Perceptimi i përgjithshëm i kancerit të zorrës së trashë është se prek të moshuarit, madje më shpesh meshkujt. Por statistikat e fundit zbulojnë një realitet të ri: simptomat e kësaj sëmundjeje (gazrat, ndryshimi i zakoneve të zorrëve, gjakderdhja, diarreja, kapsllëku, anemia) po prekin gjithnjë e më shumë njerëzit midis të 20-tave dhe 30-tave. Kanceri i zorrës së trashë në popullatën femërore është në rritje me 4% krahasuar me 20 vjet më parë, ndërsa rastet tek burrat mbeten të qëndrueshëm. Kanceri i zorrës së trashë është aktualisht sëmundja e dytë më e zakonshme që prek femrat në Shtetet e Bashkuara.
Kur justifikohet kujdesi?
Aspekti më shqetësues i gjithë situatës? Shumë raste zbulohen në një fazë të përparuar, sepse diagnostikohen gabimisht ose diagnostikohen vonë. “Nëse zbulohet herët, në fazën e parë, 98% e njerëzve me siguri do të jetojnë 5 vjet ose më shumë,” thotë Villi Hamilton (Willie Hamilton), një profesor i kujdesit primar dhe diagnozës në Universitetin e Shkollës Mjekësore Exeter dhe këshilltar mjekësor për rastet sociale në organizatën Mposhtja e Kancerit të Zorrëve (Beating Bowel Cander) në Mbretërinë e Bashkuar.
“Por e vërteta e trishtë është se shumë të rinj kanë më pak të ngjarë të mbijetojnë sepse ata shpesh përballen me një diagnozë të vonshme. “Tre në pesë raste të diagnostikuara nën moshën 50 vjeç zbulohen në fazën e tretë ose të katërt dhe një e treta e tyre janë urgjente.” Dhe ndërsa ekspertët vazhdimisht punojnë për të identifikuar shkaqet e numrit në rritje të pacientëve, mospërputhja në zakonet e shëndetshme duket se është fajtori kryesor.
Si duket në jetën reale? Epo, si kjo: Të hënën jeni angazhuar maksimalisht, gjithçka që keni ngrënë ka qenë e shëndetshme, e bërë në shtëpi dhe gjithashtu keni ushtruar. Por ndërsa java vazhdonte, gabimet u grumbulluan njëra mbi tjetrën. Ju e prishët dietën me një hamburger, natyrisht, edhe me lëng të gazuar, kurse për stërvitjen gjetët një justifikim vërtet të mirë. Luhatje të tilla në marrjen e lëndëve ushqyese tekstualisht nënkuptojnë grabitjen e karburantit i cili është i nevojshëm që zorra e trashë të jetë e shëndetshme dhe e fuqishme.
Të qenit mbipeshë është gjithashtu një problem: pothuajse 11% e kancereve të zorrëve janë të lidhura me obisitetin sipas një rishikimi nga IARC Manualët e Parandalimit të Kancerit- agjenci e pavarur e kancerit që është pjesë e OBSH.
“Pacientët e mi pranojnë se ata nuk hanë aq mirë sa do të dëshironin sepse ata vazhdimisht garojnë me kohën dhe në atë rast ushqimi i rëndë dhe i përpunuar është një zgjidhje e mirëpritur,” thotë David Mkardhur (David McArthur), një kirurg kolorektal në spitalin Spare Parkway. “Ushqimi, alkooli dhe pesha luajnë një rol kryesor në llogaritjen e rrezikut të kancerit të zorrës së trashë”.
Sipas një raporti të OBSH-së për vitin 2015, ka të ngjarë të ketë një lidhje midis mishit të kuq dhe kancerit të zorrës së trashë, veçanërisht nëse mishi përpunohet. Asgjë nuk ju kushton të zvogëloni konsumin, veçanërisht furnizimin me mish të përpunuar në mënyrë që të zvogëloni rrezikun. “Ta themi thjesht, ajo që vendosni në gojë me siguri do të arrijë në zorrën e trashë”, thotë Stefen Fenvik (Stephen Fenwick), një konsulent kirurg hepatobiliar në spitalin universitar Aintree. “Nëse ka ndonjë element kancerogjen në atë që ju konsumoni, ai do të vijë në kontakt të drejtpërdrejtë me zorrën e trashë.”
