21 milionë njerëz aktualisht po teshtijnë, kolliten, pinë antihistamina dhe përpiqen të ulin temperaturën e lartë trupore. Ka edhe nga ata të cilët nuk dalin nga shtëpia për të shmangur teshtitjen dhe dhimbjen e kokës.
Ndoshta gjithçka fillon me një teshtitje, por shumë shpejt kuptoni se keni dhimbje koke, gërvishtje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje. Edhe pse për disa njerëz alergjitë paraqesin sfidë gjatë gjithë vitit, padyshim se përqendrim më të lartë të alergjenëve në ajër ka në muajin maj.
Disa milionë të rritur çdo ditë luftojnë me ndonjë lloj alergjie. Tek 10 milionë prej tyre, nuk bëhet fjalë vetëm për një, në valixhen e tyre imunologjike ata mbajnë 2-3. Simptomat përfshijnë skuqje dhe reaksione të tjera në lëkurë (puçrra, djegie, kruajtje), probleme të frymëmarrjes, të vjella dhe diarre, madje edhe shokun anafilaktik i cili vë edhe jetën në rrezik.
Alergjitë mund të jenë të trashëguara, por kjo nuk do të thotë se ajo që e ka shkaktuar alergjinë e prindërve tuaj, do të jetë shkaku edhe i alergjisë suaj. Alergjia mund të shfaqet edhe në moshën madhore, papritmas, pa asnjë simptomë paraprake. Ato shfaqen kur reagoni ndaj një substance e cila zakonisht nuk është e dëmshme. Në ato çaste, sistemi juaj imunitar e përmbyt trupin tuaj me histamina të cilat duhet të largojnë kërcënimin, duke shkaktuar simptoma klasike të alergjisë.
Bari dhe poleni i luleve
Nëse për disa njerëz luleborat janë shenjë e pranverës, për të tjerët janë lotim dhe teshtitje e pakontrolluar. Shumë shpesh, njerëzit janë të hutuar dhe e trajtojnë rinitin alergjik si një ftohje verore. Si të bëni dallimin midis tyre? Kontrolloni ngjyrën e sekrecionit të hundës. E gjelbra tregon ftohje, kurse ajo transparente tregon alergji.
Kohëzgjatja e simptomave është njëlloj e rëndësishme. Shumica e ftohjeve largohen për një deri dy javë, ndërsa alergjitë zgjasin një muaj të tërë. Një faktor tjetër është edhe sasia e polenit në ajër. Tek disa njerëz, alergjia shfaqet vetëm atëherë kur poleni në ajër arrin një nivel të caktuar.
Do ta ndihmoni shumë veten nëse i mbyllni dyert dhe dritaret dhe nëse e bëni zakon të ndërroni veshjen dhe të bëni dush sapo të ktheheni nga jashtë. Shmangni tharjen e rrobave jashtë, veçanërisht në oborr me bar dhe pemë dhe detyrimisht të mbani syze dielli kur dilni jashtë.
Në barnatore mund të gjeni edhe kremra dhe xhel për parandalim, të cilat aplikohen nën sy ose në membranën e hundës, në mënyrë që të parandaloni polenin të arrijë deri te indet e buta dhe të ndjeshme. Një terapi alternative është edhe ajo me dritë të kuqe – llambë e cila lëshon rreze infra të kuqe në sinus dhe hundë. Premton zvogëlimin e sasisë së çliruar të histaminës.
Pluhuri
Parazitët mikroskopikë që jetojnë në rroba, mobilie dhe mbulesat e shtratit (më shumë se 10 milionë parazitë jetojnë në një shtrat), “lehtësohen” të paktën 20 herë në ditë dhe jashtëqitja e tyre është shkaku i paraqitjes së astmës, ekzemës dhe rinitit alergjik (teshtitjes dhe kruajtjes).
Është i nevojshëm pastrim i tërësishëm dhe me themel i shtëpisë për të hequr qafe parazitët, të lahen çarçafët dhe shtrojat në temperaturë prej 60 gradë çdo javë, si dhe të mbroni shtratin dhe jastëkët me mbulesa anti-alergjike.
Fshirja e rregullt e pluhurit dhe pastrimi i tapeteve me fshesë me korrent është gjithashtu e domosdoshme. Më mirë akoma, zëvendësoni tapetet me dysheme druri.
