Metoda numër një për kujdesin ndaj ndotjes së lartë
Kur lëkura në fytyrë duket e pajetë, shkaktari është një: poret e bllokuara me papastërti dhe toksina. Në këtë rast, lëkura është e dehidratuar, por e yndyrshme, e ashpër në prekje, kurse ngjyra e saj në gri. Zgjidhja?
Detoksifikimi!
Organizmi është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndotjes nga mjedisi i jashtëm, veçanërisht në periudhën e dimrit. Metabolizmi djeg dhe përpunon substanca të pasura me materie të dëmshme dhe toksina, të cilat duhet të eliminohen në ndonjë mënyrë. Përndryshe, të ashtuquajturat radikale të lira do të sulmojnë qelizat e shëndetshme dhe kjo nxit inflamacionin. E gjithë kjo vlen edhe për qelizat e lëkurës!
Çelësi i çdo detoksifikimi janë antioksidantët. Ata janë arma më e fortë me të cilën qelizat e lëkurës mund të luftojnë radikalet e lira. Nëse lëkura pranon çdo ditë një dozë të lartë antioksidantësh, ajo do të ndriçojë me shkëlqim të plotë.
Versioni kozmetik i detoksifikimit përfshin përdorimin e produkteve (të paktën tre) që janë të pasura me antioksidantë dhe që do të ndihmonin në shkatërrimin e radikaleve të lira. Zhbllokimi i poreve është gjithmonë një hap i zgjuar gjatë detoksifikimit, pasi poret e pastra e bëjnë më të lehtë përthithjen e përbërësve ushqyes aktiv nga kremrat ose serumet për kujdesin e lëkurës.
Ekstrakti i eukaliptit pastron thellësisht lëkurën, duke hapur poret dhe duke i dhënë asaj një shkëlqim të shëndetshëm.
Resveratroli është një tjetër antioksidant i fuqishëm që lufton grimcat e dëmshme PM në lëkurën e ndotur. Krahas produktit për pastrimin e fytyrës, rëndësi thelbësore ka kremi i natës me bazë resveratroli, sepse ndikon në lëkurë kur ajo është në gjendje rigjenerimi.
Sigurisht se ajo që konsumoni ndikon gjithashtu edhe në shëndetin e lëkurës. Mos harroni se lëkura është organi i fundit në të cilin do të arrijnë lëndët ushqyese, përfshirë edhe antioksidantët. Në rrugën drejt lëkurës, ka organe më të rëndësishme si zemra, mushkëritë, truri dhe trupi është mjaft i zgjuar për të vendosur prioritete. Prandaj, për të arritur një efekt të dukshëm nëpërmjet ushqimit, është e nevojshme të jeni këmbëngulës për një periudhë më të gjatë kohore.
Në këtë kuptim, është mirë të pini çaj jeshil çdo ditë. Analizat që bëhen për të përcaktuar efektivitetin e çajit jeshil i referohen efektit të tij ndalues në rritjen dhe zhvillimin e qelizave kancerogjene që lindin nën ndikimin e radikaleve të lira.
Një përqendrim të lartë të mineraleve dhe oligoelementëve përmban edhe glina e gjelbër, e cila ndihmon në trajtimin e një game të gjerë sëmundjesh të lëkurës si puçrrat, puprrat, ulcerat, plagët dhe prerjet. Mund ta përdorni edhe si një trajtim natyral kundër rrudhave, për të freskuar dhe pastruar thellësisht lëkurën. Mund ta konsumoni ose ta përdorni për aplikim të jashtëm.
Vitaminat A, C dhe E të pranishme në perime dhe fruta si spinaqi, lakrat jeshile, luleshtrydhet, agrumet dhe avokadot, janë të njohura për aftësinë e tyre të mbajnë lëkurën të shëndetshme dhe të freskët.
Këtu janë edhe acide yndyrore nga peshqit si salmoni, sardelet dhe toni, të cilat përmbajnë një dozë të lartë omega-3. Acidet yndyrore omega-3 kanë një efekt anti-inflamator dhe në këtë mënyrë ruajnë cilësinë e lëkurës.
Mos harroni kurrë hidratimin.
Uji është thelbësor për një lëkurë të shëndetshme, prandaj pini atë në emër të bukurisë megjithëse është ftohtë dhe nuk keni dëshirë të pini.
Megjithëse ushqimi mund të luajë një rol të rëndësishëm në detoksifikimin e lëkurës, duhet të keni parasysh se nuk ka lëndë ushqyese magjike të cilat do ta transformojnë lëkurën brenda natës. Ndoshta gjëja më e rëndësishme në pjesën e ushqimit është të jeni të kujdesshëm se çfarë NUK DUHET të hani. Ushqime të tilla si majoneza, qumështi dhe sheqeri, nxisin proceset inflamatore të lëkurës nga të cilat është e vështirë të shërohet.
Detoksifikimi përmes ushqimit dhe detoksifikimi i lëkurës nuk kanë dhe aq dallim. Skenari ideal për të mënjanuar radikalët e lirë është qasja e brendshme-jashtme. Bombardimi i trupit me antioksidantë si nëpërmjet të ushqyerit ashtu edhe përmes kozmetikës.
Duke kombinuar ushqim të shëndetshëm dhe të llojllojshëm shoqëruar me kujdesin e duhur ndaj lëkurës çon në një përmirësim të pamjes dhe shëndetit të saj.
Maskë me karbon dhe argjilë
Përbërësit:
- 1 karbon (në formë pluhuri)
- 1 e bardhë veze
- 1 lugë çaji argjilë jeshile
- disa pika vaj livande dhe rozmarine
Udhëzim për përdorim:
Në një enë të thatë përzieni karbonin me argjilën dhe të bardhën e vezës. Te përzierja shtoni pikat e vajrave esencialë, sepse ato jo vetëm që kanë erë të këndshme, por janë edhe një antiseptik i shkëlqyer.
Aplikoni maskën në fytyrë në mënyrë të barabartë, duke shmangur zonën rreth syve dhe gojës. Lëreni maskën të veprojë për 10-15 minuta derisa të thahet. Shpëlani fytyrën me ujë të vakët.
Kjo maskë është e shkëlqyer për pastrimin e thellë të poreve dhe largimin e toksinave dhe yndyrës së bllokuar. Argjila dhe karboni njihen si pastrues të thellë, ndërsa e bardha e vezës pastron dhe tërheq lëkurën.
Pas maskës, detyrimisht aplikoni një krem ushqyes për fytyrën.
Mos harroni, përpara se të aplikoni maskën e fytyrës, testoni atë në një sipërfaqe të vogël të lëkurës për të provuar tolerancën e saj ndaj përbërësve.