PR i gabuar për sëmundjen
Kanceri i zorrës së trashë thjesht nuk është në qendër të vëmendjes së njerëzve në të 20-at apo 30-tat e tyre. Ndërgjegjësimi është shumë i ulët, ndërsa sikleti është i lartë. Ndodh që njerëzit heshtin për disa nga simptomat, sepse ato janë jashtëzakonisht të pakëndshme. “Njerëzit kanë turp për simptomat e kësaj sëmundjeje: gjakderdhje rektale, diarre, kapsllëk, gaz, ngërçe, ndjenjë dhe dëshirë për t’u zbrazur”, thotë Mkardhur.
Megjithëse numri i pacientëve të rinj është në rritje, besimi se nuk është menduar për ta ende mbizotëron dhe kështu arrin të kalojë pa diagnozë. Nga ana tjetër, ky lloj kanceri është mjaft tinëzar – simptomat tipike të kancerit të zorrës së trashë përputhen me shumë çrregullime të cilat mund të trajtohen.
“Nuk duhet nënvlerësuar numri i njerëzve që kanë treguar simptoma për më shumë se 2 vjet, por janë dërguar në shtëpi me një diagnozë të hemorroideve,” thotë Mkarthur. Simptoma të tilla si dhimbja e barkut dhe ngërçet shpesh ngatërrohen me sindromën e zorrës së irrituar. Sidoqoftë, çdo diagnozë e çrregullimit digjestiv shoqëruar nga trajtimi i duhur mund të nënkuptojë zgjatjen e jetës.
Skriningu është opsioni më i sigurt për t’i dhënë fund të gjitha dyshimeve. Ne po flasim për testim të drejtpërdrejtë të zorrës së trashë – një tub i hollë me kamerë në një skaj përdoret për të kontrolluar dhe hequr çdo polip në zorrë. Ekziston një mundësi për shqyrtim edhe në kushte shtëpiake, por nuk është përfundimtare. Vetëm sinjalizon nëse testet shtesë janë të nevojshme. Këshilla më e mirë për cilindo që përjeton simptoma ose dyshon se ka kancer të zorrës së trashë për shkak të një historie familjare dhe një numri motivesh të tjera është të vizitojë mjekun dhe të bëjë një kolonoskopi.
Mos e lër të përbirohet
Kur bëhet fjalë për parandalimin, nuk ka asgjë që nuk e dini tashmë. Mos pini duhan dhe bëni kujdes me sasinë e alkoolit, sepse ata që konsumojnë rregullisht janë më të prekshëm nga sëmundja. Siç u përmend, të ushqyerit luan një rol të madh, kështu që është e nevojshme një bollëk fibrash – bishtajore, drithëra integral, perime – që gjërat të notojnë siç duhet. Hej, dhe ngadalë me proshutën!
Ka prova në rritje që sugjerojnë se shëndeti i zorrëve dhe stomakut luajnë një rol kryesor. “Inflamacioni akut rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit”, thotë Mkartur. “Mikrobioma e fortë e zorrëve është treguar se zvogëlon inflamacionin, kështu që shumë njerëz mendojnë se minimizon rrezikun e kancerit të zorrës së trashë”.
Prandaj, zvogëloni rrezikun duke konsumuar stimulues natyralë të baktereve të mira në stomak siç janë artiçoka, mollët, lakra turshi. Ushtrimi vetëm dy orë e gjysmë në javë zvogëlon rrezikun me 24%, sipas një studimi nga British Journal Of Cancer.
Strategji tjetër e thjeshtë? Jini proaktivë, kërkoni një mendim të dytë nëse gjendjen tuaj vazhdimisht e lidhin me stresin, kurse ju asnjëherë s’keni qenë më i lumtur. Një përshkrim i hollësishëm i simptomave, sado të pakëndshme dhe këmbëngulja për një testim mund t’ju shpëtojnë jetën. Nëse simptomat vazhdojnë, vazhdoni edhe ju me insistimet tuaja. Pavarësisht se po rritet, kanceri i zorrës së trashë ka nivelin më të lartë të mbijetesës, por vetëm nëse kapet në kohë dhe kurohet. Çrregullimet inflamatore gastrointestinale, të tilla si koliti ulçeroz ose sëmundja e Kronit, mund të rrisin shanset tuaja për kancer të zorrës së trashë.
