Me qasjen e duhur kulinarike, algat mund të bëhen pjesë përbërëse e ushqimit tuaj. Kur ata janë të lëvarura në sallatë dhe ju me zor po përpiqeni t’i hani ato në formën e patatinave, ka shumë mundësi që të hiqni dorë prej tyre. Por, ka mënyrë për të marrë përbërjen e paçmueshme ushqyese të këtyre thesareve detare duke kamufluar plotësisht shijen e tyre origjinale. Zgjeroni horizontet tuaja kulinarike me këto sugjerime të disponueshme në tregun tonë.
Lloji: VAKAME
Shija: Alga me teksturë të mëndafshtë dhe shije të ëmbël.
Konsumojeni: Për imunitet. Vakame është sinonim i jodit – një mineral i domosdoshëm për forcimin e imunitetit.
Provojeni të tharë: Thërmojeni dhe përzieni me tofu, hudhër, limon jeshil dhe spec djegës dhe shërbejeni me biskota të njelmëta.
Provojeni të freskët: Përzieni me kinoa, rrepë të grirë dhe xhenxhefil.
Lloji: DULSE
Shija: E kripur, që të kujton proshutën.
Konsumojeni: Për të forcuar sistemin skeletor në tërësi. Në vetëm 125 g alga deti dulse, ka 35% më shumë kalium se një banane e madhe.
Provojeni të tharë: Skuqeni në vaj derisa të bëhet krokante, më pas kombinoni atë me një sallatë ose një omëletë.
Provojeni të freskët: Shtoni atë në supë.
Lloji: HIXHIKI
Shija: Shije e guximshme me një aromë delikate të anasonit.
Konsumojeni: Për energji. Alga e detit Hixhiki përmban një sasi të madhe hekuri, të nevojshëm për funksionimin e muskujve, veçanërisht për njerëzit që merren me sport dhe kanë nevojë të shtuar për këtë mineral me 30% më shumë se zakonisht.
Provojeni të tharë: Hidheni mbi perime të ziera ose të pjekura, është më e shijshme mbi misër.
Provojeni të freskët: Fërgojeni me speca (mundësisht babure), më pas shtoni lëng portokalli.
Lloji: ARAME
Shija: E këndshme dhe pak e butë.
Konsumojeni: Për zemrën. Kjo algë është e pasur me magnez, një mineral që, sipas ekipit hulumtues të Harvardit, e ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 30%.
Provojeni të tharë: Thërmojeni dhe përdoreni në ushqim si erëz.
Provojeni të freskët: Në kombinim me karota të grira, brokoli, lakër të kuqe dhe vaj susami.
Lloji: NORI
Shija: Delikate, por e njelmët.
Konsumojeni: Si mbrojtje kundër diabetit. Nori është një minierë e paçmuar e vitaminës më të rëndësishme – vitaminës C e cila ndihmon në uljen e rrezikut nga diabeti.
Provojeni të tharë: Të copëtuar, shtojeni atë në rizoto ose granola.
Provojeni të freskët: Le t’ju shërbejë si bazë për sushi ose përzieni me vaj susami, salcë soje, xhenxhefil të freskët dhe pluhur vasabi për të përgatitur një salcë sallate.
Lloji: KOMBU
Shija: E pasur dhe intensive si salcë soje me koncentrim të lartë.
Konsumojeni: Sepse është e pasur me fibra bimore të nevojshme për stomakun. Veç kësaj, përmban një materie të rrallë që parandalon akumulimin e yndyrës së tepërt.
Provojeni të tharë: Thërmojeni dhe përdoreni për të shijuar biskotat e bëra në shtëpi, kokoshkat ose ushqimet e tjera.
Provojeni të freskët: Copëtojeni atë dhe shtoni te meli tashmë i përgatitur me kërpudha shitake dhe fara kungulli.
Zgjidhni natyrale
Kur blini alga, sigurohuni që ato të jenë natyrale, mundësisht organike. Ashtu si peshqit, edhe algat priren të thithin substanca toksike nga uji në të cilin jetojnë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të blini alga nga prodhues të verifikuar që i mbledhin ata nga mjedise të pastra.
Ringjallja e algave
Algat e detit zakonisht thahen në mënyrë që të ruajnë shijen e tyre origjinale, por edhe materiet ushqyese, e më pas paketohen. Me këtë dehidratim, zgjatet jetëgjatësia e tyre edhe deri në dy vjet (veçanërisht nëse i mbani në një vend të errët, të ftohtë dhe të thatë). Prandaj, ju rekomandojmë që të shkoni në një shitore për ushqime të shëndetshme të furnizuar mirë dhe të zgjidhni një ose më shumë lloje algash të dehidratuara (të thara). Para se të përgatisni vaktin, do t’i hidratoni algat duke i lënë të qëndrojnë në ujë të vakët për rreth 15 deri në 20 minuta. Më pas, kulloni ato nga uji i tepërt (lirisht mund t’i shtrydhni me pëllëmbë) dhe mund t’i përdorni. Kini parasysh se algat e thara e zmadhojnë vëllimin e tyre për disa herë sapo bien në kontakt me ujin. Për një racion mjaftojnë 2-3 centimetra alga.