Bërryli i tenisit është një dëmtim i tendinave, i cili shkaktohet më shpesh nga përdorimi i tepërt i parakrahut dhe shkakton dhimbje në bërryl. Mesatarisht, bërryli i tenisit shfaqet te një deri në tre nga 100 persona midis moshës 35 dhe 54 vjeç.
Edhe pse është i dhimbshëm dhe i pakëndshëm, ekzistojnë mundësi të ndryshme për trajtim dhe për uljen e rrezikut të shfaqjes së tij.
Çfarë është bërryli i tenisit?
I njohur edhe si epikondilit lateral, është një lloj tendinopatie, që do të thotë se prek tendinat. Bëhet fjalë për një dëmtim të tendinës që lidh muskujt e parakrahut me bërrylin, duke shkaktuar dhimbje dhe inflamacion në pjesën e jashtme të bërrylit.
Bërryli i tenisit është një nga burimet më të zakonshme të dhimbjes së bërrylit dhe zakonisht shkaktohet nga tendosja e përsëritur.
Pavarësisht emrit të tij, tenisi nuk është shkaku më i zakonshëm i bërrylit të tenisit. Përkundrazi, ekspertët vlerësojnë se nëntë nga dhjetë persona e zhvillojnë këtë gjendje për arsye të tjera.
Simptomat
Simptoma kryesore është dhimbja në pjesën e jashtme të bërrylit. Ajo mund të ndryshojë nga një shqetësim i lehtë gjatë lëvizjes së krahut deri në dhimbje të vazhdueshme që ndikon në gjumë dhe aktivitete të përditshme.
Disa njerëz përjetojnë një lloj specifik të dhimbjes, që shpesh përshkruhet si një dhimbje e mprehtë ose ndjesi djegieje që shpërndahet nga bërryli drejt parakrahut dhe kyçit të dorës. Kjo është si rezultat i dëmtimeve të vogla (mikroçarjeve) në tendinë, duke bërë që të fryhet, të trashet dhe të bëhet e ndjeshme ndaj prekjeve.
Forca e kapjes (shtrëngimit) mund të dobësohet, edhe kur nuk përdoret shumë forcë.
Bërryli i tenisit mund të prekë të dy krahët, por zakonisht zhvillohet në krahun dominues që përdoret më shpesh.
Zakonisht, simptomat zhvillohen gradualisht dhe zgjasin nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Ndonjëherë gjendja mund të përsëritet.
Çfarë mund ta shkaktojë bërrylin e tenisit?
Bërryli i tenisit zhvillohet kur dëmtohen tendinat dhe muskujt në parakrah. Kjo ndodh më shpesh kur e njëjta lëvizje përsëritet vazhdimisht. Rreziku i zhvillimit të bërrylit të tenisit është më i lartë te personat që kryejnë lëvizje të përsëritura për më shumë se dy orë në ditë.
Sportet me raketë
Tenisi, skuashi, badmintoni dhe sporte të tjera me raketë janë shkaktarët më të zakonshëm të bërrylit të tenisit, veçanërisht nëse teknika nuk është e saktë ose pajisjet nuk janë të përshtatshme për lojtarin.
Edhe sportet dhe aktivitetet e tjera që kërkojnë një kapje të fortë, siç është ngritja e peshave, gjithashtu mund t’i ngarkojnë tendinat nëse nuk kryhen në mënyrën e duhur.
Aktivitetet në shtëpi
Punë të tilla si kopshtaria, lyerja e mureve, punët hidraulike dhe përdorimi i veglave (çekiç, kaçavidë) shpesh përfshijnë lëvizje të përsëritura të kyçit të dorës dhe parakrahut që mund të çojnë në tendosje të tendinave.
Disa profesione të caktuara
Punët që përfshijnë shumë shkrim në tastierë, futje të të dhënave ose ngritje dhe mbajtje objektesh (në fabrika) mund të kontribuojnë në zhvillimin e bërrylit të tenisit.
Luajtja e instrumenteve muzikore
Të luash në instrumente të caktuara, siç janë violina ose violonçeli, kërkon lëvizje të përsëritura të kyçit të dorës dhe parakrahut, gjë që rrit rrezikun e dëmtimit të tendinave.
Faktorët që e rrisin rrezikun
Përveç përdorimit të përsëritur të tendinave dhe muskujve, hulumtimet tregojnë edhe faktorë të tjerë që mund të rrisin rrezikun:
- Mosha – bërryli i tenisit është më i zakonshëm te personat e moshës 35 deri në 54 vjeç. Me kalimin e kohës, tendinat dhe muskujt humbasin elasticitetin, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj lëndimeve të lehta.
- Mbipesha – pesha e tepërt ushtron presion shtesë mbi nyjet dhe muskujt, gjë që mund të shkaktojë rritje të inflamacionit, duke përfshirë edhe zonën rreth bërrylit.
- Pirja e duhanit – pirja e duhanit ndikon negativisht në shëndetin e tendinave dhe qarkullimin e gjakut, gjë që rrit rrezikun dhe ngadalëson shërimin.
- Diabeti – njerëzit me diabet, veçanërisht nëse sheqeri në gjak nuk kontrollohet mirë, kanë rrezik më të lartë. Kjo ndodh sepse substancat e dëmshme grumbullohen në tendina, gjë që i dobëson ato.
- Një dietë e pasur me yndyra – ekzistojnë prova se një dietë e pasur me yndyra të ngopura mund të ndikojë negativisht në tendina dhe t’i bëjë ato më të ndjeshme ndaj lëndimeve.
Si trajtohet bërryli i tenisit?
Bërryli i tenisit konsiderohet një gjendje që kalon vetë. Statistikat tregojnë se te 90% e njerëzve, gjendja përmirësohet pa ndonjë trajtim të veçantë.
Nëse nuk mund të ndërprisni ndonjë aktivitet, është e dobishme të bëni përshtatje. Për shembull, kur punoni në kompjuter, përdorni një tastierë më të ngushtë dhe rregulloni karrigen tuaj në mënyrë që bërryli juaj të jetë i përkulur në kënd prej 90 gradë.
Ushtrime të tilla si përkulja dhe drejtimi i bërrylit ose lëvizja e pëllëmbës lart e poshtë fillimisht mund t’i përkeqësojnë pak simptomat, por me kalimin e kohës ato përmirësojnë lëvizjen.
Terapia me të ftohtë (për shembull, vendosja e akullit) mund të zvogëlojë përkohësisht dhimbjen. Rekomandohet vendosja e një komprese të ftohtë deri në 15 minuta, çdo tri orë, deri në katër herë në ditë.
Mbajtja e pajisjeve ndihmëse si rrip ose ortozë për bërrylin e tenisit, mund të ndihmojë në mbrojtjen e bërrylit dhe në reduktimin e dhimbjes gjatë aktiviteteve.
Fizioterapia dhe injeksionet me steroide përdoren nëse masat e mësipërme nuk kanë rezultat.
