E qara bën mirë për shëndetin

E qara bën mirë për shëndetin

Mos u mundoni të fshihni emocionet tuaja duke paraqitur një fytyrë pa shprehje, nëse ju vjen për të qarë – bëjeni!

Kur keni qarë për herë të fundit? A i lejoni vetes të qajë kur e keni të vështirë?

E qara është një përgjigje e natyrshme njerëzore e nxitur nga një sërë emocionesh si trishtimi, zhgënjimi, nervoza, gëzimi dhe lumturia. Prandaj, është e gabuar që të interpretohet ky akt si një shenjë dobësie.

Hulumtimet tregojnë se femrat qajnë mesatarisht 3,5 herë në muaj, ndërsa meshkujt 1,9 herë në muaj. Disa shkencëtarë thonë se pikërisht për këtë, gratë janë më të qëndrueshme dhe më pak të prirura ndaj sëmundjeve të zemrës.

Pavarësisht gjinisë apo moshës, e qara emocionale është një mjet i dëshirueshëm për të përballuar stresin dhe nuk nënkupton humbje të vetëkontrollit.

Përmes të qarës trupi sinkronizohet me mendjen

E keni vënë re se kur përballeni me momente të vështira, emocionet tuaja mbyllen dhe ju bëheni indiferentë? Kjo në fakt është një gjendje shoku ose mekanizëm natyror mbrojtës i trupit ndaj stresit të madh. Por, sapo të kalojë situata e pakëndshme, vijnë lotët. E qara e pakontrolluar mund t’ju pushtojë në çdo moment. Psikologët thonë se bëhet fjalë për sindromën post-traumatike. Gjegjësisht, gjatë momenteve të stresit, trupi jo gjithmonë është në gjendje të përballet me emocionet, prandaj lotët vijnë me vonesë. Edhepse është filmi i trishtuar ai që ndoshta të ka bërë të qash, realiteti është se janë emocionet e ndrydhura ata që kanë vendosur të shfaqen. Të qash për gjëra të parëndësishme është një sinjal i qartë se është koha për t’u përballur me pikëllimin dhe për të thyer fasadën e cila i bllokon emocionet tuaja.

Pëmes të qarës e mbajmë situatën nën kontroll

Hulumtimet tregojnë se katër nga pesë persona të moshës 18 deri në 34 vjeç përballen me ankthin e tyre duke e bindur veten dhe të tjerët se gjithçka është në rregull. Por ky mohim i problemit çon në pagjumësi, humbje të oreksit, refuzim për t’u socializuar dhe në fund depresion. Është koha të ndaloni së gëlltituri lotët! Si? Nëse ju pengon të tregoni anën tuaj të ndjeshme në publik, thjesht tërhiquni dhe merrni kohë për veten tuaj që të mundeni t’u dorëzoheni tërësisht emocioneve tuaja. Kjo praktikë do t’ju ndihmojë të mësoni të kontrolloni veten kur të jeni të ndjeshëm.

Përmes të qarës përballemi me hormonin e stresit

Nën ndikimin e stresit, trupi е sekreton hormonin e stresit kortizol, i cili është krejtësisht i pranueshëm nëse është në doza të vogla. Por kur trupi fillon të sekretojë doza të mëdha kortizoli, fillojnë problemet. Kortizoli në doza të larta e dobëson imunitetin, rrit presionin e gjakut dhe ndikon në funksionimin normal të trurit. Në vitin 1980, biokimisti Dr. William Frey zbuloi se lotët, të cilët janë rezultat nga një gjendje emocionale, ndihmojnë në mënyrë indirekte trupin që ta largojë kortizolin e tepërt. Prandaj, e qara nën stres është mekanizmi më i mirë me të cilin trupi mbrohet. Në fakt, e qara është një fazë e shërimit emocional të individit.

Përmes të qarës e përmirësojmë disponimin

Është krejtësisht normale që ndonjëherë të qani për një film të trishtuar ose t’ju pushtojnë emocionet në një ndeshje sportive. Njerëzit shpesh konsumojnë me vetëdije përmbajtje trishtuese në mënyrë që të shfaqin emocionet e tyre dhe të qajnë. Specialisti i psikologjisë biologjike, Dr. Asmir Graçanin, në një hulumtim zbulon se njerëzit që trishtohen lehtë shfaqin një humor shumë më të mirë sesa ata që nuk u nënshtrohen banaliteteve. Për shembull, pas mbarimit të një filmi të trishtuar, njerëzit që kanë qarë janë ndjerë të trishtuar për rreth 20 minuta, por 90 minuta më vonë janë ndjerë edhe më mirë se para fillimit të filmit.