Aroma e shtëpisë

Aroma e shtëpisë
Për çfarë arome ka nevojë shtëpia juaj?

Aroma e shtëpisë duhet të jetë në harmoni me karakterin dhe shijen tuaj. Nëse nuk e duroni dot vajin esencial, do të jetë më mirë të mos e përdorni atë, sepse rrezikoni të keni dhimbje koke dhe të fillojë t’ju përziejë.

Familja e aromës së luleve

Aroma e luleve të freskëta – zgjedhja e parë e shumicës së amvisave. Familja e luleve përfshin aromën magjepsëse të luleve të freskëta si jasemini, zambaku ose trëndafili. Trëndafili është përbërësi më magjepsës, sepse vetëm ai mund të ofrojë një përvojë të shumëanshme me më shumë variante. Përmes aromës së lules do të lini përshtypje miqësie, gëzimi dhe ndjeshmërie ndaj nevojave të të tjerëve.

Familja e aromave të qelibarit

Për një përshtypje ekzotike, unike dhe luksoze në shtëpi, zgjidhni vanilje, kanellë, lule portokalli dhe orkide. Këto nota sensuale ngjallin fuqi dhe besim.

Familja e aromave të freskëta

Aromat e freskëta janë një buqetë me nota të shijshme, të lehta, të mprehta dhe frutash. Kini parasysh përbërësit si limoni, grejpfruti, verbena (lulemina) dhe bergamoti, duke përfshirë edhe livandën edhe pse është një lule. Aroma e freskët mund t’ju ndihmojë të ndiheni të relaksuar dhe t’ju sjellë gëzim. Kur aroma e shtëpisë është e freskët, ajo përçon një ndjenjë optimizmi dhe vitaliteti te njerëzit që qëndrojnë në të, qoftë edhe për një kohë të shkurtër.

Familja e aromave të drurit

Druri i sandalit, pisha, kedri dhe paçuli e përbëjnë familjen e pasur dhe të ngrohtë të drurit. Kur ndjeni aromën e një vaji esencial druri, do t’ju vijnë në mendje imazhet e pyjeve të thella dhe drurit që digjet. Nuk është për t’u habitur që njerëzit të cilët gravitojnë drejt aromave të drurit janë me këmbë në tokë. Zgjidhni notat e drurit për të krijuar një shtëpi të ngrohtë në të cilën secili do të dojë të kthehet.

Çdo shtëpi e ka aromën e saj të veçantë të cilën më së paku e ndjejnë ata që jetojnë në të. Por, nëse dëshironi që shqisat e të ftuarve tuaj të gudulisen nga një aromë e këndshme që ngjall qetësi dhe rehati, atëherë për aromën do të duhet të kujdeseni vetë.
Duke ajrosur rregullisht hapësirën e banimit dhe duke ruajtur pastërtinë dhe rendin, do të siguroni një erë neutrale pastërtie. Por, për t’i dhënë karakter shtëpisë përdorni një parfum me vaj esencial, sepse është natyral, i sigurt dhe i dobishëm për shëndetin psikofizik.