Për të përmbledhur: Në 90% të rasteve, kanceri i zorrës së trashë mund të ketë një rezultat të suksesshëm. Simptomat nuk duhet të shkaktojnë panik, gjaku në letër higjienike nuk do të thotë automatikisht kancer. Por është një motiv mjaft i fortë për ekzaminim dhe kolonoskopi. Njerëzit e çdo moshe, me një histori familjare të sëmundjes, faktorë të tjerë të rrezikut ose me simptoma duhet të vizitojnë mjekun menjëherë. Ta themi thjesht, flisni me personin tuaj të besuar. Do të jetë e vështirë, por mund t’ju sjellë vite në llogarin e jetës suaj.
Mësoni të dalloni simptomat
Ju me siguri jeni mirë
Gjak i kuq i ndezur në letrën e tualetit pas jashtëqitjes- ka shumë të ngjarë që të keni një lot të vogël anal (të çarë- ose hemoroide të padëmshme).
Ju me siguri nuk jeni mirë
Gjak më i errët ose mpiksje gjaku. Ngjyra e gjakut është një tregues se sa kohë ka qenë në zorrën e trashë dhe nga sa lart vjen. Kjo është një shenjë e mundshme e gjakderdhjes së zorrës së trashë.
Ju me siguri jeni mirë
Stres ose kapsllëk që zgjat një javë ose edhe dy. Ju thjesht mund të jeni dehidratuar.
Ju me siguri nuk jeni mirë
Kapsllëku i zgjatur për 3 javë ose më shumë, i shoqëruar me feces të holla (si lapsi). Kapsllëku është një gjendje relative – frekuenca e nevojës për jashtëqitje është e ndryshme për secilin; konkludoni çka është e pazakontë për ju.
Ju me siguri jeni mirë
Ngërçe ose fryrje e barkut.
Ju me siguri nuk jeni mirë
Dhimbje të rregullta të barkut që ndikojnë në rutinën e përditshme. Shkoni te mjeku!
Parimet e të ushqyerit
Ulni mishin e kuq
Studimi, i botuar në Gazeta Amerikane e Gastroenterologjisë (The American Journal of Gastroenterology), zbuloi se mishi i bardhë ul rrezikun e kancerit të zorrës së trashë, ndërsa studime të tjera zbuluan se rreziku rritet me konsumimin e rregullt të mishit të përpunuar. OBSH këshillon jo më shumë se 500 g mish të kuq në javë (shpërndarë në 3 vakte) dhe refuzimin e plotë të mishit të përpunuar.
Mos i anashkaloni perimet jeshile
Sidomos jo brokolin! Perimet në grupin e lakrave përmbajnë sasi të mëdha sulforafanit, një substancë që lufton kancerin e zorrës së trashë. Synoni për brokolin e ri, nëse mundeni, sepse përmban 50 herë më shumë squfur sesa brokoli i pjekur.
Pasuroni sallatat me farat e shegës
Sipas Universitetit të Warwick, këto fara frutash përmbajnë përbërës natyralë që aktivizojnë autofaginë (një term që i referohet aftësisë së trupit për t’u çliruar nga qelizat e dëmtuara). Rrushi i kuq, dardha, kërpudhat, thjerrëzat dhe bizelet po ashtu janë shumë ndihmuese.
Vazhdoni të pini kafe
Sipas Universitetit të Kalifornisë Jugore, dy gota e gjysmë në ditë mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit për 50%. Kafeja pa kafeinë është gjithashtu një mundësi.
Bërthamat (kokrrat e fruatve) janë aleati juaj
Arrat lëshojnë enzima mbrojtëse që pengojnë rritjen e qelizave kancerogjene. Plus, hulumtimi nga Shoqëria Amerikane e Onkologjisë Klinike zbuloi se njerëzit që hanin 55 gram lajthi, bajame, arra në javë kishin një rrezik 42% më të ulët të kancerit.
Hani bukë integrale dhe oriz kafe
Ushqimet me shumë fibra, përfshirë orizin kafe të paktën një herë në javë dhe 3 racione të drithërave, ulin rrezikun e kancerit të zorrës së trashë përkatësisht me 40% dhe 17%.