Antidepresivët

Antidepresivët

Terapia për të cilën ende po diskutohet pas dyerve të mbyllura

Në një periudhë të caktuar të jetës sonë, të gjithë do të duhet të takojmë njeriun me të bardha me prapashtesën – psikiatër. Por, sa prej nesh në të vërtetë do ta realizojnë atë takim i cili është ende shumë i sikletshëm për t’u diskutuar?

Ajo gjendje ankthi e shoqëruar me ndjenjën e robërimit në emocionet dhe mendimet personale që duket se askush nuk i kupton, si dhe melankolinë e vazhdueshme dhe mungesën e vullnetit për të jetuar, jo gjithmonë mund të zgjidhen me bisedë.

Nëse futeni thellë në ankth dhe shfaqni shenjat e para të depresionit, psikiatri pa shumë hezitim do t’ju përshkruajë ilaçet kundër depresionit për t’ju nxjerrë nga humnera.
Ju ndoshta do të mendoni se është fundi i botës meqë keni arritur deri aty që të merrni antidepresivë dhe shumica prej jush nuk do të dorëzohen dhe do të përpiqen ta rregullojnë problemin në mënyrën më të natyrshme të mundshme, por do të ketë edhe nga ata që do të heshtin.

FRIKA NGA GJYKIMI

Simptomat e rënda depresive mbeten të pazgjidhura, të ndrydhura thellë brenda shpirtit, duke pritur me zgjuarsi momentin e tyre për të pushtuar përsëri përditshmërinë e dikujt. Ilaçi ekziston, por qëndrimi i gabuar është ai që ngatërron fijet.

Si reagoni kur mjeku i familjes ju përshkruan një antibiotik? Shkoni në farmaci, e blini dhe e pini siç është përshkruar, apo jo? Gjithmonë dhe kudo mbani me vete një analgjezik, që të mos ju dhemb koka rastësisht, kurse diazepamin (për të cilin dikur ishit skeptik) nuk e lini pa marrë në asnjë mënyrë.

Është e qartë se, kur bëhet fjalë për shëndetin, pjesët e ndryshme të trupit marrin trajtim të ndryshëm dhe krejtësisht të pabarabartë!

Shëndeti mendor është ende një temë që mbahet në heshtje ose diskutohet në fshehtësi të rreptë. Receta e ilaçeve kundër depresionit fshihet në fund të sirtarit dhe nuk përdoret derisa gjendja të përkeqësohet. Njerëzit ende shqetësohen më shumë për mendimin e të tjerëve sesa për shëndetin e tyre.

Në librin e tij “Listening to Prozac”, mjeku Piter Kremer flet për këtë problematikë që në vitin 1993. Përkatësisht, ai thotë se tabutë rreth shëndetit mendor bazohen në dy teori. Sipas njërës, njerëzit mendojnë se duhet të jenë të fortë për të përballuar problemet pa marrë terapinë. Sipas tjetrës, terapia me antidepresivë konsiderohet si shkalla e fundit, prandaj njerëzit preferojnë të kalojnë muaj e muaj në terapi kognitive të sjelljes të shoqëruar me bimë dhe vitamina me efekt qetësues, derisa të arrijnë në thelbin e problemit të tyre psikologjik. Kur shëndeti mendor dorëzohet, njerëzit e perceptojnë atë si një dështim personal dhe jo si një problem normal shëndetësor.

Në fund të fundit, a nuk është edhe truri organ si gjithë të tjerët?

Ekspertët thonë se qëndrimin rreth shëndetit mendor e dikton kryesisht edukimi në shtëpi. Që në fëmijëri na mësojnë se duhet të kemi kontroll absolut mbi ndjenjat tona, kështu që shpesh dëgjojmë shprehje të tilla si: “Gëzohu, mos qaj”, “Ti je burrë, nuk duhet të qash”, “Mblidh emocionet, bëhu më e ftohtë.”

Ideja se ajo që ndiejmë është një çështje zgjedhjeje, na ushqen, por në të njëjtën kohë na bën të uritur. Pyetja e vazhdueshme për atë se kush jemi, çfarë jemi, a jemi mjaftueshëm të mirë dhe krahasimi me atë jetë perfekte që mbush çdo ditë rrjetet sociale, na bën të harrojmë se lumturia e vërtetë vjen nga brenda, nga ajo që jemi në të vërtetë. Ideali i përsosmërisë do të thyhej nëse do t’i drejtoheshim terapisë, apo jo?

Kjo na sjell në pikën e dytë të Dr. Kremer, i cili thotë se do të bindeshim më lehtë dhe të pranonim terapinë kognitive të sjelljes. Pikërisht atë që konsiderohej tabu për një kohë të gjatë. Biseda me një psikolog/psikiatër për të arritur deri në thelb.

