Bronkiti dhe pneumonia janë gjendje të frymëmarrjes që kanë simptoma të ngjashme dhe ndonjëherë është e vështirë për t’i dalluar.
Pneumonia përfshin infeksion dhe inflamacion në qeset e ajrit të mushkërive, ndërsa bronkiti prek tubat bronkial që transportojnë ajrin deri në mushkëri.
Pneumonia shpesh shkaktohet nga infeksionet bakteriale, virusore ose kërpudhore, ndërsa bronkiti shpesh aktivizohet nga infeksionet virusore ose ngacmues të jashtëm si tymi i cigares ose ajri i ndotur.
Pneumonia mund të ndryshojë nga e lehtë në të rëndë, me potencial për shtrim në spital, ndërsa bronkiti është zakonisht pak më i lehtë dhe ka tendecë të shërohet vetë në afat prej disa javësh.
Mbani mend!
Bronkiti dhe pneumonia janë infeksione serioze të frymëmarrjes që shkaktojnë simptoma të pakëndshme dhe komplikime potencialisht serioze. Kuptimi i shkaqeve të shfaqjes së tyre, njohja e simptomave dhe marrja e masave parandaluese për mbrojtje, janë thelbësore për menaxhimin efektiv të këtyre gjendjeve, të cilat janë veçanërisht aktuale në dimër.
Bronkiti
Shkaqet, simptomat, trajtimi
Bronkiti është një gjendje mjaft e përhapur e frymëmarrjes e cila çdo vit prek miliona njerëz në mbarë botën. Kjo sëmundje në fakt nënkupton inflamacion të tubave bronkial, ose rrugëve ajrore që transportojnë ajrin në dhe nga mushkëritë. Bronkiti shkakton parehati, kollë të vazhdueshme dhe frymëmarrje të vështirësuar. Sa më mirë ta kuptoni këtë gjendje, aq më lehtë do të kontrolloni simptomat e saj dhe të kërkoni në kohë trajtimin e duhur mjekësor.
Llojet e bronkitit
1. Bronkiti akut
Bronkiti akut është një inflamacion i përkohshëm i tubave bronkial, i shkaktuar zakonisht nga infeksione virusore, siç janë virusi i gripit ose rinovirusi (i cili shkakton ftohjen e zakonshme). Shpesh vjen pas një ftohjeje ose gripi dhe zakonisht zgjat disa javë. Edhe pse i pakëndshëm, bronkiti akut zakonisht nuk është i rëndë dhe mund të trajtohet në kushte shtëpiake, pa mbikëqyrje mjekësore.
2. Bronkiti kronik
Bronkiti kronik është një gjendje më serioze që karakterizohet nga inflamacioni afatgjatë i tubave bronkial. Shpesh shoqërohet me ekspozim të vazhdueshëm ndaj ngacmuesve si tymi i cigares, ajri i ndotur ose faktorë të tjerë mjedisorë. Bronkiti kronik konsiderohet një lloj i sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (COPD) dhe mund të rezultojë në komplikime më serioze nëse nuk mjekohet.
Shkaqet e paraqitjes së sëmundjes
- Infeksionet virusore Shkaku më i zakonshëm i bronkitit akut janë infeksionet virusore, të cilat shpesh vijnë nga të njëjtat viruse që shkaktojnë ftohjen dhe gripin.
- Infeksionet bakteriale Edhe pse janë më të rralla, infeksionet bakteriale gjithashtu mund të shkaktojnë edhe bronkit.
- Faktorët mjedisorë Bronkiti kronik shoqërohet shpesh me ekspozimin afatgjatë ndaj ngacmuesve si tymi i cigares, ajri i ndotur ose kimikatet në vendin e punës.
Simptomat
Simptomat e bronkitit mund të ndryshojnë në varësi të llojit dhe ashpërsisë së gjendjes.
Kollë e vazhdueshme Simptoma kryesore e bronkitit akut dhe kronik është kolla e vazhdueshme e cila mund të prodhojë sekrecion të pastër, të verdhë ose të gjelbër.
Frymëmarrje e shkurtër dhe e vështirësuar Individët me bronkit mund të përjetojnë vështirësi gjatë frymëmarrjes, të shoqëruar me frymëmarrje të rënduar ose ndjenjë shtrëngimi në kraharor.
