Puna e rrezikon peshën tuaj?

Puna e rrezikon peshën tuaj?

Kushtoni vëmendje këtyre kurtheve të zyrës

Të gjithë i kemi përjetuar ato 4-5 kilogramë shtesë që vijnë në paketë bashkë me punën e re. Pasi të përfundojë viti i parë, ose do të ktheheni në normalitet, ose do të vazhdoni të rriteni … në përmasa. Që të mos ju ndodhë kjo, është e nevojshme t’i zbuloni kurthet për shkak të të cilave tundoheni të hani gjithnjë e më shumë gjatë kohës që jeni në punë.

NDIKIMI I KOLEGËVE

Rreth një e treta e njerëzve që përpiqen të rikthejnë peshën e tyre, thonë se nën ndikimin e kolegëve të tyre u dështon plani, madje edhe ushqehen jo shëndetshëm. Në të djathtën tuaj është ajo kolegia që gjithmonë ju ofron ëmbëlsirë, kolegu përballë jush ka gjithmonë diçka për të ngrënë, ndërsa ai i zyrës ngjitur sugjeron gjithmonë të merrni ushqim me porosi.
Është vërtetuar shkencërisht se hamë dyfish më shumë kur ushqimin e kemi përpara syve. Prandaj, uluni sa më larg pjatës me ëmbëlsira ose thjesht dilni nga zyra gjatë momenteve të krizës.
Është një ide e mirë që gjithmonë të keni një gotë me ujë ose fruta në tavolinën tuaj të punës për të qetësuar stomakun tuaj kur ai ankohet zëshëm. Organizoni mëngjes/drekë jashtë zyrës, në ditët kur kolegët porosisin ushqim të shpejtë. Herë pas here, gostitni veten me ndonjë kënaqësi të ndaluar, shpërbleni veten për qëndrueshmërinë dhe vetëdijen, sepse vetëm kështu do të krijoni një marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin.

A e dini se konsumojmë rreth 30% më shumë ushqim kur hamë me shoqëri?

Dhe jo vetëm kaq, kur jemi me shoqëri zgjedhim një vakt me sasi të larta kalorish dhe shumë lehtë pranojmë edhe desert. Ndërkohë, biseda mund të na shpërqendrojë aq shumë saqë nuk e vërejmë se vazhdojmë të hamë edhe pse jemi të ngopur. Por, aq sa shoqëria inkurajon mëkatin, inkurajon edhe disiplinën. Për shembull, do ta keni shumë më të lehtë të duroni regjimin, nëse humbni peshë së bashku me ekipin ose të paktën me njërin nga kolegët. Në këtë mënyrë, në vend që të inkurajoni njëri-tjetrin se do të hani nga një gjysmë hamburgeri, do të inkurajoni njëri-tjetrin që t’u përmbaheni ushqimeve të shijshme dhe të shëndetshme.

Hulumtimet e fundit tregojnë se njerëzit të cilët vaktin e tyre për në punë e përgatisin në shtëpi, hanë vakte më të vogla, por më të shëndetshme, për dallim nga ata që hanë nga restorantet apo furrat lokale. Bëni një plan ushqimi me ndonjërin nga kolegët tuaj dhe do të siguroheni se funksionon më lehtë në çift.

NDIKIMI I MJEDISIT TË PUNËS

Një e treta e njerëzve, kryesisht gra, ndjejnë të ftohtë gjatë orarit të punës. Në këto kushte, trupi reagon duke akumuluar yndyrën që do ta përdorë si rezervë. Shkencëtarët thonë se trupi aktivizohet për të ruajtur yndyrën sapo të bjerë temperatura e jashtme, kurse temperatura mesatare në zyra është 22 gradë.

Nuk do ta ndihmoni veten nëse e mbingarkoni me rroba, është zgjedhje më e zgjuar të vishni rroba të ngrohta por edhe të rehatshme. Gjegjësisht, një studim tregon se punonjësit që veshin rroba të rehatshme bëjnë 491 hapa më shumë dhe djegin 25 kalori më shumë në ditë, për dallim nga ata që vishen me rroba dhe këpucë të ngushta dhe jo të rehatshme. Me rroba të rehatshme, ka më shumë gjasa të vendosni të ecni deri në shtëpi, duke e penguar në këtë mënyrë trupin tuaj në idenë e ruajtjes së yndyrës.

