A ju trishton dimri?

A ju trishton dimri?

Çrregullimi afektiv sezonal paraqet një formë të depresionit sezonal i cili shfaqet dhe zhduket, prandaj nuk mund të përkufizohet si sëmundje. Sipas statistikave globale, 8% e njerëzve shfaqin simptoma klasike të depresionit sezonal: lodhje, mungesë energjie, depresion, imunitet të dobësuar, ndërsa te 21% e tyre shfaqen simptoma dytësore ose ndryshime negative të humorit, por me aftësi për të kryer obligimet e përditshme. A do të thotë kjo se një e treta e njerëzve nuk ndihen mirë deri në pranverë? PO, por ekziston edhe ndihma!

Shkoni në mjek

Bëjeni zakon të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor. Mos u arsyetoni me atë se është normale të përballeni me simptoma depresive gjatë çdo ndryshim stine. Po do kalojë, por pse të mundoheni 4 herë në vit, kur problemi mund të zgjidhet vetëm me një bisedë. Terapitë e bisedave si këshillimi ose terapia kognitive-bihevioriste mund të jenë jashtëzakonisht të dobishme. Personave me formë më të rëndë të depresionit sezonal mund t’u përshkruhen edhe antidepresantë.

Ndriçoni veten

Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me një terapi me dritë e cila nënkupton ekspozimin e përditshëm ndaj dritës ditore. Prisni një përmirësim të gjendjes prej të paktën 80 për qind. Përndryshe, ekzistojnë edhe llamba të veçanta për terapi me dritë të cilat simulojnë dritën e ditës. Nëse arrini të merrni një llambë të tillë, është mirë të ekspozoheni ndaj ndikimit të saj për të paktën 30 minuta gjatë ditës. Mos u besoni pretendimeve se aplikacionet celulare mund t’ju shërojnë me dritën e kaltër të telefonit. Nuk ekzistojnë prova shkencore se kjo është e suksesshme.

Hani shëndetshëm

Sa më i freskët dhe i ekuilibruar ushqimi, aq më i lumtur është stomaku, e kjo nënkupton njëkohësisht edhe një tru të lumtur. Karbohidratet nuk janë armiku juaj, por prandaj sheqernat dhe produktet e brumit janë. Moti i ftohtë është kohë për simite dhe pite, prandaj bëni kujdes. Si zëvendësim, konsumoni ushqime të pjekura me kokrra të plota, të pasura me fruta të thata dhe fara, me të cilat do të mbani të qëndrueshëm nivelin e sheqerit dhe insulinës në gjak, e me këtë edhe të humorit dhe energjisë suaj.

Merrni suplemente

Acidet yndyrore omega-3 dhe vitamina B12 për shumicën e njerëzve janë treguar një terapi e suksesshme, natyrale dhe e sigurt për menaxhimin e ankthit sezonal. Së fundmi, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Vjenës janë të mendimit se listës duhet t’i shtohet edhe vitamina e diellit, vitamina D sidomos për shkak se ajo është në mungesë gjatë muajve të dimrit. Çdo i pesti person në planet përballet me mungesë të vitaminës D.

GISHTA TË NGRIRË

A i keni pëllëmbët vazhdimisht të ftohta dhe asgjë nuk i ngroh ato? Ndonjëherë nuk mund t’i ndjeni gishtat e duarve dhe këmbëve e më pas ju dhembin? Bëhen të bardhë, pastaj të kaltër dhe të kuq?

Kur izolimi në të cilin qëndroni është në nivel të palakmueshëm, kurse ngrohja është lëshuar në nivelin maksimal, atëherë ka shumë të ngjarë të përballeni me fenomenin Raynaud – një gjendje më pak e njohur, por më e shpeshtë se ftohja e zakonshme, e cila prek çdo të 6-7 person.

Për çfarë bëhet fjalë? Fenomeni i Raynaud-it është një gjendje në të cilën vjen deri te tkurrja e enëve të gjakut të cilat furnizojnë me gjak gjymtyrët. Tkurrjet mund të zgjasin për disa minuta ose disa orë. Rrjedha e gjakut është përkohësisht e mbyllur, kështu që zhduket edhe ngjyra e lëkurës dhe ju keni një ndjenjë të mpirjes, shpimit si dhe dhimbje në duar dhe këmbë. Është më shumë një ndjenjë e pakëndshme sesa një sëmundje serioze, por ekziston mundësia që ky fenomen të jetë edhe paralajmërues për një gjendje autoimune të njohur si skleroderma. Në këtë rast, trupi mund të prodhojë më shumë kolagjen sesa ka nevojë, duke shkaktuar ngurtësim të lëkurës, kyçeve dhe organeve të brendshme e cila mund të jetë e rrezikshme për jetën.

A ka mjekim? Jo, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të zvogëlohet frekuenca dhe niveli i sulmeve. Gjëja e parë që duhet të bëni është të lini duhanin (ai shkakton vazokonstriksion) dhe më pas të përpiqeni të jeni fizikisht aktiv. Larja e duarve me ujë të ngrohtë (jo të nxehtë) mund të tingëllojë si diçka e parëndësishme, por është mjaft efektive. Dhe mos dilni nga shtëpia pa çorape dhe doreza termale.

Ekzistojnë barna për zgjerimin e enëve të gjakut, por mund të merren vetëm në konsultim me mjekun. Metoda më e re është trajtimi me injeksione botoks, ndërsa për sa u përket varianteve alternative, gingko biloba është një zgjedhje e shkëlqyer.