrin e Kumanovës, Vlladanka eksploron thellësinë e emocioneve njerëzore, duke i mbartur ato njëkohësisht në skenë. Jeta e saj është një dëshmi për atë se si talenti, sinqeriteti, lidhja e thellë me njerëzit dhe arti mund të krijojnë magji. Në këtë intervistë, ajo ndan disa nga përvojat, mendimet dhe frymëzimet e saj, duke na çuar në një udhëtim nëpër botën e teatrit, televizionit, jetës familjare dhe vizionit të saj se si arti mund të jetë ilaç për shpirtin.

Si u zhvillua dashuria juaj për teatrin dhe çfarë ju frymëzoi për t’u bërë aktore?

Gjithmonë i kam dashur njerëzit, dallimet, sjelljet e tyre. Mundësinë për të ndjerë shumë emocione. Mbaj mend vetëm se kur kam parë një shfaqje – “Shpirtra me tatuazh” në Teatrin e Kumanovës dhe në njërën nga replikat thashë: “Unë do të bëhem aktore”, ky ishte vendimi im i heshtur. Një vendim i fuqishëm që, çuditërisht, nuk e harrova kurrë pavarësisht të gjitha trazirave.

Si ju ka ndryshuar teatri si person?

Më ndryshoi shumë. Thellësisht dhe tërësisht. Unë nuk kam qenë Vlladanka para FAD. Sinqerisht, atje në ato baraka gjen veten, zërin, rrugën tënde, por edhe humbesh. Mua teatri më bëri njeri më të mirë. Mësova si të kuptoj, të pranoj të gjithë dhe të mos gjykoj askënd. Kur luani personazhe të ndryshëm, në fund të ditës, ju jeni secili prej tyre – dhe diçka prej secilit duhet të flejë brenda jush. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse përqafimi me të ndryshmen, dhe fuqia e katarsisit dhe ndryshimit.

A ka ndonjë rol që ju ka ndihmuar të zbuloni diçka të re për veten tuaj?

Çdo rol më ndihmon të zbuloj diçka për veten time. Nuk është gjithmonë një gjë e bukur. Ka edhe demonë me të cilët njeriu duhet të mësohet të jetojë. Por është bukur, është bukur të shohim veten në pasqyrë dhe të pranojmë se kush jemi. I dua personazhet që më krijojnë dhimbje, kështu ka kuptim edhe njohja.

A besoni se arti ka fuqinë për të shëruar? Kur ishte hera e fundit që u ndiet si pjesë e një eksperience të tillë?

Shumë. Arti duhet të shërojë dhe ndërgjegjësojë. Kjo nuk është gjithmonë e mundur. Pothuajse e pamundur në disa kushte. Por, është detyra jonë që të luftojmë vazhdimisht që kjo të ndodhë kur jemi në skenë. Ne jemi mjekët e shpirtit, me ne njeriu duhet të dehet. Herën e fundit këtë gjë e ndjeva në Gjermani, kur luajta monodramën time “Veta e parë njëjës”, njerëzit qanin gjatë gjithë shfaqjes. Shumë nga femrat m’u afruan pas performancës për të diskutuar mbi problemet sociale dhe situatat në të cilat janë gjendur. Aty për herë të parë pas një kohe të gjaaaatë, përjetova fuqinë e fjalës së thënë në skenë. Dhe u ndjeva e fuqishme. U ndjeva mirë. E përmbushur. Herën e fundit mua më shëroi piktura e Klimt “The Kiss” në Muzeun Belvedere në Vjenë. Thjesht, çdo lloj arti është shërues për shpirtin.

Si i trajtoni ndjenjat e dyshimit ose të pasigurisë, veçanërisht me një profesion të tillë publik dhe mediat sociale, ku kritikat arrijnë lehtësisht dhe shpesh mund të jenë të ashpra?

Dikur ishte më e vështirë. Shumë e vështirë kur përpiqesha t’u pëlqeja të gjithëve. Pasi u bëra nënë, dua t’i pëlqej vetëm vetes sime. Të jem përgjegjëse para vetes dhe familjes sime dhe t’i udhëheq gjërat ashtu siç më janë dhënë. Nuk më interesojnë kritikat që nuk janë konstruktive dhe qëllimkeqe. Më pëlqen kritika e mirë, mesazhi i shkruar me qëllime të mira, një pije pas shfaqjes, një bisedë e fokusuar – kritikat e tilla janë motori dhe forca ime. Dhe lutem që të kem më shumë prej tyre – sepse më bëjnë më të mirë.

Vladanka Krstevski

Kur ndiheni se jeni më e lidhur me krijimtarinë tuaj? A ka ndonjë ritual që e praktikoni para se të dilni në skenë?

Gjithmonë marr frymë thellë dhe përsëris me nxitim monologun me të cilin u pranova në FAD, për të ngrohur nofullën. Një besëtytni e çuditshme që ky është fillimi për të cilin duhet të mbahem, rrënja që më mban në tokë dhe me krahë të hapur drejt qiellit. Me monologun e zonjushës Julia hyra edhe në Teatrin e Kumanovës. Thjesht, Strinberg është babai im në skenë.

Në cilin film, shfaqje apo ndoshta projekt dëshironi fshehurazi të jeni pjesë dhe me cilin nga kolegët apo regjisorët ëndërroni të bashkëpunoni?

