Dama e fitnesit nuk ndryshon vetëm dukjen, ajo ndryshon edhe jetën
Kjo është historia e një gruaje të zakonshme – të jashtëzakonshme e cila nga sallat e vallëzimit dhe pritshmëritë për të punuar në profesionin e saj parësor si inxhiniere e biokimisë, transformohet në një nga figurat më me ndikim në industrinë e fitnesit.
Sot, qindra gra janë mirënjohëse ndaj kësaj zonje e cila vendosi që disiplinën, njohuritë dhe ekspertizën e saj në fushën e fitnesit dhe të ushqyerit, t’i ndajë me to çdo ditë. Në krah ka edhe bashkëshortin e saj Atanas, me të cilin ndan profesionin, por edhe jetën private të përmbushur me dy fëmijë, shumë shëtitje në mal dhe thjeshtësi në të jetuar, që pak a shumë të gjithëve na mungon.
Si e filluat udhëtimin tuaj të fitnesit?
Unë jam gjithë jetën me folklorin, por kur e ndërpreva, më duhej diçka që të më mbajë aktive dhe të disiplinuar, sepse kështu jam rritur. Gjatë studimeve të mia në kimi fillova të ushtroj aerobi, trajnimi më mbante të fokusuar për të përfunduar një fakultet kaq të vështirë. U dashurova me stërvitjet në grup, energjinë e njerëzve, komunitetin që po ndërtohet. Sapo u diplomova, u punësova, por punoja vetëm që të kem para për t’u regjistruar në Beograd dhe për t’u kualifikuar si trajnere në fakultetin e tyre. Ishte një periudhë shumë e vështirë, por vendosa që ta bëj! Lehtësisht hoqa dorë nga shkenca, sepse këtu në Maqedoni nuk kishte asgjë që do të më motivonte të vazhdoja të punoja në atë fushë. Dhe kështu, me një synim dhe plan, arrita të edukohem dhe ngadalë, por me siguri, të bëj punën që po e jetoj sot. As unë dhe as familja ime nuk e kishim menduar që fitnesi do të bëhej profesioni im. Gjithmonë kam qenë pas shkencave natyrore dhe të gjithë më shihnin si pjesë e një laboratori. Me përpjekje, qëllim dhe ide të qarta, e arrita atë që e imagjinoja dhe e doja.
Nëse shikoni pas, a jeni krenare për veten tuaj – profesionalisht dhe privatisht?
Pa modesti jam e lumtur për gjithçka deri tani, mirënjohëse për familjen, fëmijët, bashkëshortin. Aktualisht kemi një “ushtri” ushtruesish që na kanë dhënë besimin e tyre dhe kjo më bën krenare, të lumtur, por edhe të motivuar për të mësuar gjëra të reja, të përparoj dhe t’i zbatoj në punë. Ndonjëherë më duket sikur jam në një kuti, punoj shumë dhe nuk më kujtohet të dal prej andej dhe të krahasoj se si ka qenë 13 vjet më parë dhe tani. Por kur ndodh kjo, shihet se ka një progres dhe ndryshim të madh falë secilit që na ka dhënë besimin.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni si trajnere fitnesi?
Sfidat janë të shumta, çdo ditë. Nga njerëz me ego të madhe që vijnë për të stërvitur, por nuk lejojnë t’u thuash asgjë, pavarësisht që më kanë zgjedhur mua si trajnere, e deri te sfidat serioze si puna me njerëz të lënduar dhe me probleme të cilëve dua t’u ndihmoj pa rezerva. Por në gjithë atë sërë sfidash, do të veçoja periudhën e shtatzënisë dhe periudhën e paslindjes, kur je i vetëdijshëm që duhet të funksionosh njëlloj, se puna varet nga ty, se kjo punë nuk ka të drejtë prej 9 muaj pushimi të lindjes. Nuk është e lehtë të mos paraqitesh në palestër për një vit, prandaj e pranon atë si një sfidë për të cilën gjen zgjidhje, pa marrë parasysh se sa e vështirë apo e pamundur është.
Si e motivoni veten dhe si i motivoni ata që duan të heqin dorë?
Aktualisht po jetoj një periudhë në të cilën kam fëmijë të vegjël dhe shumë detyrime që lidhen me karrierën dhe punën time. Realisht, kjo periudhë për mua është shumë e ngarkuar dhe mjaft e vështirë, përpiqem të gjej një ekuilibër dhe ta jetoj ditën me vetëdije. Nuk lejoj aq lehtë që puna të më tërheqë dhe mos të shijoj momentet e rëndësishme, si një drekë me familjen dhe koha e kaluar me ta. Prandaj, mund të them që nuk jam aq e motivuar për gjërat, por jam tepër e disiplinuar dhe u shkoj punëve deri në fund, pothuajse kurrë nuk dorëzohem. Kur bëhet fjalë për motivimin e të tjerëve, atëherë kjo tashmë është pjesë e punës sime, ata prandaj vijnë dhe e presin këtë nga unë. Nuk gënjej askënd dhe nuk i jap shpresa të rreme për diçka që duan të arrijnë. Përpiqem të përfshij stërvitjen, ushqimin, gjumin dhe kujdesin për veten si pjesë të përditshmërisë, diçka që nuk do ta kenë detyrim, por mënyrë jetese.
