Sëmundja e Crohn-it (Kronit) është një lloj sëmundje inflamatore e zorrëve (IBD) që shkakton ënjtje dhe inflamacion në traktin tretës. Sipas vlerësimeve globale, më shumë se 6.8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me sëmundje inflamatore të zorrëve (IBD), e cila përfshin sëmundjen e Crohn-it dhe kolitin ulceroz.
Sëmundja e Crohn-it është një gjendje që zgjat gjatë gjithë jetës dhe simptomat e saj mund të ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme. Edhe pse aktualisht nuk ka një kurë për eliminimin e përhershëm të sëmundjes, ekzistojnë trajtime efektive që mund të ndihmojnë në kontrollin e simptomave.
Çfarë është sëmundja e Crohn-it?
Sëmundja e Crohn-it është një lloj sëmundje inflamatore e zorrëve (IBD). Te kjo gjendje, sistemi imunitar gabimisht sulmon organizmin e vet, duke shkaktuar inflamacion dhe ulcera të dhimbshme në traktin tretës.
Forma të tjera të IBD-së janë koliti ulceroz dhe koliti mikroskopik. Edhe pse këto sëmundje janë të ngjashme, ato dallojnë sipas zonës ku shfaqet inflamacioni. Te koliti, inflamacioni kufizohet në zorrën e trashë dhe anus, ndërsa sëmundja e Crohn-it mund të prekë cilëndo pjesë të traktit tretës – nga goja, deri te anusi.
Sëmundja e Crohn-it dallon gjithashtu edhe nga sindroma e zorrës së irrituar (IBS), e cila paraqet një çrregullim funksional dhe jo autoimun, që nuk shkakton dëmtime të përhershme të sistemit tretës.
Lloji i sëmundjes së Crohn-it varet nga ajo se cila pjesë e zorrëve është e prekur. Më së shpeshti preket pjesa e fundit të zorrës së hollë dhe/ose zorra e trashë dhe anusi.
Cilat janë simptomat e sëmundjes së Crohn-it?
Çdo pacient mund të ketë simptoma të ndryshme, varësisht nga pjesa e traktit tretës që është prekur.
Shpesh ka periudha të shëndetit të mirë – lehtësim – dhe periudha përkeqësimi kur simptomat janë më intensive. Ndonjëherë mund të ndiheni shumë mirë, me pak ose aspak simptoma, kurse në raste të tjera sëmundja mund të jetë më e vështirë për t’u kontrolluar.
Simptomat më të zakonshme janë:
- Dhimbje të forta barku, vendndodhja e të cilave varet nga pjesa e prekur e zorrëve.
- Diarre që mund të përmbajë qelb, mukus ose gjak. Mund të paraqitet edhe ndjesia e nevojës urgjente për të shkuar në tualet.
- Anemi. Mungesa e hekurit çon në anemi, pasi trupi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjen. Rreziku rritet në rast të humbjes së gjakut, marrjes së pamjaftueshme të hekurit ose përthithjes së dobët të lëndëve ushqyese.
- Humbje e oreksit dhe peshës. Inflamacioni redukton përthithjen e lëndëve ushqyese.
- Lodhje ekstreme, e cila mund të shfaqet si pasojë e vetë sëmundjes, anemisë, pagjumësisë ose humbjes së peshës.
- Ndjenjë e përgjithshme dobësie, temperaturë e lartë ose ethe.
Edhe pse sëmundja e Crohn-it është një sëmundje e zorrëve, inflamacioni kronik mund të shkaktojë edhe ndërlikime të tjera.
Sipas Crohn’s & Colitis UK, rreth gjysma e pacientëve zhvillojnë inflamacion të syve, nyjave ose lëkurës. Probleme të tjera të mundshme përfshijnë rënien e flokëve, gurët në fshikëzën e tëmthit dhe në veshka, si dhe fistulat.
Sëmundja e Crohn-it dhe shëndeti mendor
Kur jetoni me një sëmundje kronike, fokusi shpesh është vetëm te simptomat fizike, por sëmundja e Crohn-it mund të ndikojë edhe në shëndetin mendor dhe emocional.
Hulumtimet tregojnë një lidhje të rëndësishme midis IBD-së dhe çrregullimeve të shëndetit mendor. Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor.
Dhimbja e vazhdueshme, lodhja dhe nevojat e paparashikueshme për të shkuar në tualet mund të jenë shqetësuese. Disa pacientë kanë çrregullime të gjumit, humor të keq dhe frikë për të dalë nga shtëpia për shkak të situatave të mundshme të pakëndshme. Meqenëse simptomat shpesh nuk janë të dukshme, shumë njerëz i nënvlerësojnë vështirësitë e tyre.
Diagnoza shpesh mund të jetë tronditëse, veçanërisht për njerëzit që nuk kanë pasur më pare probleme gastrointestinale.
