Kërcimi nga shtrati në mes të natës, djersitja nga koka e deri te këmbët nuk është aspak e këndshme, pavarësisht nga mosha. Hulumtimet e reja thonë se makthet janë një tregues i gjendjes mendore të një personi, çfarë saktësisht nënkuptojnë me këtë?
Ju ecni nëpër një rrugicë të errët. Ju jeni vetëm, nuk është askush. Është aq qetë sa mund të dëgjosh frymëmarrjen tënde. Papritmas dëgjon hapa pas teje, hapa të shpejtë dhe të zhurmshëm. Ju përpiqeni t’ia mbathni, por këmbët tuaja duken se janë përngjitur në asfalt. Zemra juaj po godet në gjoksin tuaj, hapat e huaj po afrohen. Por nuk mund të lëvizësh nga vendi. Dhe pastaj … hapët sytë. Dhoma është e qetë dhe ju jeni të sigurt në shtrat. Ishte thjesht një ëndërr, një ëndërr shumë e vërtetë.
Kushdo që ka përjetuar këtë makth specifik mund të jetë dëshmitar i fuqisë së nënvetëdijes që shkakton terror, makth, frikë, konfuzion, turp, poshtërim. (Edhe pse realisht nuk u larguat nga shtëpia pa të brendshme, ëndrra ishte aq e vërtetë sa ndiheni sikur me të vërtetë e keni provuar.) Drita e ditës i bën edhe ëndrrat më shqetësuese të duken budallaqe. Por studimet e fundit i lidhin makthet (sidomos nëse janë të zakonshme) me mirëqenien mendore, a do të thotë kjo se ëndrrat kanë një anë të errët?
Nga vijnë makthet?
Nuk ka asnjë të rritur që si fëmijë nuk kishte frikë të binte në gjumë për shkak të shtrigave, përbindshave dhe personazheve të tjerë të trilluar. Sot, kjo frikë tek fëmijët është edhe më e madhe, falë YouTube dhe disponueshmërisë së përmbajtjes së papërshtatshme për moshën, si dhe lojërave të gjalla të mbushura me dhunë. A është e mundur që kjo frikë që fillon në fëmijëri të mbetet e bllokuar deri në moshën e rritur? A është problemi shumë më i thellë se imagjinata hiperaktive?
Dr. Brioni Shives (Bryony Sheaves), një psikolog klinik hulumtues në institutin Neuroshkenca e Gjumit dhe Circadiane në Universitetin e Oksfordit, drejtoi një studim që analizoi faktorët psikologjikë dhe fiziologjikë që kanë potencialin të shkaktojnë makthe. “Zakonisht, makthet na shoqërojnë me fëmijët, sepse ata natyrshëm kalojnë më shumë kohë në fazën REM (lëvizja e shpejtë e syve, faza kur shfaqet gjumi) krahasuar me të rriturit”, shpjegon ajo. Por mosha nuk na mbron nga makthet, veçanërisht nëse jeni femëra.
“Ekziston një pohim në literaturën mbi gjumin që femrat kanë më shumë makthe se sa meshkujt – interesant, por ndryshimi gjinor ndodh në adoleshencë,” shton ajo. “Gjetjet fillestare sugjerojnë që femrat në përgjithësi kujtojnë ëndrrat më shumë dhe për këtë arsye ka më shumë gjasa t’i mbajnë dhe t’u kthehen atyre. “Nga ana tjetër, femrat janë të prirura për ndjenja si makthi dhe shqetësimi, dhe shqetësimi është një nga parashikuesit më të mirë të maktheve.” Prandaj, ajo që ëndërrojmë lidhet drejtpërdrejt me mundimet që na mundojnë ndërsa jemi zgjuar.
Ndërsa lidhja midis maktheve dhe stresit është konfirmuar prej kohësh, shumë studime mbështesin teorinë se makthet e shpeshta janë një simptomë e diçkaje më shumë. Makthet janë një simptomë e zakonshme e stresit post-traumatik (PTSD) – aq e zakonshme sa ato bëhen kriter për diagnostikimin. Në një nga studimet më të gjera që shqyrtojnë lidhjen midis maktheve dhe shëndetit mendor, botuar në revistën Scientific Reports, në vitin 2017, psikologët nga Universiteti i Turkut në Finlandë arritën në përfundimin se makthet duhet të kuptohet si një tregues i hershëm i çfarëdo çrregullimi mendor.
“Grupi ynë i të anketuarve zbuloi se njerëzit që shpesh kanë makthe shqetësuese kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë anksiozitet, paranojë, depresion dhe halucinacione,” shton Dr. Shives. Kjo nuk do të thotë që të gjithë njerëzit që vuajnë nga makthet kanë ose do të zhvillojnë vështirësi mendore, por shanset për to janë më të mëdha.