Terapia kognitive e sjelljes inkurajon një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe pjekurie ndaj vetes, por vetëm pjesërisht, edhe atë nëse e filloni në kohë. Dhe mos prisni që të jetë e lehtë. Ka mendime dhe ndjenja brenda jush që, nëse i thoni me zë të lartë ose i shkruani në një copë letër, do t’ju shkaktojnë një lumë lotësh dhe kjo rrit rrezikun e lëkundjes së atij ideali të përsosmërisë.

Njerëzit duan shumë ta ndihmojnë veten, por nga ana tjetër kanë frikë nga gjykimi shoqëror dhe çfarë bëjnë atëherë? Pinë 2 mg diazepam, heleks ose leksilium, për të cilën zakonisht vendosin vet dhe rrotullohen në rrethin magjik të depresionit. Paradoksale!

FRIKA NGA EFEKTET ANËSORE

Pjesa më e madhe e paragjykimeve për antidepresivët vjen nga frika e efekteve anësore, veçanërisht nga ata se do t’ju bëjnë të ndiheni të mpirë dhe në kuptimin e plotë të fjalës nuk do të keni asnjë reagim emocional. Mjekët psikiatër thonë se pacientët që pranojnë terapinë për të cilën kanë nevojë dëshpërimisht, në fillim vijnë të zemëruar duke thënë se ndjehen si zombi, disa prej tyre kanë kriza të lehta epileptike, ka edhe nga ata që ankohen për mendime vetëvrasëse. Por kjo ndodh vetëm në javën e parë ndërsa trupi mësohet me terapinë.
Nën mbikëqyrjen mjekësore dhe marrjen e rregullt të terapisë, pacientët fillojnë të ndjejnë përfitimet pas 3 javësh. Ankthi dhe depresioni qetësohen ngadalë, kurse problemet me të cilat përballen fillojnë t’i gjykojnë më racionalisht.

Psikiatrit thonë se të gjitha spekulimet që lidhin ilaçet kundër depresionit me sëmundjet e zemrës, diabetin dhe çrregullimin bipolar, janë vetëm aq – spekulime. Kolegji Mbretëror i Psikiatërve në Angli, hedh poshtë në mënyrë të qartë pretendimet se antidepresivët shkaktojnë vetëm një efekt placebo. Sipas hulumtimeve të tyre, 50 deri në 65% e pacientëve kanë përmirësim të dukshëm pas 3 muajve nga përdorimi i rregullt i antidepresivëve, krahasuar me 25-30% të atyre që konsumonin placebo. Terapia e duhur dhe e kontrolluar përmirëson cilësinë e përgjithshme të jetës, prandaj 50% e pacientëve vendosin ta marrin atë deri në shërimin e plotë.

Përgjithmonë me antidepresivë?

Hulumtimet dhe psikiatrit janë unanim, kohëzgjatja e trajtimit varet nga personi! Disa njerëz përmirësohen pas një terapie, disave u duhen vite. Për sa kohë që trajtimi është nën mbikëqyrjen e mjekut psikiatër që kontrollon dozën e ilaçit, nuk ka rrezik për varësi.

Mos kini turp!

Ndoshta do t’ju duhet më shumë kohë që të pranoni se keni nevojë për terapi, por gjëja më e rëndësishme është të vendosni veten në radhë të parë. Nëse keni çfarëdo dyshimi në lidhje me trajtimin, bisedoni me psikiatrin tuaj. Mbështetja është shumë e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, prandaj ndani emocionet tuaja me një person që ju dëgjon me mirëkuptim.
Do ta ndjeni ndryshimin në momentin që do të ndaloni së gjykuari veten dhe do ta pranoni rastin si një problem shëndetësor që mund të zgjidhet me terapi – si çdo problem shëndetësor me të cilin jeni përballur më parë.

Do të ndjeni ulje dhe ngritje, ndonjëherë nuk do të keni dëshirë të ngriheni nga shtrati dhe ndonjëherë do të keni ndjenjën se asgjë nuk ju shqetëson. Jini këmbëngulës dhe mos u dorëzoni, vizitoni rregullisht psikiatrin tuaj në mënyrë që ai të ndjekë gjendjen tuaj. Dhe po, do të përmirësoheni, mund t’ju duhen 6 muaj, ndoshta 12, por në fund ju do të dilni si fitimtar.

Frika e vazhdueshme nga gjykimi dhe paragjykimet që ekzistojnë rreth shëndetit mendor i bëjnë problemet e vogla dhe lehtësisht të zgjidhshme, të rriten në shumë të mëdha. Problemet me depresionin dhe çrregullimet e tjera mendore duhet të merren po aq seriozisht sa çdo problem tjetër shëndetësor.

Nëse do të kishit një problem me apendicitin, nuk do të shkonit për operacion? Nëse nuk shihni mirë, nuk do të kërkoni syze? Edhe me psikikën dhe trurin, reagimi instinktiv ndaj paraqitjes së një problemi është i njëjtë, thjesht duhet të vendosni ta dëgjoni atë.