Grimi është një ritual të cilin femrat e përjetojnë ndryshe. Për disa, qëllimi i grimit është të mbrojë dhe ushqejë lëkurën dhe të përmirësojë në mënyrë delikate tiparet e fytyrës. Për të tjerat, ai shërben për të nxjerrë në pah bukurinë e femrës dhe për ta ndarë atë nga turma. Ka edhe nga ata që, në varësi të rastit dhe humorit, anojnë nga njëri, apo koncepti tjetër.
Me këtë ritual femrat nxirrnin në pah sensualitetin e tyre me qëllim që t’u pëlqejnë meshkujve dhe rrethit. Sot, grimi është i rezervuar për femrat me vetëbesim, të cilat e përdorin atë për të nxjerrë në pah individualitetin e tyre.
Cilido qoftë qëllimi që dëshironi të arrini përmes grimit, gjithçka bie në ujë nëse nuk i zotëroni lëvizjet kryesore. Është më mirë të shfaqeni pa grim, sesa me një grim të çrregullt dhe të aplikuar gabimisht.
Buzë intensive
Buzët e errëta në nuancat e kuqe dhe kafe, karakteristikë e viteve ’90, janë sërish aktuale me ndryshimin se sot janë të pranueshme edhe gjatë ditës. Për shembull, nuk do të gaboni nëse aplikoni buzëkuq me ngjyrë të kuqe në punë.
Saktësia është çelësi me buzët e errëta, përndryshe do të dukeni të çrregullt. Prandaj, aplikoni buzëkuqin me një brushë të hollë për të vizatuar kufijtë e buzëve dhe që të mund ta aplikoni buzëkuqin në mënyrë të njëtrajtshme. Nëse është më e lehtë për ju, vizatoni buzët paraprakisht me laps për ta lehtësuar aplikimin e buzëkuqit.
Për pak shkëlqim, aplikoni balsam buzësh në pjesën qendrore të buzës së poshtme.
Buzët e errëta dhe vetullat e theksuara janë një kombinim i mrekullueshëm. Buzët e errëta e mbajnë fokusin në pjesën e poshtme të fytyrës, por vetullat e theksuara e ngrejnë fokusin për disa centimetra, duke krijuar një ekuilibër të shkëlqyer.
Buzët e kuqe dhe sytë e grimuar shumë gjatë ditës, janë të tepruara. Prandaj, anashkaloni kapakët e syve dhe eventualisht theksoni vetëm qerpikët.
Lëkurë me shkëlqim
Nevoja për grim me një efekt shkëlqyes dhe me ndriçim, rezultoi me krijimin e një produkti revolucionar të njohur si highlighter (hajllajter). Vjen në formën e stik-ut, në formë të lëngshme, në formë të pudrës dhe shërben për të theksuar konturet kryesore të fytyrës.
Highliter-i mund t’ju shërbejë për të krijuar dy efekte krejtësisht të ndryshme: shkëlqimin e shëndetshëm që merrni natyrshëm pas stërvitjes, dhe nga ana tjetër magjepsjen klasike të Hollivudit që nënkupton theksimin e vijave kryesore.
Nëse e aplikoni highlighter-in në të gjithë fytyrën në sasi të vogël, do të fitoni një efekt shkëlqyes, të hidratuar dhe të shëndetshëm të lëkurës. Për një efekt kinematografik, aplikoni highlighter-in duke e prekur lehtë në vendet strategjike të fytyrës.
Mënyra më e lehtë dhe më delikate për të shkëlqyer? Shtoni disa pika nga highliter-i i lëngshëm në pudrën që e përdorni zakonisht. Përzieni mirë përbërësit dhe aplikoni në të gjithë fytyrën.
Highliter-i që vjen në formën e një formule kremi do t’ju ndihmojë të arrini atë shkëlqim hidratues të vesës. Highliter-ët në formë të stik-ut janë më praktikët sepse mund t’i aplikoni direkt në pikat e larta të fytyrës – mollëzat, urën e hundës, pjesët anësore të ballit, majën e mjekrës, majën e buzëve të sipërme. Formula në formë të pudrës jep efekt më të fortë dhe zakonisht rezervohet vetëm për faqet.
Qerpikë luksoz
Janë aq moderne, sa që sot askush nuk mundohet ta fshehë faktin që qerpikët e trashë nuk janë gjithmonë vepër e natyrës.
Për shembull, qerpikët e mëndafshtë duken të natyrshëm, por nevojiten plotësime të rregullta sepse bien me kalimin e kohës. Nëse nuk keni aq kohë të lirë dhe buxhet për të plotësuar rregullisht qerpikët tuaj, përpiquni të nxirrni maksimumin nga qerpikët tuaj natyralë.
Lakoni ato me një lakues të veçantë, e më pas aplikoni ngjyrë qerpikësh për vëllim. Lyeni qerpikët fije për fije dhe sigurohuni që të kaloni me brushën edhe sipër tyre për të përforcuar efektin.
Nëse zgjidhni variantin e qerpikëve artificialë, zgjidhni një model ku fijet janë të lidhura me një shirit pa ngjyrë, pothuajse të padukshëm (qerpikët me shirit të zi në bazë do të bëjnë të duket sikur keni aplikuar eyeliner dhe kjo gjë zvogëlon sytë). Mundësia më e mirë janë qerpikët në tufa, sepse duken të natyrshëm dhe me një efekt puplash.
Vetulla të dendura
Vetullat e dendura dhe të trasha janë krejtësisht e kundërta e glamurit tradicional me të cilin jemi mësuar. Gratë shkulnin çdo fije të vetme që pengonte vijën e hollë të përsosur. Prandaj, sot vuajnë ata që i kanë rralluar përgjithmonë vetullat për shkak të shkuljes së rregullt.
Sot, vetullat lejohen të jenë të dendura, të çrregullta, të shpërndara dhe pak më të gjata. Për fat të mirë kemi një arsenal të tërë grimi dhe trajtimesh për ta arritur këtë.
Inkurajoni rritjen e vetullave duke i lyer rregullisht me vajra bimorë (ulliri, ricini, liri), detyrimisht krihni ato për të nxitur qarkullimin ose aplikoni lirisht një serum që nxit rritjen.
Vetullat e drejta dhe të mprehta janë aktuale, prandaj krehni ato në atë drejtim – horizontalisht nga jashtë. Mos u drejtoni tek gërshërët apo piskatorja, çdo fije e padisiplinuar do të gjejë vendin e vet nëse i krihni rregullisht vetullat. Brusha më e mirë për këtë efekt është ajo që nuk ndryshon nga brusha e ngjyrës së qerpikëve.
Përdorni një laps vetullash për të mbushur zonat ku fijet nuk rriten. Kini kujdes me lëvizjet, jini të shpejtë dhe mos i rëndoni shumë lapsit kur vizatoni fije të rreme, ato nuk duhet të jenë shumë të theksuara.