Çfarë po e harxhon energjinë tuaj?

Çfarë po e harxhon energjinë tuaj?

Njeriu i sotëm është në një betejë të vazhdueshme për të arritur gjithçka brenda kohës shkurtër që ka në dispozicion gjatë ditës. Dhe kur dita nuk mjafton, aty është nata. Nëse edhe ju jetoni me të njëjtin ritëm, është vetëm çështje kohe para se të dorëzoheni plotësisht. Organizimi i mirë do të zgjidhë pjesërisht problemin tuaj, por ju do ta ndihmoni veten më së shumti nëse bëni përpjekje për të rimbushur rezervat tuaja të energjisë. Për ta arritur këtë, së pari duhet të zbuloni se çfarë saktësisht po jua harxhon energjinë.

Çfarë po e harxhon energjinë tuaj fizike?

Nuk hani drekë në mënyrën e duhur

Një mëngjes i bollshëm dhe i shëndetshëm është i shkëlqyer për të shuar plotësisht urinë tuaj dhe për ta nisur ditën fuqishëm, por zgjedhja e gabuar e drekës mund të shkaktojë një rënie të energjisë, veçanërisht nëse punoni deri vonë. Treguesi më i mirë është kriza e gjumit që ju ndodh pasdite – e cila shkaktohet nga marrja e pamjaftueshme të proteinave gjatë drekës.

Proteinat janë një mënyrë e sigurt për të mbajtur energjinë tuaj në nivel të lartë. Nutricionisti Rob Hobson, autor i librit “Kitchen Bible” (Bibla e kuzhinës), sugjeron një drekë me raport 1:1 të proteinave ndaj karbohidrateve. Për shembull, sallatë pule, avokado dhe kinoa është një kombinim i mrekullueshëm i proteinave, yndyrave të shëndetshme dhe karbohidrateve që do t’ju mbajnë energjik deri në fund të ditës.

Nuk flini mjaftueshëm

Asgjë e re: Gjumi i pamjaftueshëm gjatë natës, rezulton në lodhje gjatë ditës! Por, nuk mjafton vetëm që të flini 8 orë gjumë, cilësia e gjumit ndikon njëlloj në nivelet e energjisë. Një studim i botuar në revistën “Molecular Metabolism” (Metabolizmi molekular) zbuloi se vetëm një natë e kaluar me ndërprerje të gjumit shkakton rezistencë momentale ndaj insulinës tek njerëzit e shëndetshëm. Kjo do të thotë që nevoja për karbohidrate do të rritet tek ju diku pas mesditës.

Studiuesit nga Universiteti i Edinburgut dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare të Kembrixhit zbulojnë se magnezi ndihmon më së miri trupin të menaxhojë ciklet e gjumit. Rezultati? Një natë e kaluar në gjumë të qetë. Trupi ka nevojë për 300 mg magnez në ditë, të cilin mund ta merrni përmes konsumimit të perimeve me gjethe të errëta, por për gjumë cilësor, siguroni një dozë të besueshme përmes një suplementi dhe rrisni dozën në 375 mg.

Nuk jeni mjaftueshëm aktiv

Nëse nuk ushtroni mjaftueshëm, energjia juaj fizike do të fundoset, që do të thotë se do të keni zero motivim për të bërë diçka. Studiuesit norvegjezë tregojnë se mungesa e energjisë fizike e shkaktuar nga aktiviteti i pamjaftueshëm, i kushton ekonomisë globale rreth 55.5 miliardë paund në vit.

Çdo aktivitet fizik shtesë që do të vendosni të ndërmerrni, vetëm do t’ju bëjë më produktivë. Ushtroni 30 minuta para orës 15:00. Në vend që të bëni një pushim dreke, shkoni në pushim për të ushtruar. Kjo nuk është e realizueshme për ju? Atëherë provoni ushtrime të shkurtra prej 10 minutash, për një rritje të menjëhershme të energjisë – 10 ulje-ngritje, 7 pompa, 30 ushtrime stomaku dhe 10 kërcime boksi. Bëni një pushim prej 30 sekondash dhe përsërisni (gjithsej 4 herë). Pa dyshim që do të rrisni nivelet tuaja të energjisë dhe do të vazhdoni përpara me kapacitet të plotë energjik.

Çfarë po e harxhon energjinë tuaj mendore?

Ndoshta keni mungesë të vitaminës B12

Mungesa e vitaminës B12 përfundimisht mund të çojë në anemi, dhe kur jemi anemikë, njëkohësisht jemi edhe pa energji. Nëse nuk e përmbushni dozën e rekomanduar ditore prej 2.4 miligramësh B12, mund të dëmtoni energjinë tuaj mendore. Vëmendja dhe funksionet njohëse reduktohen dukshëm gjatë mungesës të vitaminës B12.

Për të rritur marrjen e B12 në trup, e me këtë t’i thoni lamtumirë lodhjes mendore, filloni të konsumoni produkte me prejardhje shtazore. Rritni marrjen e frutave të detit, mishit të pastër dhe vezëve. Nuk jeni adhurues i mishit? Qumështi, djathi dhe kosi përmbajnë një sasi të madhe të B12, kurse aty janë edhe suplementet ose koktejet e vitaminave nëse dëshironi një zgjidhje të menjëhershme.

Jeni duke punuar në një mjedis pune të papërshtatshëm

Hulumtimet tregojnë se mjedisi më i keq i punës është në fakt mjedisi steril dhe i rregulluar deri në perfeksion. Një dëm më të madh ndaj energjisë mendore do të ndjejë personi i cili detyrohet të punojë në një mjedis të organizuar dhe i cili natyrisht funksionon më mirë në kaos, për dallim nga rasti i kundërt – të hidhni në kaos një person që është mësuar të punojë në një rregull perfekt.

