Edhe sytë kanë nevojë për SPF

Edhe sytë kanë nevojë për SPF

Trupi, fytyra, skalpi, këmbët madje edhe veshët janë të ekspozuar ndaj rrezikut për djegie gjatë periudhës së verës. Një krem ​​me faktor mbrojtës, ombrellë, kapelë dhe plazhin mund ta shijoni më së miri.
Por, çfarë ndodh me sytë? A keni menduar ndonjëherë se edhe ata janë të rrezikuar nga rrezet e dëmshme UV? Që rreziku të jetë edhe më i madh, aty është drita blu nga telefoni nga i cili nuk ndahemi as gjatë pushimit.
Statistikat tregojnë se vetëm 10% e njerëzve i kushtojnë vëmendje shëndetit dhe mbrojtjes së syve në periudhën e verës. Pjesa tjetër mbrohet në mënyrë të pavetëdijshme duke mbajtur syze dielli të shtrenjta me të cilat duan të tregojnë statusin e tyre.
E gjithë zona (sytë dhe rreth syve) është e ekspozuar ndaj rrezatimit UV. Oftalmologët konfirmojnë një numër në rritje të rasteve me djegie të syve të shkaktuara nga dielli dhe gjithnjë e më shumë raste të kancerit në sy dhe rreth syve.

Të dhëna alarmante

Shoqata Amerikane e Kancerit parashikon 2580 raste të reja të melanomës së syve (te shumica e rasteve është vdekjeprurëse) që lidhen kryesisht me ekspozimin e zgjatur në diell. Ndërsa, 24 milionë njerëz, 60% e të cilëve janë gra, do të përfundojnë me katarakt i cili gjithashtu mund të shkaktohet nga rrezet ultravjollcë.
Por, shikoni anën e mirë: ekzistojnë shumë gjëra që mund të bëhen për të mbrojtur sytë tuaj si në planin afatgjatë, ashtu edhe në atë afatshkurtër. Plani juaj i mbrojtjes së shikimit fillon me njohjen e rrezikut dhe përsosjen e taktikës për të bllokuar rrezet e dëmshme të cilat i dëmtojnë sytë. Njihni rrezikun dhe mësoni se si të mbroheni nga rrezatimi UV dhe rrezatimi i dritës blu.

Dëmtimet më të zakonshme nga rrezet UV

Edhe pse janë kaq të vegjël dhe nuk zënë më shumë se 2-3 centimetra nga sipërfaqja e fytyrës, vetëm sytë ju lejojnë t’i shikoni bukuritë e kësaj bote dhe pikërisht për këtë e meritojnë vëmendjen tuaj.
Sytë mund të marrin goditje nën ndikimin e diellit në disa forma, edhe atë:
PINGUECULA Është një masë e përhershme e verdhë që shfaqet në pjesën e bardhë të syrit dhe për të cilën nuk ka shërim. Njerëzit të cilët kalojnë shumë kohë jashtë, si punëtorët e ndërtimit, në lartësi të mëdha ose në det të hapur ku dielli është më i fortë, kanë një rrezik më të lartë që t’u shfaqet kjo njollë e padëmshme, por estetikisht e padëshirueshme.

VERBËRIA E BORËS (fotokeratiti) Mbulesa e jashtme e syve akumulon deri në 99% të rrezeve ultravjollcë, kështu që nëse nuk e mbroni kur jeni në diell të fortë, ajo mund të digjet për më pak se një orë. Në fillim ndoshta nuk do të ndjeni asgjë, por disa orë më vonë do të përballeni me të paktën një nga simptomat e mëposhtme: irritim, ndjenjë thatësie, skuqje intensive, ënjtje, dhimbje, madje edhe verbëri momentale. Në rastet më të lehta, syri do të pastrohet dhe do të rigjenerohet vetëvetiu, por nëse simptomat zgjasin më shumë se 24 orë, shkoni te mjeku.
KATARAKTI Dielli nuk është shkaktari i vetëm i turbullimit të thjerrëzës së syrit, por definitivisht mund të përshpejtojë shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj rrezeve ultravjollcë mund të bëjë një ndryshim të madh në shikim, veçanërisht në vitet e ’60-ta kur sytë fillojnë të dobësohen vetë.
DEGJENERIMI MAKULAR Ekspozimi i gjatë në diell mund të shkaktojë dëmtim të retinës, dëmtim nga i cili fillon kjo sëmundje. Kini kujdes, mund të çojë deri në verbëri.
KANCERI Dielli i tepërt jo vetëm që mund të shkaktojë melanomë në sy, por edhe rreth syve. Në fakt, 10% e të gjitha llojeve të kancerit të lëkurës paraqiten në kapakun e syrit. Mos harroni të mbroni sytë para se të jetë tepër vonë, sepse ky lloj kanceri mund të depërtojë thellë në zgavrën e syrit dhe të arrijë deri në tru.

Masat mbrojtëse

Rreziku i dëmtimit nga rrezet UV bie automatikisht nëse i ndiqni rregullat e mbrojtjes!
Syze dielli – mbani ato edhe në shi edhe në diell! Zgjidhni një model në të cilin shkruan bllokim UV 400 ose 100% UV bllokim nga UVA dhe UVB. Mos u lodhni me ato modele që promovojnë mbrojtjen UVC, sepse atmosfera i absorbon rrezet C përpara se ato të mund të depërtojnë në sy. E keni gabim nëse mendoni se sa më i errët të jetë xhami, aq më të mbrojtur jeni. Çdo model është i pranueshëm nëse ka një filtër për mbrojtje. Syzet e polarizuara kanë një filtër plus që redukton reflektimin, por nuk është diçka vendimtare. Mos i anashkaloni hijet vetëm sepse mbani thjerrëza me UV mbrojtje, ato megjithatë mbrojnë vetëm një pjesë të vogël të syrit tuaj.
Mos harroni të mbani një kapelë – vetëm një kapele me strehë 7 cm mund të ndihmojë në bllokimin e rrezeve të dëmshme UV në zonën e syve.
Kujdesuni për orën – rrezet e diellit janë më intensive në periudhën midis orës 10 deri në orën 16:00 pasdite, pavarësisht nëse jeni në qytet (rrezet reflektohen nga betoni) ose në plazh (deti dhe rëra bëjnë një reflektim të fortë).
Kontrolloni ilaçet që konsumoni – disa lloje antibiotikësh ose pilula kontraceptive mund të rrisin ndjeshmërinë e syve të ekspozuar ndaj diellit, duke nxitur djegie më të shpejtë dhe në një nivel më të ulët ekspozimi. Nëse merrni këto lloje ilaçesh, bisedoni me mjekun tuaj nëse dhe si ndikojnë në shëndetin e syve. Kushtoni vëmendje të veçantë tri rregullave të mësipërme që të jeni të mbrojtur.

Super ushqim për shikimin

Ushqeni sytë me përbërësit e mëposhtëm: luteinën dhe zeaksantinën. Këto karotenoide ndihmojnë në filtrimin e rrezeve UV, veprojnë kundër dëmtimve nga dielli dhe ju mbajnë larg kataraktit dhe degjenerimit makular. Këta përbërës magjik mund t’i gjeni vetëm në gjysmë pjate spinaq ose lakër jeshile në ditë, dhe gjithashtu janë të disponueshme në misër, brokoli, bizele dhe marule. Boronicat dhe vishnjat janë antioksidantë të fortë të cilat ofrojnë mbrojtje natyrale kundër radikaleve të lira të emetuara nga rrezet UV. Këto fruta e përmirësojnë qarkullimin dhe qartësinë vizuale të syve.