Bukuri nga kuzhina

Bukuri nga kuzhina

Trajtimet shtëpiake dhe të modës së vjetër të bukurisë, po rikthehen në mënyrë spektakolare nën qiellin plot yje të bukurisë. A ia vlen që të gatuani në emër të pamjes së shëndetshme, vlerësojeni vetë.

SODË BUKE

Hidrogjen karbonati i natriumit, i vjetër dhe i mirë, është i mirënjohur për ndihmën e tij në rritjen e ëmbëlsirave, por sipas ekspertëve të bukurisë, është gjithashtu i shkëlqyeshëm për pastrim të thellë të lëkurës së fytyrës.

Bejeni vetë:

Përzieni një lugë çaji sodë buke, dy lugë fjolla tërshëre dhe ujë të mjaftueshëm për të bashkuar të dy përbërësit dhe për të formuar një përzierje me dendësinë e pastës. Aplikoni në fytyrë, masazhojeni butësisht dhe shpëlajeni. Kini kujdes, kjo maskë është vetëm për lëkurë të yndyrshme, nëse e aplikoni në lëkurë të ndjeshme, mund të shkaktojë thatësi dhe acarim.

Nëse ju shqetësojnë pikat e zeza të bezdisshme, përzini pak sodë buke, limon dhe ujë të ngrohtë dhe aplikoni maskën në zonën problematike të fytyrës. Efektin më të mirë do ta arrini nëse e aplikoni maskën pasi të keni bërë dush, kur poret e fytyrës janë më të hapura.

Jo vetëm për fytyrën, soda e bukës është shpëtimtari numër një kur ngjyrosja e flokëve nuk shkon siç pritej. Ndodh shpesh që nën ndikimin e pigmentit natyral, të mos arrini ngjyrën e dëshiruar. Mos u dëshpëroni, përpiquni të hiqni nuancën e re me ndihmën e sodës. Përzini sasi të barabarta të shampos dhe sodës së bukës për të fituar një përzierje të dendur. Aplikoni maskën në flokë dhe lëreni të veprojë për 10 minuta. Shpëlajeni dhe domosdoshmërisht aplikoni një maskë për hidratim të thellë.

KARBON AKTIV

Në mjekësi përdoret për absorbimin e toksinave te njerëzit të cilët e kanë tepruar me ushqimin e keq, alkoolin ose i janë nënshtruar helmimit me ilaçe. Në botën e bukurisë, ai shërben si heqës i papastërtive dhe yndyrave nga lëkura. Edhe pse nuk ka studime shkencore që konfirmojnë efektivitetin e karbonit aktiv në shërbim të bukurisë, gratë që i kanë provuar maskat ​​me karbon aktiv thonë se rezultatet janë të pabesueshme.

Bëjeni vetë:

Përzini pluhurin e karbonit aktiv me pak aloe vera dhe aplikoni në fytyrë. Nëse keni lëkurë të thatë, shtoni kos ose mjaltë dhe do të fitoni një maskë më të yndyrshme dhe hidratuese. Rezultatet janë menjëherë të dukshme, lëkura ndriçon me një shkëlqim të plotë.

Nëse dëshironi të pastroni thellësisht skalpin e kokës nga toksinat, të riktheni shkëlqimin e flokëve dhe të shtoni vëllimin, thjesht shtypni një pilulë karboni aktiv, shtoni atë në shampon tuaj dhe lani flokët në mënyrën e zakonshme. Do të ndjeni menjëherë sesi flokët tuaj bëhen më të lehtë dhe më të ngritur në rrënjë. Nëse nuk mund të përballeni me zbokthin, karboni aktiv do t’ju ndihmojë që ta zgjidhni edhe këtë problem.

Karboni aktiv gjithashtu ndihmon në zbardhjen e dhëmbëve. Fuqia e tij për pastrim të thellë do të heqë të gjitha papastërtitë dhe dhëmbët do të marrin një shkëlqim prej margaritari. Gjithçka që duhet të bëni është të vendosni pak pluhur nga karboni aktiv sipër shtresës së pastës që keni aplikuar në brushë dhe të lani dhëmbët.

VAJ KOKOSI

Çdo produkt kozmetik për kujdesin e lëkurës, flokëve dhe trupit mund të zëvendësohet nga një kavanoz me vaj kokosi. Dermatologët dhe shkencëtarët mbështeten në acidin folik që e përmban, i cili lufton me sukses radikalet e lira. Një hidratues natyral, lufton peshën e tepërt, ndihmon në heqjen e strijave (shenja në lëkurë në formë të vijave), e ndihmon trupin të krijojë rezistencë ndaj viruseve, infeksioneve dhe baktereve, e përshpejton metabolizmin… lista e përfitimeve pozitive të vajit të kokosit nuk mbaron këtu.

Bëjeni vetë:

Nëse keni lëkurë të thatë, të ndjeshme dhe të dëmtuar, bëni një maskë me vaj kokosi dhe mjaltë. Lëreni të veprojë për 10 minuta dhe shpëlajeni mirë. Lëkura do të bëhet jashtëzakonisht e butë dhe me shkëlqim.

Veprimi magjik numër dy – nëse keni mundësi, të paktën një herë në javë (para se t’i lani flokët thellësisht) lyeni flokët me vaj kokosi të ngrohtë, nga rrënjët deri te majat. Për një efekt më të fortë, mbështillni flokët me fletë alumini dhe lërini të qëndrojnë – sa më gjatë, aq më mirë. Pas larjes, do të mahniteni se si janë zhdukur majat e çara, kurse flokët janë të mëndafshtë dhe të butë sikur të mos ishin trajtuar kimikisht kurrë më parë.

Për të përgatitur një pastrues trupi me bazë vajin e kokosit, formula është si në vazhdim: ½ filxhan kafe të bluar në grimca më të mëdha, 2 lugë çaj mente, ½ filxhan sheqer dhe ½ filxhan vaj kokosi. Përzini gjithçka mirë dhe aplikoni masën në trup duke e masazhuar lehtë. Lëreni për disa minuta që lëkura të përthithë të mirat e përbërësve, më pas shpëlajeni me ujë të vakët.

Përparësia më e madhe e vajit të kokosit është ajo se ai është i sigurt për t’u përdorur edhe nga gratë shtatzëna. Gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, aplikoni vaj kokosi në zonat kritike për të parandaluar plasaritjen e lëkurës dhe strijat. Në rast se tashmë keni strija, aplikoni vaj kokosi direkt mbi to për t’i zbehur. Duhen vetëm 7 javë për të parë rezultatet.