Ivan Naumovski

Ivan Naumovski

Një zë që udhëton nëpër botë, por gjithmonë kthehet në shtëpi

Këngëtari i operës Ivan Naumovski ka lindur në Shkup, Maqedoni dhe në moshën 35 vjeç, ai tashmë ka pas vetes një karrierë që po ndërtohet në skenat evropiane. Si bas-bariton, ai përfundoi arsimin e tij me dy diploma masteri – në Universitetin e Arteve në Graz (KUG), në fushën e teatrit muzikor dhe në Universitetin prestigjioz të Muzikës dhe Arteve Skenike në Vjenë (MDW), ku u specializua në këngë artistike dhe oratori.

Udhëtimi i tij filloi në Fakultetin e Arteve Muzikore në Shkup, ku u diplomua me nderimet më të larta cum laude, për të vazhduar më pas me studime po aq të suksesshme në Austri, ku mori një diplomë masteri me vlerësime për ekselencë. Gjatë arsimimit, ai fitoi çmime në konkurse ndërkombëtare dhe punoi me disa nga emrat më të rëndësishëm në artin operistik.

Si artist, Naumovski ka performuar në skena të shumta në të gjithë Evropën dhe më gjerë – nga Austria, Gjermania dhe Franca, deri në SHBA – dhe më shumë se 200 shfaqje në salla dhe pallate prestigjioze vjeneze. Ai ka performuar në festivale të tilla si “Ohridsko leto” (“Vera e Ohrit”), “Skopsko leto” (“Vera e Shkupit”) dhe “Majski operski veçeri” (“Mbrëmjet e Operës së Majit”), si dhe ka ndarë skenën me artistë të njohur, përfshirë edhe pianistin Simon Trpçeski.

Repertori i tij përfshin role të rëndësishme operistike, nga Mozarti te Çajkovski, ndërsa për talentin dhe përkushtimin e tij ai ka fituar edhe çmimin “Virtuozët” për artistin më të mirë të ri në Maqedoni.

Sot, përveç karrierës së tij aktive ndërkombëtare, Ivan Naumovski i përcjell njohuritë e tij edhe në vendlindje – si docent në Fakultetin e Arteve Muzikore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku punon me breza të rinj këngëtarësh.

Në bisedën që vijon, ai flet hapur për skenën si një nevojë jetike, për çmimin e suksesit dhe për ndjenjën se, pavarësisht ku performon, suksesi i vërtetë matet gjithmonë në vendlindje.

Ivan Naumovski

Kur jeni në skenë – a jeni më shumë vetvetja, apo bëheni një version më i fortë dhe më i guximshëm i vetes?

Në skenë ndihem më i lehtë, ndihem superior, sikur i përkas asaj. Ndiej se po bëj diçka për të cilën jam krijuar. Mund të thuhet se në skenë jam i vërtetë, sepse në çdo moment jam i sinqertë me shprehjen dhe ngjyrën e zërit tim kur këndoj ose i tregoj diçka publikut.

Sa e vërtetë është opera dhe sa është një aktrim emocionesh? A mund të këndohet trishtimi kur nuk jeni i trishtuar?

Sigurisht. Trishtim, pafuqi, frustrim, dhimbje, të qara, lumturi… këto janë emocione që i kemi përjetuar tashmë në jetë. Nëse beson mjaftueshëm në diçka si artist dhe të tërheq ajo gjë për ta bërë, do të thotë se mund ta bësh deri në fund. Nëse teknikisht je në një nivel të lartë këndimi dhe nuk mendon për atë bazë ose teknikë para se të këndosh çdo notë, në atë moment ke lirinë të jepesh emocionalisht dhe aty del ky emocion.

A e dëgjon publiku vërtet operën apo mjafton ta ndiesh atë?

Opera është një ritual i bukur për t’u vizituar, para së gjithash. Mund të jetë një “date night” i këndshëm, mund të jetë edhe një përvojë e re. Opera është aktrim, skenë, muzikë madhështore dhe fantastike, zëra të mrekullueshëm dhe sigurisht në të gjitha ato nuanca të artit njeriu mund të humbasë nga realiteti për një moment dhe ta përjetojë veten si pjesë e personazheve në skenë.

Cili është çmimi që askush nuk e sheh pas një performance perfekte?