Lodhje dhe ethe të lehta Ndjenja e lodhjes dhe ethet e lehta herë pas here, janë gjithashtu simptoma të zakonshme.
Diagnoza
Nëse ekziston dyshimi për bronkit, është e nevojshme të kërkoni ndihmë mjekësore. Sipas të gjitha gjasave, mjeku do të kryejë një ekzaminim fizik dhe mund të rekomandojë analiza plotësuese, të tilla si radiografi të kraharorit ose analizën e pështymës (sekrecionit), për të vërtetuar shkakun e bronkitit.
Trajtimi
Për bronkitin akut, trajtimi fokusohet kryesisht në lehtësimin e simptomave. Kjo mund të përfshijë pushim, hidratim dhe ilaçe pa recetë për të lehtësuar shqetësimin.
Trajtimi i bronkitit kronik përfshin ndryshime në stilin e jetës, si lënia e duhanit, shmangia e ngacmuesve dhe përdorimi i barnave të tilla si bronkodilatorët ose steroidet për të hapur rrugët e frymëmarrjes dhe për të reduktuar inflamacionin.
Parandalimi
Parandalimi i bronkitit përfshin zbatimin e zakoneve të shëndetshme dhe minimizimin e ekspozimit ndaj ngacmuesve të mundshëm.
Higjiena e mirë Praktikimi i higjenës së duhur të duarve dhe shmangia e kontaktit të afërt me personat e sëmurë mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së viruseve që shkaktojnë bronkit.
Shmangia e ngacmuesve Minimizoni ekspozimin ndaj tymit të duhanit, ndotësve të ajrit dhe ngacmuesve të tjerë të frymëmarrjes.
Imunizimi Vaksinimi kundër gripit mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e infeksioneve virusore që shpesh sjellin bronkit.
Kur të kërkoni ndihmë mjekësore?
Ndërsa shumica e rasteve të bronkitit kalojnë pa komplikime, disa simptoma të caktuara kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore:
- Frymëmarrje e rëndë dhe e vështirësuar që bëhet gjithnjë e më serioze.
- Dhimbje e vazhdueshme ose presion në kraharor.
- Temperaturë e lartë e trupit (mbi 38°C) e shoqëruar me ethe.
Pneumonia
Shkaqet, simptomat, trajtimi
Pneumonia është një infeksion i shpeshtë i frymëmarrjes që prek individët e të gjitha moshave në mbarë botën. Shfaqet kur qeset e ajrit në mushkëri inflamohen dhe mbushen me lëng ose qelb, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, kollë dhe shqetësime të tjera. Të kuptuarit e shkaqeve, simptomave dhe trajtimeve të disponueshme për pneumoninë është e një rëndësie thelbësore për kontrollin efektiv dhe shërimin nga kjo sëmundje.
Llojet e pneumonisë
1. Pneumonia e fituar nga komuniteti
Ky është lloji më i zakonshëm i pneumonisë dhe merret jashtë ambienteve të institucioneve shëndetësore. Mund të shkaktohet nga baktere, viruse dhe kërpudha të ndryshme.
2. Pneumonia spitalore (nozokomiale)
Paraqitet gjatë qëndrimit në spital ose vizitave të kujdesit shëndetësor. Ka tendencë të jetë më e rëndë dhe mund të shkaktohet nga bakteret që janë rezistente ndaj antibiotikëve.
3. Pneumonia virusore
Shkaktohet nga viruse të ndryshme, duke përfshirë virusin e gripit, virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), koronavirusin (COVID-19) dhe të tjerë. Pneumonia virusore mund të ndryshojë nga e lehtë në të rëndë.
Shkaqet e pneumonisë
Infeksionet bakteriale Bakteret si Streptococcus pneumoniae janë shkaktarët e zakonshëm të pneumonisë.
Infeksionet virusore Gripi, RSV dhe koronavirusi janë ndër viruset që mund të shkaktojnë pneumoni.
Infeksionet kërpudhore Disa kërpudha, të tilla si Pneumocystis jirovecii, mund të shkaktojnë pneumoni, veçanërisht te personat me sistem imunitar të dobësuar.
Aspirimi Thithja e ushqimit, lëngjeve ose të vjellave në mushkëri mund të shkaktojë një lloj pneumonie të njohur si pneumoni aspiruese.
Si transmetohet?
