Mbijetuam një tjetër periudhë agresive të ftohjeve dhe gripit. Por, gjërat u ngatërruan aq shumë, sa që në një moment askush nuk e kishte të qartë nëse Coronavirus-i po luante sërish me shëndetin tonë, apo gripi vendosi të zgjohej nga gjumi dimëror.
Është akoma më pak e qartë se kur jemi infektues, sa infektues jemi, për sa kohë mund të kthehemi në punë, të dalim në publik, si dhe a duhet të mbajmë maskë?
Ky artikull do t’ju edukojë se si transmetohet ftohja, në mënyrë që të jeni të përgatitur për atë që ju pret në pranverë, por përgjegjësia për shëndetin tuaj dhe shëndetin e të tjerëve, tashmë është tërësisht në duart tuaja.
Çfarë është saktësisht ftohja?
Ftohja e zakonshme është dukuri mjaft e shpeshtë – të rriturit kanë mesatarisht dy deri në tri ftohje në vit. Ftohja është një infeksion virusor i traktit të sipërm respirator e cila mund të shkaktohet nga më shumë se 200 viruse të ndryshme.
Meqenëse ftohjet janë virusore, mënyra e vetme për t’i trajtuar ato është të pushoni shumë, të qëndroni të hidratuar dhe të hani ushqime që mbështesin sistemin imunitar. Mos harroni, antibiotikët nuk e trajtojnë ftohjen!
Gjatë ftohjes, mund të keni dhimbje të fytit, rrufë, rrjedhje postnazale, kollë të lehtë, teshtitje, molisje, humbje oreksi, dhimbje trupi dhe aromë apo shije jo të rregullt të ushqimit.
Edhe nëse ndiheni të shkatërruar, bëhuni të durueshëm dhe rezistentë ndaj antibiotikëve për të ruajtur imunitetin.
Tani, le të futemi në specifikat e asaj se si përhapen ftohjet dhe sa kohë duhet të qëndroni larg miqve dhe familjes, për t’i mbrojtur ata dhe anasjelltas, për të mbrojtur veten.
Periudha e inkubacionit të ftohjes
Nuk është e nevojshme të kalojë shumë kohë për të filluar të ndiheni të sëmurë pasi të jeni ekspozuar ndaj një virusi të ftohjes. Ftohjet më të shpeshta kanë një periudhë inkubacioni – koha pas ekspozimit e deri në shfaqjen e simptomave – nga një deri në tri ditë.
Teknikisht, ju jeni infektues në këtë moment, edhe nëse nuk ndiheni sikur jeni të sëmurë. Virusi i ftohjes mund të përhapet gjatë kësaj periudhe, para se personi të kuptojë se është i sëmurë. Çdo simptomë e ftohjes – kongjestion, rrjedhje hundësh, dhimbje fyti, ethe dhe kollë – janë tregues se mund të jeni infektues.
Si përhapet saktësisht ftohja?
Ftohjet përhapen nga një person tek tjetri, përmes pikave të vogla në ajër kur një person i infetuar me virus, teshtin ose kollitet. Mund të përhapet gjithashtu duke e prekur fytyrën, duke e fshirë hundën ose duke u kollitur në duar.
Ftohja mund të përhapet edhe nëpërmjet kontaktit të afërt, veçanërisht gjatë të folurit. Kur flisni, mukoza dhe pështyma nga pjesa e pasme e fytit mund të dalin në ajër.
Mënyrat më të sigurta për të parandaluar përhapjen e ftohjes janë shmangia e kontaktit me të tjerët dhe larja e shpeshtë e duarve (duhet t’i lani duart me ujë dhe sapun për 20 sekonda) sepse uji i “tërheq” grimcat e virusit nga lëkura. Dhe sigurisht, mbajtja e maskave është gjithashtu një mënyrë shumë efektive për të ulur rrezikun e përhapjes ose infektimit me virusin e ftohjes.
Për sa kohë duhet të qëndroni larg të sëmurëve?
Nëse vërtet nuk dëshironi të sëmureni, është e domosdoshme që të shmangni çdo lloj kontakti me të sëmurët, edhe atë deri në ditën e fundit. I ftohuri mund të jetë infektues për sa kohë që shfaq simptoma ose gjithsej një, deri në dy javë. Pas shërimit ose tërheqjes së simptomave, është më mirë të prisni të paktën 72 orë përpara se të rifilloni komunikimin.
Nëse keni çfarëdo lloj simptomë të ftohjes, është më mirë të qëndroni në shtëpi dhe të pushoni. Në këtë mënyrë do të mbroni njerëzit në rrethin tuaj, por gjithashtu, do të kurseni veten nga një përkeqësim i mundshëm i gjendjes dhe zhvillimit të simptomave të reja.
Eksistojnë një numër i madh ilaçesh pa recetë për të trajtuar simptomat e ftohjes, por nëse keni gjendje të tjera mjekësore ose jeni duke marrë ilaçe me recetë, detyrimisht konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të blini ilaçe për ftohjen.
Recetat e bëra në shtëpi janë një aleat po aq i mirë në luftën kundër ftohjeve, pijet e ngrohta bimore, frutat e freskëta, supat, një banjë e ngrohtë dhe masazhi, janë ngushëllim dhe mbështetje e shkëlqyer gjatë ditëve kur jeni të ftohur.