Zonja e mëngjesit, e cila i zgjon shikuesit me buzëqeshje
Ajo është fytyra që shumë njerëz e lidhin me kafenë e parë të mëngjesit dhe një fillim pozitiv të ditës. Për gjashtëmbëdhjetë vite me radhë, Milena Antovska Stankovska, me buzëqeshje dhe sinqeritet zgjon shikuesit e saj nga ekrani i televizionit “Kanal 5”.
Por, pas kamerave qëndron një grua me vlera të thella, qëndrime të qarta dhe zemër të ngrohtë – bashkëshorte, nënë dhe profesioniste e cila e di se jeta nuk është e përsosur, por gjithmonë e denjë për dashuri.
Në një bisedë të mbushur me sinqeritet dhe ngrohtësi, Milena flet për fillimet e saj, sfidat e punës publike, për dashurinë dhe ritualet familjare, por edhe për momentet kur ka nevojë për qetësi dhe diell që të mbushë shpirtin.
Përpara se të dilnit para kamerave, cilat ishin ëndrrat tuaja të para profesionale – a ëndërronit gjithmonë për televizionin apo jeta ju dërgoi atje rastësisht?
Që e vogël, doja të kem njerëz para meje, publik. Shijoja të gjitha shfaqjet, më pëlqente të këndoj, të vallëzoj … Televizioni si dashuri m’u shfaq gjatë ditëve studentore kur studioja gazetari, kur e dija dhe doja të isha pjesë e asaj bote.
Si ka ndryshuar roli juaj si prezantuese e emisionit të mëngjesit gjatë viteve – çfarë ju ka mësuar kjo punë për njerëzit dhe çfarë për veten tuaj?
Pyetje shumë e bukur dhe më bëtë të mendoj vërtet, sepse janë në pyetje 16 vjet para kamerës. Kjo punë më ka mësuar se njerëzit duan të dëgjohen, duan të arrijnë deri tek ata që janë në pushtet për të zgjidhur ndonjë nga problemet e tyre. Ata kërkojnë një strehë te ne, që në çdo rast do të thotë se na duan dhe na ndiejnë të afërt. Çfarë kam mësuar për veten? Mësova se jam vërtet e përkushtuar, e organizuar, e zellshme dhe profesionale në punë, por ajo për të cilën jam shumë e lumtur është se mbeta vetvetja, mësova të lidhem me të ftuarit dhe shikuesit pavarësisht se kush janë dhe çfarë bëjnë. Gjithashtu mësova se edhe kur gjërat nuk më shkojnë mirë, kam forcën të duroj gjithçka dhe ta përballoj ditën siç duhet.
Emisionet e mëngjesit kërkojnë freski dhe buzëqeshje të vazhdueshme. Si arrini të sillni energji të re dhe sinqeritet çdo ditë, edhe kur dita juaj nuk fillon në mënyrë ideale?
Pra, siç thashë më sipër, asnjëri prej nesh nuk ka ditë ideale. Ndonjëherë nuk ndihesh mirë fizikisht, shpirtërisht, fëmijët sëmuren … e kështu me radhë. Unë jam një person normal si gjithë të tjerët dhe kam sfida si gjithë të tjerët. Por, ajo që është karakteristike për profesionin tim është se shikuesi dëshiron të shohë një fytyrë të bukur, të buzëqeshur dhe të gëzuar herët në mëngjes dhe nuk i intereson shumë nëse kam fjetur mirë apo ka ndodhur diçka tjetër. Kjo është në rregull dhe e kuptoj plotësisht. Me kalimin e kohës, gjithçka mësohet dhe arrin të ngrihesh mbi çdo situatë.
A ka ndonjë të ftuar ose temë në emisionin tuaj që ju ka prekur në një mënyrë të papritur – një bisedë që e mbani mend dhe që ju ndryshoi si person?
Sigurisht që ka, ka shumë. Çdo i ftuar me pikëpamjet e tij të mëson diçka, diçka pozitive, diçka negative. Nuk e di nëse do të mund të veçoja ndonjë sepse vërtet ka shumë prej tyre, nga figura të njohura publike, deri te personat që nuk janë aq të njohur për publikun, por që ia vlen t’i kesh në jetë dhe janë një thesar i vërtetë. Unë admiroj njerëzit krijues që janë të vërtetë, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, ose le të themi shpirtra artistikë dhe të gjithë të tjerët që janë të dashuruar me atë që bëjnë. Të gjithë ata që i kanë këto karakteristika më kanë prekur në një farë mënyre dhe më kanë ndryshuar pak.

Si përballeni me presionin dhe pritshmëritë e publikut – kur njerëzit ju shohin çdo ditë, por megjithatë nuk ju njohin plotësisht?
Epo, tani as nuk merrem më, sepse e kam tejkaluar këtë çështje. Sigurisht, i gëzohem çdo komenti të mirë dhe pozitiv, ato negative me ofendime as nuk më prekin, kurse ato që janë me kritika negative, por të mbështetura, i lexoj dhe mendoj nëse kam bërë vërtet ndonjë gabim diku, që të përmirësohem.
