Lëkurë me shkëlqim

Lëkurë me shkëlqim

Metoda koreane për lëkurë të hidratuar në verë

Nëse është për fytyrë dhe është koreane, duhet të jetë e mirë, apo jo? Gratë anembanë botës janë çmendur pas produkteve koreane, sepse ato me të vërtetë e përmbushin premtimin për një fytyrë të shëndetshme, të butë si mëndafshi dhe me efekt të qelqtë.

Nga filozofia koreane për kujdesin e lëkurës burojnë shumë teknika për hidratim dhe ripërtëritje të barrierës së lëkurës, të cilat mund t’i përdorni pavarësisht nëse produktet që përdorni janë me origjinë koreane apo jo.

Metoda për bllokimin e lagështisë në fytyrë (skin slugging) është një teknikë që promovon aplikimin e një shtrese të trashë (zakonisht vazelinë) si hapi i fundit në rutinën e mbrëmjes, me qëllim që të ruhet lagështia dhe të ushqehet fytyra gjatë muajve të ftohtë. Por, për këtë do të flasim sapo të fillojmë të veshim palltot.
Në këtë numër, do të fokusohemi te metoda e shkëlqimit të lëkurës (skin glazing) – një teknikë më e re që promovon hidratim në shtresa, pa i bllokuar poret dhe pa e rënduar fytyrën.

Çfarë nënkupton metoda e shkëlqimit të lëkurës?

Në këtë metodë koreane, në vend të një shtrese të rëndë, aplikohen disa produkte të lehta dhe me bazë uji në shtresa, me qëllim që të arrihet një lëkurë me shkëlqim dhe e hidratuar, pa ndjesinë e yndyrës.
Duhet të kërkoni tonifikues me bazë qumështi dhe esenca me bazë uji, të cilat mund t’i përdorni edhe disa herë gjatë ditës, pasi janë të lehta, nuk e rëndojnë lëkurën dhe janë ideale për lëkurë të kombinuar ose të yndyrshme, e cila mund të dehidratohet pavarësisht se prodhon tepricë sebumi.

Pse ta përdorni këtë metodë?

“Në verë, veçanërisht te lëkura e yndyrshme dhe e kombinuar, aplikimi me shtresa i teksturave të lehta është një mënyrë e shkëlqyer për të arritur hidratim pa ndjesinë e rëndesës në fytyrë”, thotë Dr. Shin-Jong Ço, dermatologe koreane.
Kjo teknikë ndjek filozofinë e bukurisë koreane, por është më e thjeshtuar – në vend të dhjetë hapave, përdoren vetëm disa produkte të lehta të përzgjedhura për të hidratuar lëkurën dhe për të forcuar barrierën e saj mbrojtëse.

Tonifikuesit me teksturë qumështi, sipas Dr. Ço, luajnë një rol të rëndësishëm në arritjen e pamjes së lëkurës së qelqtë dhe të mëndafshtë – pikërisht ai përfundim i njohur i kozmetikës koreane.
Shtresat e lehta janë ideale për një hidratim që lejon lëkurën të marrë frymë, veçanërisht gjatë muajve më të ngrohtë ose nëse lëkura është e prirur ndaj yndyrës.

Si praktikohet kjo metodë?

Shkëlqimi i lëkurës nuk kërkon një rutinë të ndërlikuar – çelësi qëndron në renditjen e produkteve dhe në përdorimin e teksturave të lehta.

Rutinë shembull:

1. Pastrimi i fytyrës
2. Mist (spërkatës) për fytyrë
3. Tonifikues me bazë qumështi (për lëkurë të kombinuar/të yndyrshme) ose esencë me bazë uji (për lëkurë shumë të yndyrshme)
4. Krem për sy (sipas nevojës)
5. Serum hidratues (me niacinamide, acid azelaik ose acid salicilik për ndriçim dhe rregullim të sebumit)
6. Krem ditor me SPF ose një hidratues të lehtë në mbrëmje

Si të aplikoni shtresat në mënyrën e duhur?
  • Gjithmonë aplikoni produktet nga më i lehti te më i rëndi.
  • Lini kohë mes shtresave që të përthithen – nëse diçka ngjitet ose fillon të shkëputet nga fytyra, prisni pak para se të aplikoni produktin tjetër.
  • Shmangni përdorimin e shumë përbërësve aktivë në të njëjtën kohë (p.sh., retinoide dhe acide), sepse mund të acarojnë lëkurën.
  • Nëse përdorni formula me bazë uji, shmangni produktet që përmbajnë silikone.
  • Aplikoni sasi të vogla nga secili produkt – lëkura ka një kufi se sa mund të përthithë.
A ekziston ndonjë rrezik?

Po, nëse e teproni me numrin e produkteve ose me përbërësit aktivë, mund të shkaktoni irritim ose të dëmtoni barrierën mbrojtëse të lëkurës. Prandaj është e rëndësishme të dëgjoni lëkurën tuaj dhe të përshtatni hapat sipas nevojës.

Udhëzues i shkurtër: Cilët përbërës t’i kërkoni te produktet për shkëlqimin e lëkurës?

Për t’u orientuar më lehtë në zgjedhjen e produkteve për këtë teknikë, ja disa përbërës që janë perfekt për metodën:

  • Acid hialuronik – lidh ujin dhe hidraton në thellësi.
  • Glicerinë – ruan lagështinë në lëkurë.
  • Niacinamid – balancon prodhimin e sebumit, ngushton poret dhe përmirëson ngjyrën e lëkurës.
  • Panthenol (vitamina B5) – qetëson dhe ripërtërin barrierën mbrojtëse të lëkurës.
  • Çaj jeshil, centella asiatica (e njohur si bari tigër), aloe vera – përbërës natyralë që qetësojnë lëkurën e ndjeshme dhe të yndyrshme.

Shmangni produktet me shumë alkool ose aroma artificiale, pasi ato mund ta thajnë ose ta acarojnë lëkurën, veçanërisht nëse është e ndjeshme.