Humbja e gjumit
Kërkimet e fundit kanë ngritur një pyetje kryesore: Si mund ta dimë kur një makth është më shumë se sa vetëm një makth? Së pari, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis maktheve dhe vështirësive të tjera të këqija. “Makthet shpesh përcaktohen si ëndrra intensive negative që ndodhin në çerekun e fundit të natës dhe shkaktojnë stres të rëndësishëm pas zgjimit”, shpjegon Dr. Miçel Kar (Michelle Carr), një studiuese në laboratorin e gjumit pranë Universitetit të Swansea. “Ato ndryshojnë nga format e tjera të shqetësimit të gjumit, të tilla si tmerret e natës ose eksitimet hutuese, me atë që ju jeni zgjuar dhe të vetëdijshëm për një kohë të shkurtër dhe përjetoni simptoma të caktuara fizike si palpitimet, djersitja dhe frymëmarrja e shpejtë.”
Simptoma të tilla intensive theksojnë frikën dhe janë për shkak të faktit se trupi është shumë më afër fazës së zgjimit kur ndodh makthi, gjë që nuk është rasti kur ëndërroni një ëndërr të thjeshtë. “Tensioni i muskujve është i theksuar, personi është shumë më i prirur të lëviz me këmbë dhe ritmi i zemrës është i parregullt – reagime të ngjashme do të ndodhin nëse hasni emocione negative në jetën reale”, shton Dr. Kar (Carr).
Makth me sy hapur
Ekspertët pajtohen se makthet e rastit nuk janë shqetësuese dhe se duhet të kërkoni ndihmë sa po shpeshtësia e tyre ndikon në gjumin e rregullt – sa të përjetoni pagjumësi. Studiuesit aktualisht po punojnë për një terapi në të cilën njeriu duhet të mbështetet në imagjinatën e tij dhe të shkruajë përfundime alternative pozitive të maktheve. Tani për tani, efektet janë pozitive, por duhet kohë që kjo terapi të hyjë në praktikë. Kur bëhet fjalë për shëndetin e përgjithshëm, mendor dhe fizik, çdo përpjekje për të kontrolluar gjendjen e humorit dhe nivelin e hormonit të stresit është e dobishme. Të gjitha taktikat e relaksimit para se të shkoni në shtrat, të tilla si meditimi, ushtrime yoga, banjë të nxehtë ose aplikacione me zhurmë të bardhë, gjithashtu ndihmojnë. Nëse makthet përsëriten, por ndodhin herë pas here, mos u frikësoni. Në fakt, makthet janë mjete të shkëlqyera për të njohur stresin që po ju sulmon në jetën reale, por që keni vendosur në mënyrë të pavetëdijshme ose me vetëdije të shtypni. Punoni për të hequr qafe neurozat, dhe makthi i çuditshëm nuk ia vlen të ju vjedh ëndrrën tuaj.
Dekodimi i ëndrrave
Anna-Karin Bjorklund, një psikologe këshilluese dhe autore, zbulon se çfarë sinjalizojnë ato ëndrra të njohura.
BINI “Këto ëndrra ndodhin kur gjërat nuk shkojnë siç janë planifikuar dhe ndryshimet ndodhin shumë shpejt. Nëse bini dhe rrëzoheni, mund të përfitoni nëse pranoni që gjërat nuk zhvillohen sipas planit tuaj. “Nëse zgjoheni në mes të rënies, mund të jetë një shenjë se është koha t’u jepni gjërave një kahje tjetër”.
JENI LAKURIQ “A mendoni se e keni ekspozuar veten shumë? “Ndoshta keni ndarë një sekret ose keni zbuluar diçka për veten tuaj që tani keni frikë se do të interpretohet keq?”
JU NDJEKIN “Për shkak se ëndrrat janë një interpretim i diçkaje që flakëron ose zhvillohet tek ju, nëse ëndërroni që dikush ose diçka po ju ndjek, pyesni veten nëse ka diçka në ju nga e cila po ikni. “Ndoshta keni turp apo siklet me disa nga reagimet tuaja?”
SËRISH NË SHKOLLË “Nëse ëndërroni të jeni përsëri student ose të merrni një provim, ka më shumë të ngjarë të përballeni me mungesë të vetëbesimit. “Kjo lloj ëndrre është një tregues se është koha të përqendroheni në jetë dhe të eksploroni se çfarë mund të zhvillojë vetëbesimin tuaj”.