Mikroorganizmat patogjene mund të depërtojnë deri në mushkëri përmes:
Futjes së mikroorganizmave nga orofaringu. Aspirimi i patogjenëve pulmonar është mekanizmi më i zakonshëm për paraqitjen e pneumonisë.
Thithjes së aerosoleve infektive. Këto janë grimca më të vogla se 3-5 mikron që përmbajnë mikrobe. Këto aerosole infektive janë shumë të vogla, prandaj mund të depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes dhe të shkaktojnë infeksion. Vetëm një grimcë infektive mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar inflamacion.
Transmetimit të infeksionit nëpërmjet gjakut. Shpërndarja e mikroorganizmave patogjenë në mushkëri përmes gjakut më së shpeshti ndodh te personat e varur nga droga, pacientët me kateter venoz, pacientët me endokardit.
Marrjes së infeksionit nga plagët e shpuarjes në mushkëri ose gjatë ndërhyrjeve të caktuara mjekësore. Ndërhyrjet mjekësore si intubimi trakeal dhe lëndimet traumatike të mushkërive mund të jenë shkak për zhvillimin e pneumonisë.
Përhapjes së infeksionit nga indet përreth. Nëse ekziston një vatër inflamacioni të organeve dhe strukturave organike anatomikisht pranë mushkërive, mund të ndodhë transmetimi i drejtpërdrejtë i infeksionit dhe të zhvillohet pneumonia.
Simptomat
Simptomat mund të ndryshojnë në varësi të shkakut, moshës dhe shëndetit të përgjithshëm të individit, por shenjat e zakonshme përfshijnë:
- Kollë Shpesh prodhon sekrecion të gjelbër, të verdhë ose të përgjakur.
- Ethe Temperatura e lartë e shoqëruar me djersitje ose ethe.
- Frymëmarrje të shpeshta Vështirësi në frymëmarrje, veçanërisht gjatë kryerjes së aktiviteteve të përditshme.
- Dhimbje në kraharor Dhimbje e mprehtë ose therëse në kraharor, e përkeqësuar nga kollitja ose frymëmarrja e thellë.
- Lodhje Ndjenjë e lodhjes ose dobësisë së pazakontë.
Diagnoza
Kërkimi i këshillës mjekësore është me rëndësi thelbësore nëse ekziston dyshimi për pneumoni. Mjeku mund të kryejë teste të ndryshme, duke përfshirë:
- Ekzaminimin fizik Vlerësimi i simptomave dhe dëgjimi i mushkërive me ndihmën e një stetoskopi.
- Radiografia e kraharorit Për të parë se sa janë pushtuar mushkëritë dhe a ka lëngje në to.
- Analiza e gjakut Për të kontrolluar praninë e infeksionit dhe për të përcaktuar shkakun specifik.
Trajtimi
Antibiotikë ose barna antivirusore Të përshkruara për trajtimin e pneumonisë bakteriale ose virusore, përkatësisht.
Trajtimi në shtëpi Shumë pushim, lëngje dhe barna OTC për dhimbjen dhe për të ulur temperaturën e lartë trupore.
Shtrimi në spital Rastet e rënda ose personat me gjendje shëndetësore kronike mund të kërkojnë shtrimin në spital për antibiotikë intravenozë dhe terapi me oksigjen.
Parandalimi
Parandalimi i pneumonisë përfshin disa masa:
Vaksinimi Vaksinimi kundër gripit dhe sëmundjeve të tjera të cilat mund të parandalohen, mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e pneumonisë.
Higjiena e mirë Praktikimi i larjes së duhur të duarve dhe shmangia e kontaktit të afërt me personat e sëmurë mund të parandalojë përhapjen e infeksioneve të frymëmarrjes.
Mënyra e shëndetshme e të jetuarit Lënia e duhanit, ruajtja e shëndetit të përgjithshëm dhe të ushqyerit e balancuar, mund të forcojë sistemin imunitar dhe të zvogëlojë rrezikun e infeksioneve.
Kur të kërkoni ndihmë mjekësore?
Disa shenja tregojnë nevojën për ndihmë urgjente mjekësore:
- Vështirësi në frymëmarrje, mbetje pa frymë ose frymëmarrje e shpeshtuar.
- Dhimbje e vazhdueshme ose presion në kraharor.
- Konfuzion ose çorientim i papritur.