Ideja e larjes së flokëve më rrallë mund të duket kontradiktore në shikim të parë. Jemi rritur me këshilla për të bërë dush rregullisht, për të pastruar mirë fytyrën dhe për të ruajtur higjienë të lartë, kështu që ideja e lënies së flokëve të palara për disa ditë tingëllon e çuditshme për shumë njerëz.
Megjithatë, koncepti i larjes së flokëve siç e njohim sot është relativisht i ri. Shampoja, në formën e saj moderne, nuk ekzistonte deri në fillim të shekullit të 20-të. Përpara kësaj, njerëzit thjesht i lanin flokët me ujë, duke shtuar vajra esencialë dhe bimë për një aromë të këndshme.
Ndërsa për shumë njerëz, dushi dhe larja e flokëve çdo ditë është një rutinë e preferuar e mëngjesit, tendenca e “stërvitjes” së flokëve për të qëndruar më shumë ditë pa shampo po bëhet gjithnjë e më popullore. Por cilat janë përfitimet e vërteta të kësaj qasjeje dhe si mund ta zbatoni atë pa e humbur freskinë?
Përfitimet kryesore të larjes më të rrallë
Kursim kohe dhe pamje më e mirë: Shumica e llojeve të flokëve nuk kanë nevojë të lahen çdo ditë. Përkundrazi, flokët më të trashë dhe me kaçurrela shpesh duken më mirë, kanë më shumë vëllim dhe janë më të lehtë për t’u stiluar ditën e dytë ose të tretë pas larjes.
Kujdes i lehtë pas stërvitjes: Nëse stërviteni çdo ditë, është e natyrshme të keni nevojë për një rifreskim. Por, në vend që të përdorni shampo çdo ditë, mjafton që thjesht t’i shpëlani flokët me ujë të vakët për të hequr djersën dhe t’i lini i të thahen natyrshëm.
Ruajtja e vajrave natyralë: Skalpi prodhon vajra natyralë që ushqejnë, hidratojnë dhe mbrojnë fijen e flokut. Përdorimi i shpeshtë i shampove të ashpra i heq këto shtresa mbrojtëse, duke i bërë flokët të thatë, të brishtë dhe të prirur ndaj dëmtimit.
Ndërprerja e “rrethit vicioz”: Kur e hiqni vazhdimisht yndyrën nga skalpi, gjëndrat fillojnë të punojnë me një ritëm më të shpejtë për të zëvendësuar shtresën e humbur. Rezultati është një rreth vicioz – sa më shpesh t’i lani flokët, aq më shpejt yndyrosen në rrënjë.
Më pak dëmtime nga nxehtësia: Larja e flokëve më rrallë do të thotë më pak tharje me tharëse flokësh, drejtim ose kaçurrela, të cilat mund të dëmtojnë në mënyrë drastike fijen e flokut. Edhe fërkimi i ashpër me peshqir pas larjes krijon stres të panevojshëm për flokët.
Si ta mësoni flokun tuaj me një ritëm të ri?
Për ta bërë tranzicionin një përvojë pa dhimbje, filloni në ditët kur nuk ke angazhime të rëndësishme dhe mund të qëndroni në shtëpi. Në këtë mënyrë do t’i jepni flokut hapësirë për të pushuar, pa u shqetësuar për pamjen e tij. Gjithashtu, kapja e flokëve në ditët kur humbasin freskinë e tyre është një mënyrë ideale për të fshehur rrënjët me yndyrë.
Orari praktik 5 – ditor
Ja një truk i thjeshtë për të realizuar 5 modele të ndryshme flokësh vetëm me një larje.
- E hënë: Lani flokët dhe thani me tharëse flokësh për vëllim ideal.
- E martë: Me bigudi ose pjastër bëni onde të lehta dhe të çliruara.
- E mërkurë: Mblidhni flokët në një bisht të lartë.
- E enjte: Krijoni një topuz të lartë, të lirshëm dhe modern.
- E premte: Thurni një gërshetë elegante franceze.