A e perceptoni dorëzimin e dikujt nga grupi si një dështim personal?
Kur nuk e kisha përvojën e mjaftueshme, më vinte shumë keq, nuk e kuptoja. Tani nuk është aspak ashtu, është normale që dikush të dëshirojë të ndryshojë edhe pa një arsye të keqe. Ndonjëherë edhe unë u them që nuk janë për te unë/ne, dhe u jap rekomandim për kolegët e mi. Shumë rrallë ndodh që të kenë pakënaqësi dhe kjo është në rregull, nuk mund të na pëlqejë gjithçka në një sistem funksionimi. Prandaj, është në rregull që dikush të heqë dorë dhe të mos e humbasë kohën e tij diku ku nuk ndjehet rehat. Nuk e marr atë personalisht, përderisa e di që nuk kam bërë asgjë të keqe, por si një pjesë normale të punës.
Nëse ka ndonjë anëtar në ekipin tuaj i cili dallohet, si e zgjidhni atë problem?
Ne bëjmë trajnime në grup, por kemi një qasje individuale. Kjo do të thotë që nuk duhet të ushtrojnë të gjithë njëlloj, e kështu dikush të dëshpërohet gjatë orës . Trajnimi është i programuar në mënyrë që të mund të praktikohet nga një ushtrues i avancuar por edhe nga një fillestar. Secili merr detyrën e tij, njerëzit nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin, as nuk ushtrojnë me numërim. Gjithçka është individuale, kurse detyra jonë është që të ndihmojmë, të korrigjojmë, të ndjekim se si realizohen ushtrimet, të japim ushtrime zëvendësuese nëse është e nevojshme dhe t’i motivojmë që të japin maksimumin nga vetja.
Si arrini që të jeni në rrjedha me tendencat e fitnesit dhe ushqimit?
Para koronës kjo bëhej me anë të udhëtimeve jashtë vendit, ndjekja e seminareve, kurseve. Në disa prej tyre kemi mësuar, në disa të tjera jo aq shumë, por duhet të shkohet dhe të ndiqen. Por, kjo ka të bëjë me tendencat e ushtrimeve. Pas koronës, edukimi nga ana e universiteteve të ndryshme u bë shumë më i arritshëm, kështu që tani është më e lehtë për të mësuar, e nga mësimi dhe njohuritë e reja kurrë nuk është mjaftueshëm. Kështu që thjesht kërkojmë, shkruajmë, japim provime, lexojmë dhe atë që mendojmë se është e mundur, e aplikojmë në punën tonë. Është fat që me bashkëshortin e bëjmë të njëjtën punë, kështu që e plotësojmë njëri-tjetrin.
Çfarë këshille keni për femrat që aspirojnë të bëhen trajnere?
Unë i mbështes maksimalisht. Ky është një profesion që është në rritje të vazhdueshme dhe do të ketë nevojë gjithnjë e më shumë për trajnerë. Është mirë dhe e rregullt që të shkollohen, të dinë saktësisht se çfarë do të punojnë dhe të fokusohen në të. Duhet të kuptojnë se kjo është një punë e përgjegjshme, sepse dikush ju beson shëndetin e vet, dhe duhet të sillen me përgjegjësi. Ka vende ku të shkollohen, e ndërkohë mund të krijojnë përvojë duke punuar për një trajner dhe më pas të shijojnë këtë punë të mrekullueshme.
Në rrjetet sociale keni nxitur një ndryshim të bukur për një jetë të shëndetshme, por a ekziston rreziku nga ndarja e këshillave jo të plota dhe joprofesionale?
Si për çdo fushë, pra edhe për këtë, rrjetet sociale janë të hapura për të gjithë, secili mund të shkruajë çdo gjë. Ju përket juve që të filtroni nga kush merrni informacionin, nuk duhet të bëhen shumë kërkime, por nga ana tjetër nuk mund t’i besohet dhe të aplikohet çdo video vetëm sepse është virale në atë moment. Është më mirë të konsultoheni me një trajner/nutricionist nëse nuk jeni të informuar, por nëse jeni gjatë në histori, mund të mësoni shumë gjëra duke lexuar dhe hulumtuar. Do të theksoj sërish, si për çdo gjë, na prezantohen informacione të llojllojshme, në fund jemi ne që vendosim se kujt t’i besojmë. Bëni kujdes, megjithatë bëhet fjalë për shëndetin tuaj, jo vetëm me pamjen tuaj.
Njerëzit fshihen pas justifikimeve të ndryshme për të mos ushtruar, vetëm disa janë të sinqertë kur bëhet fjalë për pengesë psikike. A jeni përballur deri tani me raste të tilla?
