Fuqia shëruese e të qeshurit

Fuqia shëruese e të qeshurit

Parandalimi më i mirë kundër ftohjeve të dimrit dhe depresionit

Thuhet shpesh se e qeshura është ilaçi më i mirë për shpirtin – një frazë e cila ka shumë shkencë pas saj. Ajo është stimuluesi më i fortë i endorfinës, hormonit të lumturisë i cili përmirëson humorin dhe ndjenjën për vetveten. Është e njëjta mirëqenie që e ndjejmë pas stërvitjes, shëtitjes në diell, një vakti të shijshëm dhe pas një sërë aktivitetesh të tjera të vogla nga përditshmëria të cilat në mënyrë të pavetëdijshme na bëjnë të lumtur.

I magjepsur nga përfitimet e të qeshurit, një mjek nga Mumbai, Dr. Madan Kataria, e krijoi Klubin e tij të qeshjes në vitin 1955. Gjegjësisht, ai mblodhi një grup të vogël njerëzish dhe i dërgonte çdo ditë në një nga parqet publike të qytetit për të shkëmbyer shaka dhe histori qesharake. Kalimtarët e rastit ishin të intriguar nga të qeshurat e zëshme dhe së shpejti grupi prej pesë personash u rrit në rreth pesëdhjetë persona.

Kur u mbaronin historitë për të treguar, mjeku i inkurajonte të qeshnin pa arsye, të aktronin tingujt e të qeshurit, në mënyrë që e qeshura të bëhej e vërtetë dhe ngjitëse. Kjo praktikë u rrit në një teknikë të re të quajtur joga e të qeshurit, e cila sot po praktikohet në të gjithë botën.

Një seancë tipike joga e të qeshurit përfshin ushtrime të frymëmarrjes, shtrirje dhe më pas udhëzime që synojnë t’ju bëjnë të qeshni – duke kujtuar kujtime qesharake ose thjesht duke aktruar lloje të ndryshme të qeshurash që gradualisht do të kalojnë nga të rreme në të vërteta. Sapo e qeshura e vërtetë të pushtojë orën, të pranishmit do të ndjejnë përfitimet.

Përfitimet më të rëndësishme nga e qeshura

E qeshura redukton stresin dhe tensionin, relakson muskujt dhe siguron gjumë të qetë. Disa hulumtime tregojnë se forcon sistemin imunitar, sepse përmes të qeshurit qelizat furnizohen me më shumë oksigjen dhe kjo përmirëson edhe nivelin e energjisë. E qeshura është lloji më argëtues i ushtrimeve kardiovaskulare, përmes të qeshurit përmirësohet toni i muskujve, veçanërisht në zonën e barkut.

Shkenca pas të qeshurit?

Dr. Li Berk, profesor i asociuar në Universitetin Loma Linda në Kaliforni, filloi të hulumtojë përfitimet e të qeshurit në fund të viteve 1970. Ai konstatoi se e qeshura mund të zvogëlojë efektet negative të kortizolit, hormonit të stresit. Hulumtimi i Berk zbuloi gjithashtu se e qeshura mund të rrisë nivelin e qelizave natyrore vrasëse, një lloj qelizash të bardha të gjakut, të cilat nevojiten për të luftuar viruset dhe qelizat tumorale, si dhe për të ruajtur shëndetin e përgjithshëm të trupit. Që atëherë, janë kryer shumë studime që lidhin të qeshurit me përfitime të tjera shëndetësore:

Reduktimi i ankthit

Në një studim laboratorik, subjektet u drejtuan gabimisht të besonin se do të merrnin goditje elektrike pas 12 minutash. Ndërsa prisnin që të ndodhte goditja, atyre iu është lëshuar një regjistrim qesharak, një pjesë e grupit dëgjoi një regjistrim që nuk ishte qesharak dhe një pjesë e grupit nuk dëgjoi asnjë regjistrim. Ndërkohë, u mateshin shënuesit e ankthit. Ata që dëgjuan regjistrimin qesharak u vlerësuan si më pak të shqetësuar nga dy grupet e tjera.

Përmirësimi i shëndetit të përgjithshëm

Një studim i publikuar në vitin 2014 analizoi ndikimin e seancave të jogës së të qeshurit në shëndetin e përgjithshëm të 38 studentëve meshkuj të mjekësisë. Disave nga pjesëmarrësit iu caktua një seancë në javë e jogës së të qeshurit, ndërsa të tjerët nuk ndiqnin fare jogën. Në përgjithësi, grupi që mori pjesë në jogën e të qeshurit tregoi përmirësime në shëndetin e përgjithshëm, cilësinë e gjumit, duke reduktuar simptomat e ankthit dhe depresionit. Edhe pse rezultatet janë premtuese, duhet pasur parasysh se ky hulumtim është realizuar vetëm te meshkujt.

Menaxhimi i menopauzës

Një studim i vitit 2012 hulumtoi nëse terapia e të qeshurit mund të ketë një ndikim pozitiv te gratë që kalojnë në menopauzë. Subjektet morën pjesë në pesë seanca 30-minutëshe të terapisë së të qeshurit. Rezultatet e tyre u matën në raport me një grup kontrolli. Një varg pyetësorësh zbuluan se terapia e të qeshurit ndihmoi në rritjen e optimizmit dhe vetëbesimit, si dhe në uljen e depresionit te gratë në menopauzë, në krahasim me grupin e kontrollit.