Çfarë do t’i rekomandonit një gruaje të re që dëshiron të hyjë në media sot – nga çfarë duhet të ketë kujdes dhe çfarë duhet të ndjekë me çdo kusht?
Do t’i rekomandoja që nëse kjo është ëndrra e saj, duhet ta ndjekë. Është e rëndësishme të jetë vetvetja, të respektojë veten dhe qëndrimet e saj. Të ketë kujdes nga njerëzit e këqij dhe hipokritë dhe të mbrojë privatësinë e saj sa më shumë që të jetë e mundur. Të ndjekë me çdo kusht gjithçka që e bën të lumtur, por pa lënduar askënd dhe pa i bërë keq askujt.
Kur dikush ju shikon në ekran, çfarë do të doje të ndiente – forcë, qetësi, afërsi apo diçka krejt tjetër?
Dua që të ndiejë energjinë e bukur dhe sinqeritetin që përcjell unë.
Dihet që bashkëshorti juaj, Gordani, është mbështetja juaj më e madhe. Si e ruani ekuilibrin midis punës suaj publike dhe jetës private familjare?
Gjithçka është marrëveshje. Nëse flasim për momente familjare, bëj publike çdo gjë që ai pajtohet që të publikohet, veçanërisht kur përfshihen fëmijët. Çdo gjë tjetër që lidhet me punën, është vendimi im. Me mirëkuptim dhe organizim të mirë, mund të arrihet gjithçka.
Cilat janë ritualet tuaja të vogla familjare – gjëra që i ruani vetëm për vete, pavarësisht detyrimeve dhe dinamikës së përditshmërisë?
Epo, meqenëse e kemi përpara periudhën para Vitit të Ri, do të thoja se në nëntor dhe dhjetor na pëlqen të shikojmë së bashku filma dhe filma vizatimorë të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Keni dy vajza. Çfarë lloj nëne dëshironi që ato të kujtojnë – të rreptë, të butë apo thjesht të vërtetë?
Dua që të më kujtojnë ashtu siç jam, sepse jam njëkohësisht e butë dhe e rreptë, i përkëdhel dhe i puth, por edhe i qortoj. Do të thoja se jam gruaja dhe nëna më normale e cila nuk është ideale, por përpiqem të jem nëna më e mirë që mundem. Dua që edhe në të ardhmen të jem e para tek e cila ata do të vrapojnë për t’i thënë lajme të mira, por edhe kur diçka i trishton. Unë dhe përqafimi im të jemi për to vendi më i sigurt në botë.
Çfarë ju befason më shumë në botën e tyre dhe çfarë ju kanë mësuar ato për dashurinë dhe durimin?
Më befason çdo ditë zgjuarsia e tyre, sepse fëmijët e sotëm janë me të vërtetë diçka e veçantë. Më mësojnë për dashurinë çdo ditë dhe ajo dashuri vazhdon të rritet, e sa për durimin, për Zotin më mësojnë shumë, paçin shëndetin.

Sot, më shumë se kurrë, flitet për pranimin e trupit. A ju duhej edhe juve kohë për t’u pajtuar me disa nga “papërsosmëritë” tuaja?
Sinqerisht, unë gjithmonë kam qenë në rregull me papërsosmëritë e mia, nuk kam pasur komplekse. E kam pasur të vështirë të pranoj disa gjëra pas lindjes, veçanërisht pas lindjes së dytë me prerje cezariane, por ngadalë po përpiqem ta rikthej trupin në formën e dëshiruar.
Ku e shihni kufirin midis pamjes profesionale dhe stilit tuaj personal – sa nga Milena që shohim në ekran është e njëjtë me Milenën që shohim jashtë studios?
Ndodh shpesh që edhe jashtë studios njerëzit të më shohin ashtu siç jam në emisionin e mëngjesit, por gjithashtu shumë shpesh di të jem me një pamje ndryshe, të lirshme dhe sportive, pa grim.
Nëse do të mund t’i pëshpëritnit diçka Milenës nga e kaluara, çfarë do të ishte – “ji e guximshme”, “mos u nxito”, “qesh më shpesh”… apo?
Mos u mërzit për gjithçka dhe mos i kushto vëmendje dikujt që nuk e meriton. Ruaj shëndetin.
Nëse do të mund të mos ishit për një ditë as prezantuese, as nënë, as bashkëshorte – por vetëm Milena – si do ta kalonit atë ditë?
Varet nga stina e vitit, por përfundimisht do të isha Milena e cila rri shtrirë gjithë ditën në plazh, duke shijuar detin dhe diellin.
Kur shpirti juaj është i lodhur, cili është ilaçi juaj personal – qetësi, shëtitje, libër, bisedë…?
Shumë shpesh qëndroj e shtrirë vetëm në qetësi. Kjo më ndihmon shumë. Më pëlqen të lexoj, por kohët e fundit edhe një film i mirë mund të më çlodh.