Ja edhe një arsye tjetër për t’u zhvendosur nga një zyrë e errët në një zyrë me dritare të mëdha – hulumtimet tregojnë se pesha e trupit është e lidhur ngushtë me ekspozimin ndaj diellit dhe dritës gjatë ditës, e veçanërisht në mëngjes. Vitamina D është një aleat në shkrirjen e yndyrave dhe dielli është burimi kryesor i saj. Qëndrimi i vazhdueshëm në një hapësirë të errët, mesatarisht, do t’ju shtonte rreth gjysmë kilogrami më tepër. Në teori, drita e mëngjesit e mban oreksin në gjendje normale, ndërsa mungesa e dritës çon në rritje të oreksit dhe rezistencës ndaj insulinës (gjë që ju bën të akumuloni më shumë sheqer sesa mund të harxhoni).

Ecni në këmbë deri në vendin e punës, pushimin tuaj harxhoni për një shëtitje në parkun më të afërt ose hani në një lokal që ka tarracë me diell. Çdo aktivitet që përfshin ekspozimin në diell për të paktën 20 minuta do të bëjë një ndryshim të madh.

NDIKIMI I ORARIT TË MBINGARKUAR

Puna dhe stresi shkojnë dorë për dore. Stresi nuk ndikon vetëm në shëndetin mendor, sepse kur ndjeni se jeni nën presion, trupi sekreton hormone që rrisin oreksin, por edhe dëshirën për ushqime të yndyrshme dhe ëmbëlsira.

Hormonet bëjnë edhe dëme shtesë, gjegjësisht, e ngadalësojnë metabolizmin, i cili është thelbësor për djegien e kalorive. Më e keqja është se këto ndryshime nuk zgjasin vetëm gjatë 8 orëve të punës, por zhvendosen edhe jashtë zyrës. Hulumtimi i Universitetit të Ohajos tregon se kur iu dha një vakt me 930 kalori një gruaje që ka pasur një ditë stresuese 24 orë më parë, ajo ka harxhuar 100 kalori më pak sesa një grua që ka ngrënë të njëjtin vakt, në të njëjtën kohë pa përjetuar ndonjë stres serioz.

Psikologët thonë se 10 minuta meditim ose dëgjim i muzikës relaksuese ndihmon për të ruajtur një ekuilibër normal psikik dhe për të rimarrë veten nga një situatë stresuese. Vetëm 2-3 minuta kushtuar dëgjimit të muzikës mund të bëjnë një ndryshim të madh, kështu që, bëni një pushim të shkurtër çdo një orë e gjysmë. Shkencëtarët thonë se kjo praktikë sjell deri në rimbushjen e niveleve të energjisë, përqendrim më të madh dhe më pak shqetësime dhe zhgënjime. Nëse edhe pas gjithçkaje ndjeni ende nevojë të madhe për një ëmbëlsirë, kafshoni një ose dy kube çokollatë të zezë, pasi është vërtetuar shkencërisht se redukton hormonin e stresit, kortizolin.

Orët e gjata të punës kufizojnë kohën e lirë, gjë që imponon stres. Një në pesë punonjës organizon një takim, ose kryen ndonjë detyrë të vogël edhe gjatë kohës së pushimit; 45% e punonjësve thonë se pas punës ndihen shumë të lodhur për të ushtruar apo ecur.

Në ditët kur e dini se ju pret një orar i ngjeshur, filloni ditën me një mëngjes të shëndetshëm dhe të bollshëm. Një studim i fundit thotë se kur gjysmën e kalorive të rekomanduara ditore i konsumoni përmes mëngjesit, trupi është i ngopur për një kohë më të gjatë. Si rrjedhim, marrja e kalorive gjatë kohës të drekës do të jetë shumë më e ulët. Për meze, konsumoni ndonjë shufër proteinash për të ruajtur qëndrueshmërinë e sheqerit në gjak.