Pohime të reja shëndetësore

Pohime të reja shëndetësore

Hulumtimet e fundit shkencore po i ndryshojnë tezat në të cilat kemi besuar deri vonë

Secili prej nesh është përballur me dilemën se çfarë është vërtet e shëndetshme për t’u ngrënë dhe çfarë jo. Në disa artikuj shkruhet se soja është kancerogjene, e në disa të tjerë krejt të kundërtën, se soja mbron nga kanceri. Por, pikërisht për këtë arsye ekziston shkenca, për të mohuar tezat dhe për të vendosur të reja.

Ju takon juve që të dëgjoni trupin tuaj dhe ta ushqeni atë ashtu siç ju kërkon. Duke vepruar kështu, mbani mend se ekuilibri është gjithçka, edhe kur bëhet fjalë për mënyrën e të ushqyerit. Gjithçka që është shumë pak ose e tepruar, mund të jetë e dëmshme.

Pohim i vjetër: Salca e bën sallatën një vakt me kalori të lartë!

Perime, fruta dhe shumë ujë, harroni çdo gjë tjetër nëse doni të humbni peshë ose të mbani linjën që keni. Hani vetëm ushqim të papërpunuar ose përpiquni ta bëni salcën me pak yndyrë dhe me pak kalori – kjo dikur ishte e vërtetë!

Pohim i ri: Salca mundëson përthithjen e lëndëve ushqyese!

Sallatat janë të pasura me vitamina dhe minerale dhe për këtë arsye janë gjithmonë të mirëseardhura. Por nëse e anashkaloni salcën ose përpiqeni ta bëni atë sa më dietale, atëherë po reduktoni disponueshmërinë dhe përthithjen e përbërësve të mirë. Si është e mundur kjo gjë? Një studim i fundit konfirmoi se yndyra përmirëson përthithjen e karotenoideve – komponentë që janë përgjegjës për ngjyrat e frutave. Por ky nuk është funksioni i tyre i vetëm. Studimet tregojnë se karotenoidet ulin rrezikun e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe mbrojnë shikimin. Hulumtuesit arritën në përfundimin se yndyrat e pangopura (në krahasim me ato të ngopura) që gjenden në salcë, rrisin përthithjen e karotenoideve. Kjo nuk do të thotë që e keni dritën jeshile për të përdorur shumë majonezë ose djathë, por për vajin e ullirit nuk keni kufi.

Pohim i vjetër: Dhëmbët e prishur e rrisin rrezikun e sulmit në zemër!

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët studiuan lidhjen midis kariesit dentar dhe sëmundjeve të zemrës, për të vërtetuar më në fund se ai nuk ekziston. Dikur besohej se bakteret që shtresohen midis dhëmbëve dhe shkaktojnë sëmundje të mishrave të dhëmbëve, mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, të shkaktojnë inflamacion të enëve të gjakut, duke rritur kështu rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

Pohim i ri: Të gjitha ndryshimet në zgavrën e gojës dhe dhëmbëve, mbeten pikërisht aty!

Nuk ka asnjë provë të bazuar që dëshmon se higjiena e dobët e gojës rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, të paktën kështu thotë „Shoqata Amerikane e Zemrës“ pas analizimit të 500 studimeve të pavarura mbi këtë temë. Ajo që ata arritën të përfundojnë është se pirja e duhanit dhe diabeti mund të nxisin sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe sëmundjet e zemrës, por kjo nuk do të thotë se njëra gjendje e shkakton tjetrën. Mbajeni gojën të pastër, jo vetëm për hir të zemrës, por për të ruajtur dhëmbët tuaj natyralë.

Pohim i vjetër: Soja është e ndaluar për një familje me kancer të trashëguar të gjirit!

Për shkak se soja përmban izoflavone, një përbërës organik që i ngjan estrogjenit, mjekët janë shqetësuar prej vitesh se konsumimi i djathit tofu dhe qumështit të sojës nxit zhvillimin e kancerit. Arsyeja për këtë shqetësim u nxit nga fakti se shumica e tumoreve të gjirit janë të mbushura me estrogjen. Në vitin 2006, studiuesit zbuluan se genisteina, njëra nga llojet e izoflavoneve e pranishme në sojë, nxiti rritjen e tumorit te minjtë eksperimentalë.

Pohim i ri: Soja është e përshtatshme për të gjitha gratë!

Jo vetëm që është e përshtatshme, por edhe rekomandohet: Studimi në të cilin ishin përfshirë rreth 10,000 gra atëherë të sëmura me kancer të gjirit në SHBA dhe Kinë, konfirmoi se gratë që kishin konsumuar më shumë se 10 miligramë izoflavone soje në ditë (që është e barabartë me gjysmë gote qumësht soje) kishin dukshëm më pak gjasa për të zhvilluar përsëri kancer. Soja përmban antioksidantë dhe vitamina për të cilat të gjithë kanë nevojë. Një tjetër lajm i mirë vjen nga një studim në “The American Journal of Clinical Nutrition” i cili thotë se konsumimi i sojës zvogëlon rrezikun e kancerit të fytit. Soja është po aq e mirë sa çokollata dhe vera, është e domosdoshme të konsumohet në sasi të caktuara ose më saktësisht 25 miligramë në ditë.