Kam shumë dëshirë që një ditë të punoj me Ivo Van Hove. E adhuroj punën, regjinë, mendimin e mprehtë dhe fokusin e tij në çdo shfaqje. Përndryshe, dua të jem pjesë e gjithçkaje. Unë nuk jam nga ata persona që refuzojnë. Dua eksperienca, miqësi dhe burime krijuese. Kur shoh një shfaqje këtu, dua të jem gjithmonë pjesë e saj. Dua të punoj me të gjithë kolegët dhe regjisorët, mund të mësosh shumë nga të gjithë.

A besoni se roli i femrës në art dhe media sot po ndryshon?

Po, sigurisht. Femrat, por edhe meshkujt, ndryshojnë çdo ditë botët në të cilat veprojnë. Në hapësirën e artit dhe medias nuk duhet të jetë dëshira për të dominuar, por fuqia për të treguar histori përmes vizioneve dhe pikëpamjeve të ndryshme. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se këndvështrimi femëror i gjërave ndryshon botën në të cilën jetojmë.

Cilët libra, filma apo personalitete ju kanë lënë përshtypje më të madhe dhe ju kanë frymëzuar?

Vëllezërit Karamazov – Dostojevski, La La Land dhe Nëna dhe Gjyshja ime – frymëzim i përjetshëm për një luftë të pashtershme!

Çfarë do t’i këshillonit gratë që luftojnë për të balancuar midis karrierës dhe familjes?

E vështirë është ajo luftë dhe ne rrallë fitojmë. Këshilla ime është të mos luftojnë. Unë jam një grua me fat që kam mbështetje të jashtëzakonshme nga partneri im. Kjo gjë më lehtëson shumë punën. Por, mbi të gjitha menazhimi i mirë i kohës dhe një rregull e artë: “Lini punën para se të hyni në shtëpi”. Le të mos mashtohemi, është shumë e vështirë dhe e pamundur. Ka ditë kur vetëm punoj dhe ditë që jam 24/7 me vogëlushin tim. Por, sinqerisht vetëm një gjë më mban: “NËNË E LUMTUR, FËMIJË I LUMTUR” kur unë jam e plotësuar, Zhani është shumë i gëzuar.

Si arrini të gjeni kohë për veten dhe bashkëshortin tuaj në garën me jetën e përditshme? A keni momente të veçanta që janë vetëm tuajat?

Çdo natë flasim për të nesërmen me një gotë verë. Një ritual i vogël që nga koha e studimit. Është e rëndësishme të synoni një marrëdhënie të shëndetshme. Ndonjëherë është një bisedë me një gotë verë, ndonjëherë është një takim në darkë. Por, ne përpiqemi të jemi aty për njëri-tjetrin. Çdo ditë. Pavarësisht nga gjithçka.

Vladanka Krstevski

Çfarë bëni për të ruajtur aftësinë tuaj fizike dhe mendore me një jetë kaq dinamike?

Meditim, stërvitje ose ecje dhe ushqim të shëndetshëm. Kur është e mundur, sa më shumë që të jetë e mundur. Ndonjëherë i anashkaloj. Por, mundohem. Nuk e gjykoj veten. E di që mundet edhe më mirë.

Kumanova është një qytet më i vogël, por ju jeni personazh publik me njohje kombëtare. Si e përballoni këtë? A ka përparësi dhe mangësi?

Kumanova është e mrekullueshme. Është qyteti im. Njerëzit e mi. Unë kam qenë atje gjithë jetën time. I njoh të gjithë, edhe para se të dal në ekrane apo në skenë. Kështu që, gjithçka është e njëjtë dhe e mrekullueshme. Unë i respektoj dhe i dua shumë bashkëqytetarët e mi. Dhe disi ajo dashuri e veçantë rritet.

Çfarë ju pëlqen më shumë në qytetin tuaj dhe çfarë do të dëshironit të ndryshonit?

Më pëlqen ndryshimi, llojllojshmëria, bukuria e njerëzve të mi. Nuk e di se çfarë do të ndryshoja. Për mua Kumanova janë njerëzit. Ndejat te “Muri”, kafetë në Agora, vizitat në lokale, koncertet në Jard. Unë nuk do të ndryshoja asgjë dhe nuk do të doja që asgjë të shuhej – vetëm të rritet.

Ju udhëtoni shpesh – çfarë ju tërheq në vendet e reja? A ju ndihmojnë udhëtimet të gjeni frymëzim për role apo projekte të reja?

Udhëtimi është investimi më i madh që mund të bëj. Investoj në njohuri, kultura të reja, njerëz dhe gjëra të bukura. Jam e lumtur kur kam planifikuar një udhëtim. Është frymëzimi im për jetën – jo vetëm për projektet.

A ka ndonjë kauzë të caktuar që është e veçantë për ju? Si i frymëzoni të tjerët që të përfshihen në ndryshime pozitive?

Good thoughts (mendime të mira), good words (fjalë të mira), good deeds (vepra të mira). Gjithçka është e lidhur, nëse mendojmë mirë, do të flasim mirë dhe do të veprojmë mirë, ndryshimi fillon nga vetë ne, apo jo?!