Andropauzë

Andropauzë

Një ndryshim për të cilin burrat heshtin

Kur femrat përjetojnë rënie të hormoneve, të gjithë vihen në dijeni se po hyjnë në menopauzë. Por e njëjta gjë nuk vlen për meshkujt! Menopauza mashkullore ose e njohur si andropauza është një gjendje që i kalon meshkujt shumë qetë.

Meshkujt janë misterioz kur bëhet fjalë për tema që lidhen pak a shumë me seksualitetin e tyre. Nga ana tjetër, ndryshe nga femrat, menopauza e meshkujve përparon shumë ngadalë, me kalimin e viteve, dhe simptomat janë delikate ose nuk shfaqen fare.

Pse ndodh menopauza mashkullore?

Ndryshimet hormonale janë pjesë e plakjes dhe termi “menopauzë mashkullore” përdoret për të përshkruar një ulje të testosteronit tek meshkujt.

Hormoni testosteron prodhohet në testikujt e meshkujve. Testeroni, përveçse është përgjegjës për dëshirën seksuale, ai stimulon ndryshimet tek meshkujt gjatë pubertetit, stimulon energjinë fizike dhe mendore, ruan masën muskulore dhe rregullon një sërë karakteristikash të tjera evolucionare.

Nivelet e testosteronit te meshkujt bien mesatarisht me rreth 1% në vit dhe zakonisht fillojnë pas
30 vjeç.

Por shumica e meshkujve të moshuar ende kanë nivele të testosteronit brenda intervalit normal. Vetëm 10 deri në 25% e meshkujve konsiderohen të kenë një nivel shumë të ulët.

Simptomat e menopauzës mashkullore

Menopauza mashkullore shkakton ndryshime fizike, seksuale dhe psikologjike te meshkujt. Ndërsa një mashkull plaket, simptomat përkeqësohen, kështu që meshkujt përballen me:

  • Rënie të energjisë

  • Depresion dhe trishtim
  • Motivim të ulur

  • Rënie të vetëbesimit

  • Vështirësi në përqendrim

  • Pagjumësi ose vështirësi për të fjetur

  • Rritje të yndyrës në trup

  • Ulje të masës muskulore dhe një ndjenjë dobësie fizike

  • Shprehje e theksuar e gjoksit
  • Zvogëlim të dendësisë minerale kockore

  • Disfunksion erektil
  • Libido të ulët

  • Sterilitet

Disa meshkuj përjetojnë gjoks të ndjeshëm dhe të fryrë, zvogëlim të madhësisë së testikujve, rënie të qimeve në trup dhe valë të nxehta.

Diagnoza dhe trajtimi i menopauzës mashkullore

Nivelet e testosteronit mund të kontrollohen me një analizë gjaku, por kjo më shumë është përjashtim se sa një praktikë.

Nëse menopauza mashkullore nuk shkakton vështirësi serioze, shumica e meshkujve arrijnë të përballojnë simptomat pa trajtim.

Ajo që kërcënon menaxhimin më të suksesshëm të kësaj gjendjeje është heshtja e meshkujve për ndryshimet me të cilat përballen. Burrat janë ose shumë të frikësuar ose të turpshëm për të folur për seksualitetin, madje edhe me mjekët e tyre.

Praktika ka treguar se vetëm duke folur për temën dhe duke iu drejtuar një stili jetese më të shëndetshëm (ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik, orë të mjaftueshme gjumë, hobi kundër stresit) mund të përmirësojnë në mënyrë dramatike të gjithë situatën. Për disa raste më të rënda, mjekët përshkruajnë edhe ilaçe kundër depresionit për ta bërë më të lehtë që burri të kalojë në një kapitull të ri të jetës së tij.

Ekziston një mundësi për të marrë terapi zëvendësuese të hormoneve, por shkenca ende tregon për një numër polemikash rreth marrjes së testosteronit artificial.

Si steroidet që rrisin performancën fizike ashtu edhe testosteroni sintetik mund të kenë efekte anësore të dëmshme. Për shembull, ky testosteron është treguar se stimulon rritjen e qelizave kancerogjene te meshkujt me kancer të prostatës. Në çdo rast, terapia hormonale merret me rekomandimin e mjekut, pas një analize paraprake të të mirat dhe të këqijave.

Sa më shumë që një mashkull të përjetojë një rënie të testosteronit si një dukuri normale për të cilën nuk ka turp të flasë, aq më lehtë do të jetë për të që të përballojë ndryshimet. Mbështetja dhe toleranca e partnerit dhe miqve tuaj është shumë e dobishme.