Forconi imunitetin tuaj, para ndryshimeve sezonale

Forconi imunitetin tuaj, para ndryshimeve sezonale

Moti i vjeshtës dhe ndryshimet sezonale për shumë prej nesh janë sinonim i rënies së imunitetit, paraqitjes së ftohjeve dhe kollitjes, e pikërisht për këtë, fillojmë të mendojmë se si ta përgatisim organizmin tonë, të forcojmë imunitetin dhe të mbrohemi më lehtë. Sistemi imunitar është një sistem për vetëmbrojtje, i cili përbëhet nga qeliza të cilat e ndihmojnë trupin të bëjë dallim mes molekulave që nuk i përkasin trupit tonë. Të gjithë përbërësit duhet të mirëmbahen dhe të plotësohen vazhdimisht, për t’u mbrojtur nga mikroorganizmat të cilat na sulmojnë vazhdimisht.
Ekzistojnë më shumë nivele të mbrojtjes kundër patogjenëve invazivë, dhe atë: barrierat fizike, mekanizmat e imunitetit të lindur dhe imuniteti adaptiv.
Ne mund të ndihmojmë në këtë proces duke zgjedhur mënyrë të shëndetshme të jetesës dhe duke ndjekur udhëzimet e përgjithshme për shëndet të mirë.

Mbështetni sistemin natyror të mbrojtjes së trupit tuaj

Një sistem i fortë imunitar është vija e parë e mbrojtjes nga infeksionet. Kur jeni të shëndetshëm, trupi juaj bën një punë më të mirë në luftën kundër agjentëve të dëmshëm.

• Bëni gjumë të rregullt dhe mjaftueshëm të gjatë

Për shumicën prej nesh, kjo zgjat rreth shtatë deri në tetë orë.

• Menaxhimi i stresit

Mësimi i teknikave të relaksimit, siç është frymëmarrja e kontrolluar dhe strategji të tilla si meditimi, gjithashtu mund t’ju ndihmojnë që të përballeni më mirë.

• Aktiviteti fizik

Praktikimi i aktiviteteve sportive, 2-3 herë në javë me kohëzgjatje prej 45 minutash deri në 1 orë, mund të kontribuojë ndjeshëm në uljen e sekretimit të hormonit të stresit.

• Hani vakte ushqyese me shumë perime, fruta, drithëra dhe bishtajore
• Nëse pini duhan, mundohuni të hiqni dorë prej tij
• Lani shpesh duart me ujë dhe sapun
• Suplemente
Vitaminat dhe suplementet e plotësojnë ushqimin, por nuk e zëvendësojnë atë.
Shpesh nuk marrim mjaftueshëm vitamina përmes ushqimit tonë ose trupi ynë thjesht nuk prodhon mjaftueshëm prej tyre. Në këtë rast, suplementet dhe vitaminat janë një shtesë e shkëlqyer në ushqimin tonë. Vitaminat specifike, si për shembull, multivitaminat, hekuri dhe magnezi, duhet të merren gjatë gjithë vitit. Megjithatë, ka vitamina thelbësore që nuk mund t’i anashkaloni derisa shkojmë drejt muajve të vjeshtës dhe dimrit.

Vitaminat dhe mineralet thelbësore që kontribuojnë në përshtatjen më të lehtë të organizmit gjatë ndryshimit të stinëve

Vitamina D

Meqenëse kalimi sezonal nga vera në vjeshtë e redukton ekspozimin ndaj dritës së diellit, fillimi i suplementimit me vitaminë D bëhet i domosdoshëm. Statistikat zbulojnë se gjatë vjeshtës, shumë rajone përjetojnë një rënie të orëve të diellit deri në 50%. Ky reduktim mund të çojë në mungesë të vitaminës D, e cila prek 1 miliard njerëz në nivel global. Nivelet e duhura të vitaminës D e forcojnë funksionin imunitar, e zvogëlojnë ndjeshmërinë ndaj infeksioneve, veçanërisht tek pacientët me diabet ose çrregullim hormonal. Prandaj, suplementimi në kohë mbron mirëqenien e përgjithshme pasi prania e dritës së diellit zvogëlohet.

Vitamina C

Me ardhjen e vjeshtës, përfshirja e vitaminës C në rutinën tuaj mund të rrisë imunitetin. Hulumtimet tregojnë se vitamina C përmirëson funksionin imunitar, duke reduktuar rrezikun nga ftohjet dhe gripi gjatë tranzicioneve sezonale. Një studim nga Hemilä et al. (2017) raportoi një ulje prej 14% të gjasave nga ftohja me suplemente të rregullta të vitaminës C. Kjo është një nga masat proaktive për të mbrojtur shëndetin derisa temperaturat ndryshojnë, duke mbështetur mirëqenien e përgjithshme.

Kompleksi B

Marrja e kompleksit të vitaminës B gjatë ndryshimit të stinëve është thelbësore për shkak të rolit të tij në mbështetjen e funksionit imunitar dhe prodhimit të energjisë. Një studim nga Dagllas (2018) zbuloi se personat që merrnin suplemente të kompleksit të vitaminës B kishin një reduktim prej 20% të simptomave të ftohjes dhe gripit gjatë tranzicioneve sezonale. Kompleksi i vitaminës B ndihmon në ruajtjen e mirëqenies së përgjithshme dhe përshtatjen me ndryshimin e kushteve mjedisore, duke ndihmuar në plotësimin e energjisë së humbur. Një këshillë shtesë është marrja e një preparati të kombinuar që përmban kompleksin B dhe prebiotikë. Prebiotikët mbështesin florën e zorrëve dhe ndihmojnë në shfrytëzimin më të mirë të të gjitha vitaminave dhe mineraleve, por edhe në krijimin e vitaminave të grupit B.

Zinku dhe seleni

Statistikat tregojnë se mungesa e zinkut është e zakonshme, duke prekur deri në 17% të popullsisë botërore. Ky kombinim i zinkut dhe selenit është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët që kanë probleme me gjëndrën tiroide dhe për këtë shkak kanë problem me përshtatjen ndaj ndryshimeve të temperaturës. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se zinku dhe seleni janë mbështetje e vërtetuar antioksiduese.

Acidet yndyrore omega 3

Bëni gjithashtu pjesë të rutinës suaj edhe acidet yndyrore Omega-3. Studimet tregojnë se acidet yndyrore omega-3 ndihmojnë në zbutjen e çrregullimeve emocionale sezonale (SAD), gjatë muajve pa diell, duke përmirësuar prodhimin e serotoninës (hormonit të lumturisë). Përveç kësaj, Omega-3 zvogëlojnë inflamacionin, duke forcuar sistemin imunitar gjatë ndryshimit të temperaturave.

Konkluzioni

Gjatë përshtatjes me ndryshimet sezonale nga vera në vjeshtë, përfshirja e suplementeve të duhura mund të mbështesë mirëqenien tuaj. Jepni përparësi vitaminës D për të ruajtur shëndetin e kockave dhe për të zvogëluar shkallën e infeksioneve, vitaminës C për të mbështetur imunitetin dhe acideve yndyrore Omega-3 për të kontrolluar inflamacionin. Mbani mend, një ushqim i balancuar, hidratimi dhe ushtrimet e rregullta fizike janë thelbësore. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj për më shumë udhëzime.

Dr. Sandra Jovanovska
Doktoreshë e mjekësisë së përgjithshme