Bëjeni zakon të pastroni ajrin me një enë porcelani me kristale natyrale. Përdoreni për 15 deri në 20 minuta në ditë kur simptomat përkeqësohen, për të reduktuar sekrecionet dhe për të pastruar rrugët e frymëmarrjes. Funksionon në mënyrë të ngjashme me terapinë e dhomës së kripës dhe e gjithë ideja bazohet në njohuritë se minatorët që punojnë në miniera kripe nuk kanë kurrfarë problemesh me frymëmarrjen gjatë periudhës së punës.
Qimet dhe pështyma e kafshëve
Kafshët janë shkaktari i dytë më i shpeshtë i alergjive në shtëpi, pikërisht për shkak të zbokthit apo qimeve që lënë pas vetes. Njerëzit e ndjeshëm lehtë mund të reagojnë ndaj djersës, urinës ose pështymës së një kafshe shtëpiake.
Mos lejoni që kafshët shtëpiake të flenë në shtratin tuaj, sepse kjo e përkeqëson problemin. Antihistaminat dhe pikat e syve janë vetëm një zgjidhje e përkohshme, por ato nuk do të largojnë alergjinë tuaj.
Nëse nuk doni të ndaheni nga kafsha juaj shtëpiake (gjë që është plotësisht e kuptueshme) lani duart pas çdo kontakti dhe rregullisht pastroni dhe dezinfektoni mobiliet. Përdorimi i një pastrues ajri nga alergjenët, paraqet gjithashtu një mundësi. Zakonisht ndikon ndaj grimcave të dëmshme, qimeve të kafshëve shtëpiake, pluhurit dhe polenit.
Gjatë viteve të fundit, bioinformatika (korrigjimi i softuerit njerëzor) është bërë veçanërisht e aktuale si një nga metodat alternative për zgjidhjen e përhershme të alergjive.
Alergjenët në ushqim
“Jam alergjik ndaj arrave dhe farave”, “Nuk guxoj të ha luleshtrydhe”, “Mua më është ndaluar gluteni” – këto janë vetëm disa nga justifikimet e njerëzve që zemërohen përgjithmonë me disa ushqime. Por, ekspertët janë të njëzëshëm se mënyra bashkëkohore e jetesës është shkaku i rritjes së alergjive ushqimore me shpejtësi drastike.
Hulumtimet tregojnë se ka mundësi të mos jemi të ekspozuar ndaj sasisë së baktereve për të cilën kanë nevojë zorrët tona. Disa hulumtime i lidhin alergjitë ushqimore me pesticidet që përdoren në bujqësi.
Alergjitë janë shumë më të shpeshta se intolerancat ushqimore, të tilla si ajo ndaj laktozës ose glutenit. Intoleranca nuk përfshin sistemin imunitar dhe ndodh kur trupi nuk mund të përpunojë përbërësit në ushqim, e kjo sjell fryrje, ngërçe, gazra, dhimbje në lukth. Shmangia e rreptë e disa llojeve të ushqimeve ndaj të cilave jeni alergjik është e vetmja zgjidhje efektive për këtë problem.
Myku
Nëse filloni të teshtini në palestër ose derisa jeni në pishinë, fajin do ta kërkoni në përzierjen e djersës, deodorantit, klorit në sy, lagështisë në hapësirë. Grimcat e mykut në atmosferë shkaktojnë një gjendje të quajtur pneumoni hipersensitive (e mbindjeshmërisë).
Myku shtohet në mjedise të ngrohta dhe me lagështi, të tilla si palestrat, dhe shpesh fshihet pas disa sipërfaqeve ose në qoshe, kështu që as nuk do ta vini re se është aty. Shpesh do ta gjeni edhe nëpër shtëpi, veçanërisht në dhoma të mbinxehura që ajrosen rrallë. Thithja e rregullt e mykut nxit problemet e frymëmarrjes që lehtë mund të përparojnë në ekzemë ose astmë.
Çdo e 5-ta shtëpi ka myk dhe gjasat për paraqitjen e astmës rriten me 40% nëse ky është rasti në shtëpinë tuaj. Largoni të gjithë llojet e mykut, në shtëpi, ndërtesë, zyrë. Pastroni atë ashtu siç paraqitet, gjatë kondensimit mbajeni ambientin sa më të thatë dhe zvogëloni numrin e bimëve të gjalla në shtëpi.