Jeta ndonjëherë na çon në një fazë kur tavolina e ngrënies është më e qetë – fëmijët janë larguar, partneri nuk është pranë, kurse vaktet bëhen një zakon pa shumë gëzim. Për shumë pensionistë, gatimi për një person nuk është vetëm një sfidë praktike, por edhe emocionale.
“Për kë të gatuaj?” – është një pyetje që bëhet shpesh.
Por, e vërteta është se pikërisht në këto momente kujdesi për veten bëhet më i rëndësishëm, ndërsa ushqimi, një nga mënyrat më të thjeshta për t’ia dhënë vetes atë kujdes.
Me disa ndryshime të vogla, gatimi mund të bëhet përsëri i lehtë, ekonomik dhe një kohë e këndshme e kaluar në kuzhinë.
Gatuani me zgjuarsi, jo shumë sasi
Në vend që të filloni nga e para çdo ditë, përgatitni një vakt të thjeshtë që mund të zgjasë dy ose tri ditë. Për shembull, një tenxhere me supë, fasule të ziera ose një çorbë me perime.
Një ditë mund ta hani si pjatë kryesore, ditën tjetër si pjatë anësore dhe ditën e tretë ta shoqëroni me diçka të re. Kjo kursen kohë dhe energji – diçka që bëhet gjithnjë e më e rëndësishme me kalimin e viteve.
Ngrirësi – aleati juaj
Kur gatuani më shumë, nuk është e domosdoshme që të hani menjëherë gjithçka. Ndani ushqimin në racione më të vogla dhe ngrini një pjesë të tij.
Në këtë mënyrë, gjithmonë do të keni në dispozicion një vakt të gatuar në shtëpi, edhe në ditët kur nuk keni dëshirë të gatuani ose nuk keni energji.
Perimet e ngrira janë gjithashtu një zgjedhje e shkëlqyer – ato janë të pastruara tashmë, të përgatitura dhe mund të përdorni saktësisht aq sa ju nevojitet.
Blini me masë
Paketimet e mëdha shpesh duken më të lira, por nëse një pjesë e ushqimit prishet, kjo është humbje.
Kur është e mundur, blini sasi më të vogla ose produkte me masë. Është më mirë të blini ushqime të freskëta më shpesh, sesa t’i hidhni ato.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mishin, djathin dhe produktet e freskëta.
Kini zgjidhje rezervë
Mbani gjithmonë në kuzhinë disa ushqime bazë që janë të lehta për t’u kombinuar – oriz, makarona, vezë, fasule të konservuara ose ton.
Në ditët kur nuk keni dëshirë të gatuani, pikërisht ato mund t’ju ndihmojnë të përgatitni një vakt të shpejtë dhe ushqyes pa shumë mundim.
Jo çdo gjë duhet të përgatitet nga e para
Sot, ekzistojnë shumë produkte gjysmë të gatshme ose të prera paraprakisht që mund ta lahtësojnë punën tuaj – perime të pastruara, sallata, supa të gatshme që thjesht duhen ngrohur, madje edhe vakte të gatshme sipas peshës. Kjo është një mënyrë e zgjuar për të kursyer energji, veçanërisht në ditët kur nuk keni dëshirë të bëni asgjë.
Bëni vaktin tuaj një ritual të vogël
Kur hamë vetëm, shpesh hamë shpejt, pa vëmendje, madje edhe duke qëndruar në këmbë në kuzhinë. Por, vakti mund dhe duhet të jetë një moment për veten.
Shtroni tryezën bukur, uluni qetë, lëshoni një muzikë të lehtë ose televizorin. Edhe pjata më e thjeshtë do të ketë një shije ndryshe kur do t’i kushtoni vëmendje.
Hani rregullisht – edhe kur nuk keni dëshirë të hani
Me kalimin e viteve, oreksi mund të zvogëlohet. Por, ushqyerja e rregullt është çelësi i energjisë, imunitetit dhe shëndetit të përgjithshëm.
Edhe nëse kjo do të thotë të hani vakte më të vogla dhe më të shpeshta – është e rëndësishme që trupi juaj të marrë atë që i nevojitet.
Kujdesi për veten nuk është luks
Gatimi për një person nuk do të thotë duhet të jetë pa vlerë ose thjesht sa për të ngrënë diçka. Përkundrazi, është një mundësi e përditshme për të treguar ndaj vetes vëmendje dhe respekt.
Prandaj, herën tjetër kur të pyesni veten nëse ia vlen të gatuani “vetëm për vete”, mbani mend: ju jeni arsye e mjaftueshme.