  1. Për një erë të freskët dhe të këndshme në banjë, hidhni disa pika vaj esencial sipas dëshirës tuaj në rrotullën e letrës higjienike. Ajo do të thithë vajin dhe do të ruajë aromën. Nëse nuk dëshironi që letra të thithë vajin, shfrytëzoni një rrotull të përdorur dhe mbajeni mënjanë.
  2. Materiali që e absorbon më mirë vajin esencial është pambuku dhe i njëjti funksionon si shpërndarës pasiv. Bëni një top nga pambuku, pikoni disa pika vaj dhe vendoseni në cep të dhomës, në dollap, nën çarçaf, në tualet dhe në çdo dhomë që dëshironi të mbajë aromë të këndshme. Pikoni çdo ditë një dozë të re të vajit esencial për të shijuar aromën vazhdimisht. Përveç pambukut edhe leshi është material që e ruan aromën gjatë.
  3. Bëni vetë një spërkatës me vaj esencial. Merrni një shishe të zbrazët me spërkatës dhe vendosni vajrat esencialë që tërheqin shqisat tuaja. Mënyra më e saktë dhe më e tolerueshme për shqisat është të pikoni 10 pika vaj për çdo 30 mililitra. Nëse keni një shishe prej 120 ml, shtoni 40 pika vaj, mbusheni me ujë dhe tundeni mirë – spërkatësi juaj është gati për përdorim. Spërkatni të gjitha hapësirat në shtëpi dhe aroma e këndshme do të zgjasë për disa orë. Duke ndërruar vajin, mund të bëni spërkatës të ndryshëm për dhoma të ndryshme në shtëpi. Livandë për dhomën e gjumit, limon për kuzhinë, jasemini për dhomën e ndenjës dhe qitro për banjën.
  4. Lahuni në ujë në të cilin keni shtuar vajra esencialë. Është e rëndësishme të theksohet se vajrat esencialë janë të përqendruar dhe mund të irritojnë lëkurën, prandaj sigurohuni që të merrni një vaj i cili është i sigurt për t’u përdorur. Vaji i drurit të sandalit ka aromë të mrekullueshme, ka një efekt freskues si në trup ashtu edhe në shpirt, madje edhe për banjën. Aroma e drurit të sandalit vepron si një parfum i cili qëndron në lëkurë për një kohë të gjatë.
  5. Hidhni disa pika nga vaji juaj i preferuar esencial në një shami pëlhure të cilën e merrni me vete sa herë që dilni nga shtëpia. Aroma e shamisë mund të jetë freskuese dhe të ndihmojë sipas nevojës. Për shembull, kur jeni të stresuar, mund të përdorni vaj livande. Sa herë që filloni të ndiheni të stresuar, nuhatni shaminë dhe do të ndiheni të freskët dhe të rilindur. Gjatë udhëtimeve, nëse nuk i duroni dot aromat e reja, veçanërisht në shtrat, kjo shami e aromatizuar do të jetë e dobishme për ju.
  6. Një jastëk i aromatizuar me vaj esencial është ide e shkëlqyer për të shijuar aromën ndërsa flini. Mund të përdorni vajin e qitros të cilin e hidhni direkt në këllëfin tuaj të jastëkut ose më mirë akoma një top pambuku që do ta mbani nën jastëk ose pranë jush. Aroma e vajit esencial të qitros ka një efekt freskues dhe përmirëson disponimin. Nëse jeni të stresuar, vaji i portokallit të ëmbël mund të ndihmojë në uljen e stresit. Aroma do të zgjasë gjatë gjithë natës derisa jeni duke fjetur.
  7. Një skulpturë nga glina e vendosur në pragun e dritares, mund të shërbejë gjithashtu si një shpërndarës pasiv. Mjafton të hidhni disa pika vaj esencial në anën e skulpturës që është e kthyer përballë diellit. Nxehtësia e diellit do të shpërndajë vajin dhe do të përhapë aromën e tij. Mysafirët që janë ulur pranë dritares do të habiten se nga vjen ajo aromë parajse. Ju mund të përdorni vajin e balsamit për të krijuar një hapësirë ​​jetese të freskët dhe të rehatshme. Bëni kujdes, skulptura duhet të jetë vetëm prej gline, sepse vetëm glina mund të përthithë vajin.
  8. Përpara se të përdorni fshesën me korrent, shtoni disa pika vaj esencial sipas dëshirës tuaj në thesin ku përfundon papastërtia nga dyshemeja. Për sa kohë që fshesa me korrent është e ndezur, aroma e mirë do të përhapet në të gjithë shtëpinë.
  9. Nëse puna juaj përfshin orë të gjata qëndrimi në makinë çdo ditë, përdorimi i një arome si livanda do t’ju ndihmojë të ndiheni të freskët dhe pa stres gjatë vozitjes. Është shumë e thjeshtë për të bërë një shpërndarës për në makinë – merrni një tufë të madhe dhe ngjiteni në një kapëse. Hidhni disa pika vaj esencial në të dhe vendoseni te hapësira për ventilim. Shpërndarësi juaj i makinës është gati!
  10.  Nëse keni lodra të buta prej pelushi në shtëpi, hidhni disa pika nga vaji esencial si ai i drurit të kedrit në ndonjërën prej tyre (në sipërfaqe). Sigurohuni që të përdorni vaj esencial të sigurt për lëkurën në rast se fëmijët e marrin lodrën. Aroma do të absorbohet në shtresën e jashtme, kështu që ariu i butë do të përhapë një aromë të këndshme në të gjithë hapësirën. Aroma e drurit të kedrit zgjat për disa orë.
  11.  Nëse tapeti mban erë të keqe dhe nuk keni mundësi ta lani, atëherë vajrat esencialë mund t’ju ndihmojnë. Përzieni dy gota sodë buke me rreth 25 pika vaj esencial sipas zgjedhjes suaj. Përhapeni përzierjen në tapet dhe lëreni të qëndrojë për disa orë e më pas fshini atë me fshesë me korrent.
  12.  Shndërroni një qiri të zakonshëm në një qiri aromatik duke hedhur disa pika vaj esencial në të. Dylli do të thithë vajin, kështu që kur ta ndizni qiriun, aroma e vajit do të përhapet ngadalë nëpër dhomë.
  13.  Kur pastroni shtëpinë tuaj, mund të përdorni vajra esencialë për ta bërë atë të mbajë aromë më të mirë. Përpara pastrimit, shtoni disa pika vaj esencial në një leckë (ekskluzivisht) prej pambuku. Pambuku do të thithë vajin menjëherë. Tani fshijeni sipërfaqen me leckë duke lënë pas një aromë të këndshme kudo.
  14.  Ju vijnë mysafirë të paparalajmëruar, kurse shtëpia mban erë nga ushqimi i gatuar? Mos u shqetesoni! Hidhni vaj esencial në një top të madh pambuku dhe ngjiteni në hapjen e kondicionerit, pastruesit të ajrit, thithësin e ajrit ose çdo element shtëpiak që lëshon ajër. Sapo të aktivizoni pajisjen, aroma do të mbushë dhomën.