Ekspertët gjithnjë e më shumë po theksojnë se lidhja midis shëndetit mendor dhe IBD-së është e dyanshme. Mendohet se shëndeti i dobët mendor mund të rrisë rrezikun e shpërthimeve të reja inflamatore. Kjo shpjegohet nga i ashtuquajturi bosht zorrë-tru, i cili përshkruan komunikimin midis zorrëve dhe sistemit nervor qendror.
Sëmundja e Crohn-it dhe rreziku i kancerit të zorrës së trashë
Në disa raste, sëmundja e Crohn-it mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, megjithëse ky rrezik është relativisht i vogël.
Rreziku rritet nëse sëmundja ka prekur pjesë të zorrës së trashë për më shumë se 8-10 vjet ose nëse ka striktura (ngushtime të traktit intestinal).
Nëse keni rrezik të shtuar, do t’ju rekomandohet të bëni kolonoskopi të rregullta. Kontrolli i mirë i simptomave gjithashtu ndihmon në reduktimin e rreziqeve afatgjata.
Cilat janë shkaqet e sëmundjes së Crohn-it?
Sëmundja e Crohn-it ndodh për shkak të përgjigjes imunitare të ndryshuar. Në vend që të sulmojë mikroorganizmat e dëmshëm, sistemi imunitar fillon të sulmojë traktin e vet tretës.
Shkaqet e sakta nuk dihen plotësisht, por mendohet se lujanë rol faktorët e mëposhtëm:
- faktorë gjenetikë – janë identifikuar mbi 200 variante gjenesh që rrisin rrezikun,
- ndryshime në mikrobiomë – mungesa e baktereve të mira,
- dëmtimi i funksionit mbrojtës të zorrëve,
- faktorë të jashtëm, siç janë stresi, pirja e duhanit dhe disa ilaçe të caktuara.
Edhe pse këta faktorë mund të ndikojnë, nuk ka prova që një person mund ta parandalojë sëmundjen.
Si diagnostikohet sëmundja e Crohn-it?
Nëse keni probleme të pashpjegueshme me tretjen ose dyshoni për sëmundjen e Crohn-it, është e rëndësishme të vizitoni mjekun tuaj amë.
Meqenëse simptomat janë të ngjashme me sëmundjet e tjera të zorrëve, nevojiten teste të ndryshme. Mjeku mund të marrë një mostër të jashtëqitjes për të përjashtuar infeksionin (për shembull, gastroenteritin). Gjithashtu, do të bëjë një ekzaminim fizik dhe do të kontrollojë ndjeshmërinë e stomakut.
Nëse dyshohet për IBD, do t’ju referojnë te një specialist, i cili mund të rekomandojë:
- Tomografi të kompjuterizuar CT ose rreze X,
- Kolonoskopi ose sigmoidoskopi,
- Marrje e një mostre nga indi (biopsi).
Cilat janë mënyrat e trajtimit?
Pasi të jetë vendosur diagnoza, pacientët ndiqen nga një specialist i cili ofron mbështetje gjatë përkeqësimit të simptomave, jep këshilla në lidhje me ushqimin, shpjegon terapinë, etj.
Edhe pse nuk ka shërim, trajtimet ndihmojnë në zvogëlimin ose kontrollin e simptomave. Lloji i trajtimit varet nga ashpërsia e sëmundjes dhe pjesa e prekur e zorrës.
Terapia mund të përfshijë:
1. Trajtim me ilaçe
Më së shpeshti përdoren:
- kortikosteroidet,
- imunosupresantët,
- formula të lëngshme speciale, të pasura me lëndë ushqyese.
2. Ndërhyrje kirurgjikale
Rekomandohet nëse ilaçet nuk veprojnë, cilësia e jetës është dëmtuar ndjeshëm ose ka komplikime.
Ndërhyrja kirurgjikale më e shpeshtë është rezeksioni – heqja e pjesës së inflamuar të zorrëve dhe lidhja e pjesëve të shëndetshme.
Disa pacientë i nënshtrohen përkohësisht një ileostomie, me një qese stome, për të lejuar që zorrët të shërohen, pas së cilës ato rilidhen.
3 Këshilla për të jetuar më lehtë me sëmundjen e Crohn-it
1. Kujdesuni për shëndetin mendor
Diagnoza mund të jetë një barrë e rëndë. Është normale të ndieni ankth, trishtim ose pasiguri. Jepni vetes kohë për të përpunuar emocionet dhe kërkoni mbështetje kur keni nevojë.
2. Zbuloni se çfarë funksionon për ju
Çdo pacient është i ndryshëm. Disa vënë re se mënyra e të ushqyerit ose stresi ndikojnë në simptomat e tyre, të tjerë jo. Disa përfitojnë nga joga, meditimi, akupunktura ose probiotikët. Mbajtja e një ditari për simptomat mund t’ju ndihmojë të identifikoni shkaktarët e tyre.
3. Ndërtoni një rrjet për mbështetje
Shumë pacientë ngurrojnë të flasin për sëmundjen e tyre, por biseda me të afërmit e lehtëson situatën, kurse grupet mbështetëse me pacientë të prekur nga sëmundja e njëjtë janë një lehtësim i vërtetë për dilemat e panumërta që do të lindin.

