Tregoni qëndrim, pa e ngritur zërin!
Si duket një person me vetëbesim? Apo si tingëllon? Ndoshta i zëshëm? Dominues, madje agresiv në ndonjë moment? Nuk është gjithmonë ashtu!
Një person me vetëbesim nuk është gjithmonë më i zëshmi nga të tjerët, ose ai që ka fjalën kryesore gjithmonë dhe kudo. Personat me vetëbesim shpesh janë tipa të njerëzve të cilët vëzhgojnë, dëgjojnë me kujdes dhe e marrin fjalën vetëm nëse kanë diçka të rëndësishme për të thënë.
Ndjenjën e vetëbesimit disa njerëz e mbajnë të gdhendur thellë në vetvete, si një besim të brendshëm e të heshtur në aftësitë e tyre, prandaj duhet kohë që të tjerët të kuptojnë se ata e posedojnë atë.
Rrjedhimisht, mund të konkludohet se personat introvertë mund të jenë plot vetëbesim! Ajo që i bën ata të ndryshëm nga njerëzit ekstrovertë me vetëbesim është mënyra delikate dhe diskrete e zbulimit të kapaciteteve të tyre në publik.
Në shoqërinë e ekstrovertëve (të cilët, sipas hulumtimeve, zënë dy të tretat e shoqërisë), introvertët janë gjithmonë të “pushtuar” dhe të tejkaluar në bisedë. Por, një person me vetëbesim të mjaftueshëm nuk do të kishte problem me një gjë të tillë. Pse? Sepse njerëzit që kanë vetëbesim të mjaftueshëm dhe janë të vetëdijshëm për vlerën e tyre, nuk kanë nevojë të tregojnë veten e tyre, aq më pak të dallohen.
Ata thjesht i lejojnë të tjerët të plotësojnë nevojën e tyre për t’u treguar, dhe më pas me qetësi, pa shumë bujë, shprehin qëndrimin e tyre të pakundërshtueshëm. Por, sa do t’i dëgjojnë të tjerët? Këtu qëndron ndoshta sfida më e madhe për introvertët, ata duhet të përdorin një strategji të veçantë për të vërtetuar vlerën e tyre, sepse rrethi zakonisht vë re ata që parakalojnë me moton: “Unë jam më i miri në gjithçka!”
Nëse e gjeni veten në këtë situatë, duhet të tregoheni të mençur dhe të ndërgjegjësoheni për fuqinë që kanë njerëzit e qetë në një dhomë plot me njerëz që flasin me zë të lartë. Gjëja më e rëndësishme është të gjeni momentin e duhur kur të shfaqeni – një nivel arrogance që ju lejon të ruani integritetin, pa e ulur veten.
Të njëjtën gjë mund ta arrini edhe përmes gjuhës së trupit – sigurohuni që veshja juaj ju bën të ndiheni të sigurt, ecni gjithmonë drejt, shikoni personin me të cilin po flisni drejtpërdrejt në sy dhe ndërsa qëndroni ulur, mos tregoni asnjë shenjë turpi ose shqetësimi. Atë që doni të thoni, thoni qartë dhe jini konstruktiv, nga fjalët tuaja gjithmonë le të dalin vepra.
Njihni gjithashtu fuqinë e pauzës dramatike – mos nxitoni me deklaratat tuaja, mos premtoni gjithçka. Heshtni me vetëdije në mënyrë që të vërehet se në vete po thurni një zgjidhje Solomonike.
Kini parasysh se ekstrovertët tipikë që e shpallin veten ambicioz dhe të paarritshëm, të cilët premtojnë të arrijnë 100%, deri dje kanë qenë në fakt individë plot pasiguri dhe dyshime. Nëpërmjet qasjes agresive ata në fakt po përpiqen të mbulojnë pasigurinë e tyre.
Një rregull tjetër për introvertët me vetëbesim – përpiquni të mos i nënvlerësoni të tjerët. Personat që vërtet kanë vetëbesim nuk kanë nevojë të shkelin ata që i rrethojnë, sepse ata e kuptojnë se në botë nuk ekziston sasi absolute suksesi dhe miratimi. Personat që kanë vërtet vetëbesim janë të zënë duke u fokusuar në qëllimet e tyre dhe jo në atë që kanë arritur të tjerët.
Nëse ndonjë nga këshillat e përmendura nuk ju përshtatet – thjesht nuk ju vjen natyrshëm që t’i zbatoni – ushtroni ato! Ushtroni përpara pasqyrës fjalimin, prezantimin, bisedën e rëndësishme, derisa të tingëllojë perfekt. Në fakt, këtë e bënte edhe legjendari Steve Jobs, themeluesi i Apple. Të folurit publik nuk ishte pika e tij e fortë, por me praktikë ai arriti të bëhej një nga folësit publikë më mbresëlënës në botën moderne.
Po ju kujtojmë thënien e famshme të introvertit më të njohur në botë, Albert Einstein: “Çdo njeri është gjeni. Por, nëse gjykoni një peshk në bazë të aftësisë së tij për t’u ngjitur në pemë, ai do ta kalojë jetën duke besuar se është budalla.”
Mos lejoni askënd që t’ju bëjë të ndiheni se vetëbesimi juaj nuk vlen. Filloni të besoni se vleni! Mjafton vetëm ky mendim, sepse mund t’ju dërgojë kudo.