Justifikime ka gjithmonë dhe atë lloj-lloj, për këto 14-15 vite kam dëgjuar gjithçka dhe i jap kuptim pothuajse çdo gjëje, sepse nuk e dimë se çfarë po kalon një person derisa t’i japim një mundësi të hapet dhe fitojë besimin tonë. Natyrisht, ka edhe justifikime të palogjikshme, madje edhe nga ato që e kam të vështirë të gjej një mënyrë për të ndihmuar. Në fillim ushtruesit nuk flasin me mua nëse kanë probleme psikike, normalisht nuk jam eksperte për këtë, por pas 4 trajnimesh vijnë më thonë që ndihen mirë, të relaksuar, se kanë kaluar një periudhë të vështirë, se ushtrimet u ndihmojnë shumë dhe se unë, pa e ditur, u kam ndihmuar shumë. Kështu marr informacionin se ata po përballen me një gjendje të caktuar psikike. Raste të tilla më kanë vërtetuar ndër vite se aktiviteti fizik ndihmon për një shëndet mendor më të mirë.
A janë programet tuaja të orientuara në menaxhimin e stresit?
Nuk kam një program të veçantë për këtë, por e gjithë struktura e trajnimeve grupore është krijuar për të funksionuar si një sistem për përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm, duke përfshirë edhe shëndetin mendor. Më saktësisht: Vini rregullisht në stërvitje, në një kohë të caktuar, e me këtë punoni në disiplinën tuaj; atje ka njerëz me të cilët tashmë ushtroni për një kohë të gjatë, ai është komuniteti juaj, vendi juaj i sigurt ku bëni diçka të mirë për veten tuaj, e harxhoni kohën për një shëndet më të mirë; pra keni edhe shoqëri pas stërvitjes, nuk e përmenda as stërvitjen për të cilën keni ardhur në fakt dhe trajnerin i cili kujdeset që të ndjeheni mirë. Pra, ky është një vend ku trupi në mënyrë të pavetëdijshme çlirohet nga stresi i akumuluar gjatë ditës.
Çfarë predispozitash duhet të ketë një trajner fitnesi për të qenë i kompletuar?
Unë nuk jam personi që mund të them se çfarë predispozitash duhet të ketë një trajner. Por, meqë ne kemi më shumë palestra dhe trajnerë, mund të them se çfarë është e rëndësishme për mua kur zgjedh një trajner: njohuria, por edhe aftësia për ta përcjellë atë (jo çdo trajner i mirë di ta përcjellë atë tek ushtruesit), marrëdhënia me njerëzit, mënyra e komunikimit, energjia që duhet të transmetohet, dashuria për punën. Në fund të ditës, secili vjen këtu për t’u ndjerë mirë dhe imagjinoni të kenë trajner që as nuk do ta pyesë se si është, nuk do t’i buzëqeshë ose nuk do ta kuptojë se një nënë ka pasur një ditë të vështirë dhe se nuk duhet ta detyrojë, atëherë edhe trajneri më i pashëm me 2 fakultete do të ishte kot.
Balancimi mes mëmësisë dhe karrierës është sfidë, a ju mbetet kohë për veten?
Është e vështirë, siç përmenda edhe më lart. Por nuk është e pamundur. Jeta ime në fshat më mësoi disiplinën dhe këmbënguljen që në moshë të vogël, madje kjo tashmë është një kënaqësi për mua. Unë doja të kem fëmijë, e dija që do të ndodhte në kulmin e karrierës sime, por ata nuk janë pengesë për mua, por arsye për të qenë kjo që jam tani. Kam kohë për veten time, jam e organizuar mirë dhe nuk dua të ankohem, por të gjej një mënyrë që ta kem edhe më të lehtë. Ka ditë kur nuk kam dëshirë të bëj asgjë, kjo është shumë në rregull, kështu që di ta kaloj ditën, pa bërë as drekë. Është e vështirë të ruhet balanca, por këtu qëndron suksesi. Të mos harrojmë se një stërvitje në ditë na ndihmon të përballojmë të gjitha sfidat që kemi në të.
Me bashkëshortin e ndani hapësirën e punës, a ka kjo më shumë përparësi apo mangësi?
E vërtetë, me bashkëshortin ndajmë të njëjtën punë, por ne e donim këtë dhe funksionojmë shumë mirë. Te ne, në punën tonë, ka më shumë përparësi. Për shembull, nëse sot kemi fëmijë të sëmurë, njëri qëndron në shtëpi kurse tjetri është në punë. Mësojmë bashkë dhe plotësojmë njëri-tjetrin, kështu kursejmë shumë kohë, jetojmë të njëjtin stil jetese, që është më e lehtë t’ua përcjellë fëmijëve. Besoj se jo çdo profesion e lejon këtë, ky është një shembull i përvojës sime personale dhe nuk do të thotë se është kështu edhe te të tjerët.