Masa të cilat duhet t’i ndërmerrni MENJËHERË!
Vrasësi i padukshëm me të cilin shpesh harrojmë se po luftojmë është ndotja e ajrit. Për shkak të problemeve të shumta me të cilat po përballemi, ndotja е ajrit kurrsesi nuk mund të hyjë në listën e prioriteteve. Por duhet! Edhe atë menjëherë!
Sipas OBSH-së, mesatarisht 3.3 milionë njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit nga ajri i ndotur, gjë që vërteton se në botën bashkëkohore njerëzit po e humbasin të drejtën e tyre themelore – të thithin ajër të pastër!
Shkallën e vdekshmërisë nuk e diktojnë vetëm zonat e mëdha industriale. Profesori Frenk Kelli, udhëheqësi i departamentit të shëndetësisë në Kolegjin King në Londër, thekson se udhëtimi i përditshëm nga puna në shtëpi, në trafik të rënduar, mund të shkaktojë probleme shëndetësore afatgjata.
Ajri i ndotur përmban me mijëra substanca të ndryshme toksike, duke përfshirë gazrat si dioksidi i azotit dhe peroksidi i karbonit, por kërcënim më i madh janë grimcat famëkeqe PM 2.5. Me madhësi sa e 400-ta e milimetrit, këto grimca pa pengesë ngjiten në mushkëritë e bardha. Duke zënë vend në organizëm, ato nxisin inflamacione dhe sëmundje të panumërta si astma, sëmundje të zemrës që lidhen me dëmtimin e enëve të gjakut e deri te diabeti i tipit 2.
Ajri i ndotur është veçanërisht fatal për foshnjat, të cilаt, pas një ekspozimi më të gjatë ndaj grimcave PM 2.5, rrezikohen nga zhvillimi i dobët dhe i pamjaftueshëm i mushkërive të bardha dhe probleme të mëtutjeshme me frymëmarrjen. Ndotja e ajrit është bërë një nga shkaqet kryesore për lindjen e parakohshme dhe lindjen e foshnjave me peshë trupore nën mesataren.
Ekzistojnë edhe prova se ndotja e ajrit ndikon në fertilitet, kurse një studim nga Universiteti i Kalifornisë Jugore zbulon se njerëzit që jetojnë në zona jashtëzakonisht të ndotura kanë 92% më shumë gjasa të preken nga sëmundja e Alzheimer – it, grimcat PM përthithen përmes hundës dhe shkojnë në tru ku shkaktojnë inflamacione të lidhura me shfaqjen e demencës.
Ndotja ndikon madje edhe në lëkurë, sipas Journal of Investigative Dermatology, njerëzit të cilët jetojnë në zona me trafik të rënduar kanë 20% më shumë pigment në lëkurën e fytyrës.
Objektet industriale dhe joindustriale, proceset e prodhimit, trafiku rrugor, djegia e mbeturinave, janë vetëm disa nga faktorët që e ndotin ajrin. Por, ndotës ka edhe nëpër shtëpi: myku, plastika, plumbi, produktet higjienike, të gjithë këto janë burim grimcash të dëmshme të cilat shpesh i nënvlerësojmë. Tymi nga oxhaqet e papastra dhe lëndët të cilat shfrytëzohen për ngrohje janë shkaktarë për paraqitjen e sëmundjeve dhe vdekjeve te 4.3 milionë njerëz në vit.
Çfarë mund të bëni për t’u mbrojtur?
Ndiqni numrat
Pastruesi juaj në shtëpi dhe aplikacioni në celularin tuaj janë një tregues i mirë i nivelit të ndotjes, prandaj është mirë t’i ndiqni të dhënat që ta dini se kur është më mirë të qëndroni në shtëpi. Aplikacioni AirCare tregon nivelin e matur të cilësisë së ajrit (AQI), nivelin e grimcave PM10 dhe PM 2.5 si dhe ndotjen mesatare për një periudhë të caktuar kohore. Po aq i dobishëm është edhe aplikacioni Plume Air Report, i cili e tregon situatën në mbarë botën nëse jeni duke udhëtuar. Aty gjenden të gjitha të dhënat e mësipërme, parashikimet për një periudhë të ardhshme, si dhe këshilla se sa e sigurt është që të dilni me biçikletë ose të ecni në ambient të hapur.
