Marsi është krijuar për një buqetë të freskët me lule në shtëpi. Për energji pozitive, për të pritur pranverën, për një 8 Mars aromatik, lulëzoni hapësirën përreth me disa nga këto këshilla.
VAZO: Çdo vazo është e pranueshme përderisa është e ulët, sepse kështu do t’i qëlloni më lehtë proporcionet e kompozimeve komplekse, por do ta keni akoma më të lehtë nëse përdorni një sferë. Me ndihmën e një shiriti, bëni një rrjetë (të ngjashme me atë për X-0) në hapjen e vazos. Në secilin katror duhet të keni nga 2 deri në 3 bimë.
Gjelbërim: Për të fituar një formë të bukur të buqetës, mbështetuni te gjelbërimet. Zgjedhjet e gjelbërimeve janë të shumta, por duhet të keni parasysh se buqetat asimetrike ose ato që duken sikur i keni bërë duke mbledhur lule mali, janë në modë. Kur zgjidhni ndonjë lloj gjelbërimi, është mirë të udhëhiqeni nga stina. Në pranverë vendosni jargavan, llojet e pasura të luleve të verdha lini për në vjeshtë, bimët me gjelbërim të përhershëm sigurisht janë të rezervuara për në dimër, kurse zgjedhja më e sigurtë, e disponueshme gjatë gjithë vitit, është fieri. Gjethet e dushkut ose disa degë rozmarine nga kopshti gjithashtu do të mbarojnë punë. Vendosni gjelbërimet në mënyrë që të formoni një trekëndësh në rrjet.
LULE: 5 lloje të ndryshme lulesh është maksimumi që duhet të përmbajë kompozimi juaj – çdo gjë më shumë se kjo do të dukej e çrregullt. Në fokusin e kompozimit me lule, le të përsëriten lulet në numër tek, për shembull, tre bozhure dhe pesë zhabina. Mos u përpiqni të vendosni lule të ngjashme në një katror.
LULE TË MËDHA: Vendosni fillimisht lule të bollshme, të ndezura (të tilla si bozhure dhe dahlia) të cilat duhet të mahnisin. Ata janë pika juaj e fillimit. Për t’u siguruar që ata të marrin të gjithë vëmendjen, vendosni gjithmonë nga tri gonxhe së bashku prej secilit lloj, pranë njëra-tjetrës. Këto lule duhet të jenë në lartësinë e hapjes së vazos në qendër të kompozimit.
GONXHET DYTËSORE: Lulet e llojeve të tjera të mbetura vendosni së bashku, sepse në këtë mënyrë do ta keni më të lehtë të vini re se ku ka boshllëqe. Luani me lartësinë e kërcellit, më lartë, më poshtë, në lartësinë e hapjes së vazos – në këtë mënyrë do të bëni një kompozim më mbresëlënës.
UJË: Që në momentin që do t’i prisni kërcellet, lulet duhet të vendosen në ujë për 7 sekondat e ardhshme, në të kundërt kërcelli do të fillojë të thithë ajër, gjë që e shkurton jetën e tyre në vazo. Nëse i lini lulet gjatë pa ujë, vendosni fillimisht në ujë të ngrohtë për një orë, më pas transferoni ato në ujë të mbajtur në temperaturën e dhomës. Duke përdorur një thikë të mprehtë, prisni kërcellet në një kënd 45 gradë për thithjen optimale të ujit.
Disa këshilla për të blerë një buqetë
Kur nuk ju pëlqen zgjedhja në dyqanin e luleve, luani sigurt.
Një përzierje perfekte – një buqetë monokromatike është gjithmonë e qëlluar, prandaj blini disa lule të ndryshme me të njëjtën ngjyrë dhe bëni me ato një buqetë. Askush nuk mbetet indiferent ndaj kombinimit të teksturave të ndryshme.
Rregullshmëria mbi të gjitha – Kur është vetëm, karafili duket i trishtuar. Por a keni provuar të bëni një buqetë me karafila? Një grup prej 5 karafilash me kërcell të gjatë duket me klas dhe i rafinuar.
Vazo mbresëlënëse – Nëse nuk keni buxhet të mjaftueshëm për një buqetë luksoze, kompensojeni me një vazo qelqi shumëngjyrëshe ose minimaliste.
Çfarë lloj buqete kërkoni?
Moderne dhe e guximshme – zgjidhni ngjyra kontraste, për shembull, kombinoni trëndafila rozë me orkide të bardha dhe gjethe jeshile të errët.
Artistike dhe e pazakontë – në këtë rast krijoni teksturë. Kombinoni anemonë të zbukuruar me madërgonë gjembore ose krizantema të rrumbullakëta me gjethe të gjata.
E thjeshtë dhe luksoze – blini tulipanë, sa më shumë aq më mirë. Të gjata, elegante, pa gjethe, do të sjellin hijeshi në shtëpi.
Truk për një buqetë të freskët
Lajeni vazon me sodë buke për të vrarë të gjitha bakteret, më pas mbusheni me ujë dhe shtoni pak vodkë për të parandaluar formimin e etilenit i cili i vyshk lulet.
Dhuroni vetes lule, sepse e meritoni! GËZUAR 8 MARSIN