Me këtë koncept dhe pak ndihmë nga shampoja e thatë, flokët tuaj do të duken të stiluar gjatë gjithë javës. Me kalimin e kohës, skalpi i kokës do të zvogëlojë natyrshëm sekretimin e sebumit.
Sa kohë nevojitet dhe cilët janë hapat kryesorë?
Procesi i përshtatjes mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj, varësisht nga lloji i flokëve tuaj. Nëse ndryshimet drastike ju duken të vështira, do të shkojmë hap pas hapi:
Rrallimi gradual: Nëse i lani flokët çdo ditë, së pari kaloni në larje çdo dy ditë. Pas disa javësh, provoni të kaloni në çdo tri ditë.
Kini kujdes me produktet e stilimit: xhelet, llaqet dhe spërkatësit i rëndojnë flokët dhe e përshpejtojnë procesin e yndyrosjes. Kufizoni përdorimin e tyre në minimum.
Mos i prekni flokët: Shmangni kalimin e shpeshtë të gishtave nëpër flokë, pasi vajrat natyralë dhe djersa nga duart tuaja transferohen menjëherë në flokë.
Krehja e duhur: Nëse rrënjët fillojnë të yndyrosen, përdorni një krehër ose furçë me fije natyrale. Duke i krehur nga rrënjët deri në maja, ju shpërndani në mënyrë të barabartë vajrat natyralë përgjatë gjithë gjatësisë, duke i dhënë flokëve tuaj një shkëlqim natyral.
Produkte që zgjasin pamjen e freskët
Për një tranzicion të suksesshëm, zgjedhja e duhur e produkteve kozmetike është thelbësore:
Shampo pa sulfate: Sulfatet krijojnë një shkumë të pasur, por janë shumë agresive në heqjen e vajrave esencialë. Kaloni në formula të buta, pa sulfate.
Shampo për pastrim të thellë: Përdoreni herë pas here për të zhbllokuar folikulat dhe për të hequr plotësisht substancat e grumbulluara nga produktet e stilimit. Balsamin e zakonshëm aplikoni vetëm në pjesën e mesme të flokëve dhe në maja.
Vaj dhe masazhues për skalpin: Praktikoni një rutinë javore duke aplikuar vaj ushqyes në skalpin tuaj para larjes. Në kombinim me një masazhues silikoni për skalpin e kokës, jo vetëm që stimuloni rritjen dhe parandaloni zbokthin, por gjithashtu çlironi stresin e akumuluar.
Shampo e thatë: Aleati juaj më i mirë për thithjen e yndyrës së tepërt në ditët kritike para larjes së radhës.
Trendi pa shampo
Një numër gjithnjë e në rritje njerëzish që fillojnë të lajnë flokët më rrallë, me kalimin e kohës i eliminojnë plotësisht shampot komerciale.
Kjo metodë nuk do të thotë neglizhencë e higjienës, por zëvendësim i shampove me alternativa natyrale:
Soda e bukës: Vepron si një eksfoliant i butë që largon qelizat e vdekura nga skalpi i kokës. Vetitë e saj antifungale ndihmojnë në luftimin e kërpudhës Malassezia, e cila është një nga shkaqet
ryesore të zbokthit.
Uthull molle: Mbyll kutikulat e fijes së flokut, jep një shkëlqim dhe butësi të theksuar, si dhe stimulon rritjen e flokëve.
Recetë e shpejtë me uthull molle: Përzieni uthullën e mollës me ujë në një raport 1:5. Spërkatni rrënjët, masazhoni butësisht skalpin dhe shpëlajeni me ujë të vakët. Për një efekt të këndshëm aromatik, shtoni në përzierje disa pika vaj esencial sipas zgjedhjes suaj.
Mos harroni se flokët janë të ndryshëm. Lloji i flokëve dhe fortësia e ujit në mjedisin tuaj luajnë një rol të madh. Për shembull, flokët kaçurrela pranojnë në mënyrë të përkryer metodat natyrale, pasi larja e rrallë u mundëson vajrave natyralë të ushqejnë gradualisht të gjitha kaçurrelat, duke u dhënë atyre një definim dhe hidratim të përsosur.