Harrojeni minimalizmin dhe rregulloni tavolinën tuaj ashtu siç ju përshtatet. Korniza fotografish, lule, fleta me shënime, vizatime… dhe gjithçka tjetër që e bën ambientin e zyrës suaj të këndshëm, është e lejuar. Vendosni vulën tuaj personale në vendin e punës dhe produktiviteti do të rritet me shpejtësi. Por, mbani të pastër hapësirën tuaj të punës! Bëni dallim mes kaosit kreativ dhe mirëmbajtjes së higjienës. Mbetjet ushqimore në tavolinën e punës janë të papranueshme për energjinë mendore, por edhe për shëndetin.

Jeni shumë të varur nga teknologjia

Telefonat celularë i kemi gjithmonë në dispozicion gjatë ditës, kurse gjatë natës, e ndajmë jastëkun përsëri me ta. Përdorimi i vazhdueshëm i pajisjeve inteligjente mund të shkaktojë dëme serioze në nivelet e energjisë mendore. Hulumtimet nga Universiteti i Illinois tregojnë se përdorimi i vazhdueshëm i telefonit mund të çojë në rraskapitje, ankth dhe depresion.

Ndoshta është koha për të menduar rreth një detoksifikimi dixhital 30-ditor. Ditën e parë, mbani një ditar dixhital (në formë të shkruar!) në lidhje me atë se sa herë e kontrolloni telefonin tuaj dhe pse e bëni këtë. Shënoni me një laps të kuq të gjitha rastet kur e keni prekur telefonin pa nevojë dhe në praktikë përpiquni të anashkaloni ato shoqërime të panevojshme me celularin. Për shembull, vendosni vetes një ndalim të përdorimit për çdo pajisje inteligjente për të paktën një orë pas punës, veçanërisht nëse punoni para kompjuterit.

Çfarë po e harxhon energjinë tuaj emocionale?

Miqtë tuaj negativë

Nëse do të përdorim terminologjinë moderne, atëherë këta njerëz do t’i quanim “vampirë emocionalë” të cilët sipas definicionit janë njerëz që e thithin energjinë tuaj emocionale në çdo takim. Si t’i dalloni më mirë? Këta janë ata njerëz të cilët presin që ju t’i kënaqni (janë ata të cilët i diktojnë gjithmonë kushtet e takimit) për të mbetur përsëri të pakënaqur në fund. Ata kanë nevojë të vazhdueshme për të qenë në qendër të vëmendjes, kështu që, shpesh zemërohen dhe ofendohen edhe kur përpiqeni t’u bëni një kompliment. Njëkohësisht, ata kanë ankesa të vazhdueshme për jetën, punën, shëndetin.

Kur jeni në shoqërinë e personave të tillë, keni në dispozicion vetëm dy mundësi – ose të ndërprisni çdo lloj komunikimi, ose të bëni një ndarje të zgjuar të kohës që kaloni me ta. Nëse në kushte normale pritet të investoni 80% të kohës dhe energjisë suaj në emër të miqësisë dhe të kurseni vetëm 20% për veten tuaj, kur bëhet fjalë për thithësit e energjisë emocionale, rregulli është i kundërt.

Jeni vazhdimisht në shënjestër të kritikave

Bini shpesh në grackën e vetë-analizës dhe rivlerësimit të veprimeve tuaja për shkak të kritikave të shpeshta që merrni nga një person i caktuar? Ai person mund të jetë mbikëqyrësi juaj, një mik, i afërm ose edhe partneri juaj. Ndjenja e rraskapitjes emocionale është e pashmangshme në kushte të kritikës së vazhdueshme. Presioni për të kënaqur kërkesat dhe idealet e dikujt që nuk do të jetë i kënaqur kurrë me ju, mund të jetë shkatërrues për energjinë emocionale.

Sado ashpër që të tingëllojë, realiteti është se ju duhet të pranoni që personi nuk do të ndryshojë. Kjo ju tingëllon si një këshillë e keqe? Përkundrazi, njerëzit janë ata që janë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me ju. Nuk mund të ndikoni te kritiku i jetës suaj, kështu që thjesht po humbisni kohën tuaj. Mund të ndikoni shumë më tepër në mënyrën se si i perceptoni gjërat, kështu që filloni prej atje!

Jeni të mbistimuluar

Askush nuk dëshiron të udhëtojë vetëm, nëse nuk ka një libër pranë vetes për ta shpëtuar nga mërzia – përndryshe çfarë do të bënit me veten gjatë asaj kohe? Sipas Dr. Sendi Men, profesor i psikologjisë në Universitetin e Lankashirit Qendror dhe autor i “The Upside of Downtime” (Përmbysja e Kohës Joproduktive), nevoja e vazhdueshme për ndonjë lloj argëtimi dhe stimulimi është e lodhshme për energjinë tuaj emocionale.

“Ne jemi gjithmonë në kërkim të përvojave të reja,” thotë Dr. Men. “Në momentin e parë që keni kohë të lirë, ju sulmon frika e mërzisë dhe menjëherë ngarkoheni me atë se çfarë të bëni diçka të re. Qendra juaj e shpërblimit në tru stimulohet dhe ju përjetoni një shok dopamine. Por, shoku krijon varësi – sa më shumë dopaminë të merrni, aq më shumë do të dëshironi.” Dhe këtu vjen në shprehje lodhja! Ndani 15 minuta në ditë për të mos bërë asgjë. Mësoni të jeni vetëm me veten në kuptimin e vërtetë të fjalës.