Sakrifica. Është një sakrificë e madhe. Provat janë shumë intensive dhe duhet të kesh kujdes se sa jep emocionalisht dhe fizikisht nga vetja. Sa e shpenzon zërin, kur e shpenzon, cilëve nga njerëzit dhe detyrimet u kushton kohë. Duhet të jesh menazhues për energjinë tënde në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk duhet të sëmuresh aspak, duhet të jesh gjithmonë në formë dhe më e rëndësishmja, të jesh në gjendje të përballosh presionin. Ua heq kapelën njerëzve që e bëjnë këtë gjithë jetën. Derisa nuk e përjeton vetë, nuk mund ta kuptosh atë peshë.

A keni dashur ndonjëherë të hiqni dorë – dhe çfarë ju ka mbajtur?

Vetëm si një mendim i çastit që lind nga ndonjë frustrim. Përndryshe, thellë brenda vetes e dija se nuk do të mund të jetoja pa skenën. Pra… skena është ajo e cila më ka mbajtur, si dhe ai presion i këndshëm që më pëlqen ta ndiej para një performance.

A ka ndonjë rol që ende ju shkakton frikë, sikur të ishte hera juaj e parë në skenë?

Realisht, çdo rol dhe çdo koncert është një përgjegjësi e madhe. Absolutisht çdo gjë duhet të jetë perfekte dhe të ushtrohet mirë paraprakisht, në mënyrë që të mos ketë mundësi improvizimi. Rolet më të mëdha dhe kryesore janë gjithmonë një përparësi dhe presion që shkakton atë frikë pozitive.

Ivan Naumovski

Çfarë kanë skenat e mëdha botërore që nuk e kanë ato vendase – dhe çfarë ka publiku vendas që nuk e ka ai jashtë?

Skenat e mëdha kanë kulturë, vazhdimësi shekullore dhe sigurisht… shumë mjete financiare. Publiku vendas ka një energji të bukur dhe të ngrohtë. Ndoshta e them këtë edhe sepse është publiku ynë maqedonas.

Nëse nuk do të këndonit operë, çfarë do të ishit?

Këngëtar… por jo i operës.

Cilin artist ose zhanër nuk do ta priste askush që ju pëlqen?

Tom Xhons, Bon Xhovi, Net King Koll. Di të befasoj edhe me grupe rok dhe metal. Unë dëgjoj çdo lloj muzike. Muzikë popullore, turke, greke, nga vitet ’50, ’60, soul, klasike… gjithçka pa përjashtim .

Si docent, çfarë përpiqeni t’u përcillni studentëve që nuk mund të mësohet nga notat?

Etikën e punës dhe faktin që koha kalon shumë shpejt dhe nuk pret askënd. Jeta është një luftë dhe ne duhet ta kuptojmë si të tillë.

Ku mund t’ju takojnë zakonisht kur nuk jeni në skenë?

Kohët e fundit kam qenë në skenë gjatë gjithë kohës. Por, le të themi në Fakultet me studentët, në palestër ose me shoqërinë në ndonjë lokal.

Çfarë mendon për famën e shpejtë në rrjetet sociale?

Nëse një person mund ta përballojë, pse jo. Vetëm se kanë një problemi të madh, nëse rrjetet sociale mund të të ngrenë lart, ato gjithashtu kanë fuqinë të të ulin poshtë.

A preferoni më shumë një mbrëmje të qetë apo një jetë nate me ritëm të shpejtë?

Një mbrëmje të qetë vetëm pas një dite jashtëzakonisht të gjatë me detyrime, përndryshe në shumicën e rasteve një jetë nate me ritëm të shpejtë.

Cili vend (qytet/bar/rrugë) ju frymëzon më shumë dhe ju rimbush bateritë?

Kam jetuar në Austri për 10 vjet. 3 në Graz dhe 7 në Vjenë. Kam udhëtuar nëpër shumë vende, kam parë qytete, fshatra dhe peizazhe që as nuk e kisha menduar se mund të ekzistonin dhe se do t’i vizitoja ndonjëherë. Kam kënduar para mijëra njerëzve në Berlin dhe para mijëra njerëzve në Shkup. Vendi më frymëzues në jetën time është çdo qytet dhe fshat në Maqedoni. Por, më duhej të kaloja një të tretën e jetës sime jashtë vendit për ta kuptuar këtë.

Cilën fjali do të donit të lini pas jush, si këngëtar dhe si person?

Limits like fears are often just an illusion (Kufizimet, si frikërat shpesh janë thjesht një iluzion).