Është mirë që fëmijët që në fillim përshtypjet dhe përvojat e tyre të para të skijimit t’i kenë pa stres dhe të njoftohen disa ditë më parë, e gjitha të jetë një festë emocionuese dhe të shijojnë dëborën.
Edhe mënyra e jetesës moderne nuk ka arritur të ndryshojë të vërtetën se një nga gëzimet më të mëdha për fëmijët në dimër është pikërisht – bora. Lojërat me dëborë janë akoma disa nga kujtimet më të dashura të fëmijërisë. Duke u nisur nga kujtimet e tyre të fëmijërisë, prindërit zakonisht u ofrojnë fëmijëve të tyre përvoja të ngjashme, madje edhe më të mira dimërore, ndërsa kontribuojnë në zhvillimin e tyre fizik dhe shëndetin e tyre në përgjithësi. Si një përvojë perfekte e dimrit, e cila përmban të gjithë komponentet dhe dëshirat e fëmijëve dhe prindërve është skijimi.
Skijimi përshkruhet si një mënyrë për të lëvizur nëpër dëborë, duke përdorur ski për të rrëshqitur nëpër dëborë. Megjithëse skijimi është paraparë kryesisht si një mënyrë transporti ose lëvizje me dëborë, në shek. 20-të ai është shndrrua në një mënyrë popullore për rekreacion dhe sport. Fjala ski vjen nga fjala e vjetër norvegjeze “skíð” që do të thotë “copë druri e shkëputur” dhe me kalimin e kohës është bërë një fjalë ndërkombëtare që nuk përkthehet në gjuhë të tjera. Skijimi është një kombinim i shkëlqyeshëm i aktivitetit fizik dhe aktiviteteve në natyrë që lejojnë ekspozimin në diell në dimër. Skijimi dhe shëtitjet në natyrë janë përvoja të shkëlqyera për të rriturit dhe fëmijët. Aktualiteti dhe popullariteti i këtij sporti tek fëmijët është për shkak të faktit se ai kontribuon në zhvillimin e tyre fizik, si dhe në zhvillimin motorik.
Kur është mosha e duhur që një fëmijë të fillojë të bëjë ski?
Pyetja që prindërit së pari i bëjnë vetvetes është: kur është koha më e mirë që një fëmijë të fillojë të bëjë ski. Sidoqoftë, kjo varet kryesisht nga vetë fëmija dhe motorika e tij. Nëse fëmija është i qëndrueshëm në këmbët e tij / saj dhe është në gjendje të luajë dhe lëvizë në dëborë, ai ose ajo mund të anëtarësohet në një shkollë të skijimit për të filluar njoftimin e tyre themelore me këtë sport. Aftësia e fëmijës për të mbajtur vëmendjen dhe për të ndjekur udhëzimet e mësuesit luan një rol të madh.
Më e rëndësishmja, fëmijët nuk duhet të detyrohen të bëjnë gjëra që nuk ju pëlqejnë! Prandaj, mos insistoni që fëmijët të futen në një shkollë të skive nëse nuk dëshirojnë. Fëmijët mësojnë ndryshe nga të rriturit. Shumica e tyre duhet të kuptojnë idenë – atë që ju dëshironi të mësoni, dhe pastaj ata do të duan ta bëjnë vetë.
Koha më e mirë që fëmija juaj të fillojë skijimin është pas moshës dy vjeçare. Atëherë fëmija tashmë është në gjendje të mësojë bazat e skive, të qëndrojë në ski dhe të mësojë lëvizjet themelore. Këto aktivitete përfshijnë të gjitha grupet e muskujve dhe forcojnë nyjet, kështu që fëmija zhvillon një ndjenjë të ekuilibrit dhe koordinon lëvizjet.
Për fëmijët tre vjeçar, të cilët kanë pranuar të njoftohen me skijimin, duhet të sigurohen pajisje të përshtatshme, që është pjesa më e rëndësishme e këtij aktiviteti rekreativ. Pajisjet, përveç skiveve, përfshijnë çizmet e skive që mund të fiksohen në ski dhe helmeta për të mbrojtur kokën nga dëmtimet e mundshme. Kërkohet veshje e përshtatshme për aktivitetet e borës. Fëmija duhet të vishet me rroba të rehatshme, dhe gjithmonë t’i ketë sytë e tij të mbrojtur mirë me syze për skijim. Gjithashtu lëkura e fytyrës duhet të lyhet me krem mbrojtës të përshtatshëm, veçanërisht në lartësi më të larta, nga dielli i fortë, era e fortë, por edhe nga i ftohti.
Në një fazë më të avancuar fëmija duhet të mësojë të jetë i vetëdijshëm për mjedisin dhe rreziqet, situatat gjatë skijimit të përshpejtuar, gungat, kërcimet etj. Gjithashtu, shumica e fëmijëve mësojnë më shpejt dhe duan të përparojnë kur janë në një grup moshatarësh që bëjnë të njëjtat gjëra.
Pas vitit të gjashtë, fëmija gjithashtu mund të fillojë të njoftohet edhe me snowboarding (snoubording) d.m.th skijimin në një dërrasë (bord). Ky sport tashmë kërkon përgatitje më të madhe fizike dhe përqendrim më të madh, aktivizon të gjitha grupet e muskujve dhe është shumë i dobishëm për zhvillimin e fëmijëve. Veshja për këtë sport duhet të jetë e rehatshme, për shkak të lëvizjeve të shumta të gjunjëve. Për shkak të mundësisë së dëmtimit të kyçeve të dorës, ai duhet të veshë doreza speciale që lazbusin goditjet.