Plakjes i ka dalë zëri i keq, por sëmundjet, mungesa e energjisë dhe vetmia janë larg nga gjithë kjo histori. Disa gjëra, thjesht bëhen shumë më të mira derisa plakemi.
Për shembull, me kalimin e viteve, njeriu merr vendime më lehtë, i kontrollon më lehtë emocionet e tij dhe tregon shumë më tepër ndjeshmëri për të tjerët.
Këto përfitime të moshës, do të dalin në pah vetëm përmes plakjes cilësore. Dhe plakja cilësore nënkupton një qëndrim pozitiv, rezistencë dhe proaktivitet.
Për rrjedhojë, sfidë për mjekët nuk duhet të jetë vetëm zgjatja e jetës, por edhe rritja e cilësisë së jetës.
Çfarë është plakja e suksesshme?
Ekzistojnë tre aspekte të plakjes: fizike, kognitive dhe psikosociale.
Shumica e njerëzve e shohin plakjen vetëm nga aspekti fizik dhe për këtë arsye ekziston një perceptim negativ për plakjen dhe frikë nga plakja.
Por, vitet nuk e vënë në pikëpyetje vetëm pamjen, rreth moshës 60 vjeçare fillojnë të dobësohen edhe aftësitë kognitive si fokusi dhe kujtesa– një tjetër ndryshim që i bën njerëzit të ndjejnë neveri ndaj këtij procesi të pashmangshëm natyror.
Asaj që i kushtohet më pak vëmendje dhe është vërtet e rëndësishme, është plakja psikosociale. Por, çfarë nënkupton në të vërtetë koncepti i plakjes psikosociale? Ai përfshin gjëra të tilla si mirëqenia, lumturia, cilësia e jetës, kontrolli emocional, socializimi. Këto gjëra janë shumë të rëndësishme për çdo individ dhe për këtë arsye duhet të përfshihen në të gjithë konceptin e plakjes.
Plakja e suksesshme nuk do të thotë vetëm të arrish pleqërinë dhe të shuash sa më shumë qirinj në tortë, por ajo nënkupton edhe mirëqenie më të mirë, lumturi më të madhe, prosperitet, madje edhe lulëzim.
A duhet të jetë plakja stresuese?
Vitet padyshim sjellin më shumë stres në disa fusha. Sëmundje, aftësi të kufizuara, vdekje e të afërmve, probleme financiare, pensionimi dhe humbja e ndjenjës së qëllimit, mungesa e ndjenjës së përkatësisë – të gjithë këto janë faktorë legjitim të stresit në moshën madhore të jetës.
Por, më e rëndësishme është se si reagoni ndaj stresit. Në një studim u përfshinë rreth 2.000 njerëz nga mosha 21 deri në 100 vjeç e sipër. Në këtë studim u vëzhgua shëndeti fizik, funksioni kognitiv dhe funksionimi psikosocial. Studimi zbuloi se shëndeti fizik bie pas moshës së mesme, gjë që nuk është për t’u habitur.
Funksioni kognitiv fillon të bjerë në moshat më të vjetra, gjë që nuk është për t’u habitur.
Por, funksionimi psikosocial, duke përfshirë edhe mirëqenien, cilësinë e jetës dhe lumturinë, gradualisht përmirësohen me kalimin e moshës. Njerëzit e moshuar e përballojnë stresin më mirë sesa dikush në të 20-at dhe 30-at e tyre. Kur je i ri dhe diçka nuk shkon siç duhet, mund të ndjeheni të shkatërruar. Kur jeni më i vjetër dhe diçka nuk shkon siç duhet, thoni: “Nuk ka problem. Ka gjëra të tjera që do të shkojnë siç duhet”.
A bëhemi më të mençur me kalimin e moshës?
Studimet empirike kanë treguar se të moshuarit, ndryshe nga të rinjtë, janë më të mirë në raport me kontrollin e emocioneve, e njohin veten më mirë, marrin vendime më të mira që kërkojnë përvojë dhe kanë më shumë dhembshuri dhe ndjeshmëri për të tjerët.
Pikërisht këto aftësi e përbëjnë mençurinë, dhe më e mira nga të gjitha është ajo se ato mund të rriten me kalimin e viteve.
Ku ndodhet mençuria?
Mençuria, në kuptimin e saj më të gjerë, përfshin dy pjesë të trurit. Një prej tyre është korteksi paraballor, i cili është pjesa më e re e evolucionit të trurit. Kjo është pjesa e trurit e cila në fakt na bën njerëz. Tjetra është amigdala, ose pjesa më e hershme e evolucionit të trurit e cila i ruan emocionet.
Mençuria në thelb është një ekuilibër midis kognicionit dhe emocionit. Ose, një ekuilibër midis egoizmit dhe sjelljes sociale. Dhe së fundi, një ekuilibër midis gjërave që janë të dobishme për ju dhe gjërave që duhet të bëni, sepse ato janë të mira për mbijetesën sociale.
A ekzistojnë strategji për plakje të suksesshme?
Ekzistojnë disa strategji kryesore të cilat nënkuptojnë plakje cilësore fizike, plakje kognitive dhe plakje psikosociale.
Plakja fizike cilësore varet kryesisht nga të ushqyerit e shëndetshëm, kufizimi i kalorive dhe rritja e aktiviteteve fizike. Edhe njerëzit në karrige me rrota mund të jenë dhe duhet të jenë fizikisht aktivë.
Strategjia e dytë më e rëndësishme është mbajtja e trurit aktiv. Bëni diçka që është deri diku sfiduese për ju, por jo shumë stresuese.
Mos harroni socializimin, një shkallë të përshtatshme shoqërimi e cila nuk do t’ju lodhë. Më pas vjen qëndrimi dhe sjellja pozitive, rezistenca, optimizmi, dhembshuria, bërja e gjërave për të tjerët, aktivitetet vullnetare.
Të gjitha këto strategji i japin qëllim jetës, dhe kjo do t’ju bëjë më të lumtur.
Por, nëse stresi mbizotëron në jetën tuaj, atëherë ndërmerrni një aktivitet konkret për ta zvogëluar atë – joga ose meditimi është gjithmonë një ide e mirë.