Merrni vitamina antitoksike
Vitamina E ndihmon në mbrojtjen e mushkërive të bardha nga efektet e dëmtuesve të shumtë që gjenden në ajër. Algat blu-të gjelbra si Spirulina ose Chorella janë pastrues të shkëlqyer të organizmit, të pasura me antioksidantë dhe vitaminë E që lidhen me toksinat, duke e parandaluar përthithjen e tyre. Acidet yndyrore Omega-3 gjithashtu kanë një efekt të fuqishëm anti-inflamator që e mbrojnë trurin nga dëmtimi oksidativ, duke e mbrojtur atë në mënyrë plotësuese nga neurotoksinat.
Pastroni shtëpinë
Përveç pastruesit, merrni edhe vajra esencialë për të pastruar dhomat nga toksinat dhe kështu do t’i mbroni rrugët e frymëmarrjes nga inflamacioni. Një tjetër mundësi janë lulet si ficus, aloe vera dhe krizantemë.
Bëni kujdes me ushqimin
Rreth 80% e kimikateve të përpunuara të cilat i fusim në organizëm vijnë nga ushqimi. Pesticidet janë aleatët kryesorë të qelizave kancerogjene dhe rreziku rritet në përpjesëtim të drejtë me ekspozimin – 1 person vdes çdo 30 minuta si pasojë e ndotjes së tokës. Një rol të madh luajnë edhe antibiotikët dhe hormonet e pranishme në ushqim. Gjatë çdo vakti me mish ose produkte të qumështit, ne thithim edhe hormonet me të cilat janë trajtuar kafshët dhe kjo çon në prishjen e baraspeshës hormonale në organizëm (rritje e rrezikut të infertilitetit dhe sëmundjeve kancerogjene).
Peshku i yndyrshëm mund të përmbajë nivele të larta të merkurit dhe bifenoleve të poliklorinuara me të cilat është i ndotur uji në të cilin notojnë. Për të shmangur dozat e larta të pesticideve, është më mirë që të konsumoni produkte nga radhët e ulëta të zinxhirit ushqimor, siç janë perimet. Te mishi, ka shumë mundësi që kafsha të jetë ushqyer më parë me bar plot me pesticide dhe këtu bioakumulimi është akoma më i madh, sepse kafshët gjatë jetës së tyre kanë akumuluar nivele të larta të kimikateve.
Zgjidhni organike
Produktet organike prodhohen pa përdorimin e kimikateve, hormoneve dhe antibiotikëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse ato janë shumë më të shtrenjta. Ekspertët këshillojnë që ushqimet të cilat i konsumoni në sasi të mëdha, është mirë që të jenë organike. Makaronat dhe orizi janë zgjedhje e mirë, gjithashtu edhe qumështi. Agjencia e Ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se agrumet, perimet, rrushi, mollët dhe dardhat janë më të ndoturat, prandaj zgjidhni ato të jenë organike. Nëse nuk ka shenjë (pullë), mos u vërsulni pas mollës më të madhe ose patates me pamje të përsosur. Organikja nuk duket e lëngshme dhe joshëse.
Hani të freskëta
Shmangni me çdo kusht ushqimet e shpejta dhe ushqimet e gatshme. Ushqimi mund të ekspozohet ndaj kimikateve nëse është i prodhuar në fabrikë ose i paketuar. Përdorni sa më shumë të jetë e mundur prodhime të freskëta në vend të atyre të paketuara në plastikë ose konservë.