Shkarravitja në fletore është mirë për karakterin!

Shkarravitja në fletore është mirë për karakterin!

Nga ana tjetër, shkarravitja me vetëdije mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve, vendosjen e qëllimeve, definimin e nevojave emocionale

A shkarravitni edhe ju në fletore derisa flisni në telefon? E kemi fjalën për ato vizatime të vogla të padëmshme të cilat pothuajse të gjithë i bëjmë në cepat e fletës derisa jemi duke folur apo jemi në një mbledhje? Pikërisht ato janë një tregues i asaj që po ndodh në nënvetëdijen tuaj!

Nga Leonardo da Vinçi te Dejvid Bouvi, nuk ka njeri që nuk ka përfituar nga rasti për të ushtruar këtë aktivitet krejtësisht të pavetëdijshëm për të cilin ekspertët thonë se fsheh gjurmë të personalitetit tonë. Ngjyrosjen, vizatimin, shkarravitjen të cilat menduat se i kishit lënë në bankat e shkollës, ende po i bëni në mënyrë të pavetëdijshme.

Hulumtimet e reja tregojnë se ky lloj skicimi, pavarësisht se nuk është ndonjë talent i veçantë, madje duket i çrregullt, mund të rrisë fokusin dhe kreativitetin tuaj, madje edhe të zbulojë disa dëshira dhe nevoja të ndrydhura. Ja edhe interpretimet e llojeve më të zakonshme të shkarravitjeve…

Figura gjeometrike ose abstrakte

Për shembull: trekëndësha, katrorë, yje ose modele vijash të drejta dhe të mprehta, rrathë, forma dhe vija të lakuara të mbyllura.

“Më shumë vija të drejta dhe të mprehta tregojnë një nevojë të menjëhershme për kontroll, vendosjen e kufijve dhe rregullit”, thotë Sheila Llav, një grafologe dhe presidente e Shoqatës për Analizën e Shkrimeve. Vizatimet e lakuara si rrathët dhe vijat e lakuara tregojnë se mendimet vijnë nga një vend pak më emocional.

Provoni të shkarravitni kur duhet të merrni një vendim të rëndësishëm. Nëse nga stilolapsi juaj dalin forma të mprehta me vija të drejta, bëhuni më të prirur drejt vendimeve praktike. Në të kundërt, nëse vizatoni skaje të rrumbullakosura, ndiqni instinktet tuaja.

Grafite

Për shembull: Vizatoni një kapelë në fotografinë e një maceje, brirë djalli njeriut në kopertinë ose qerpikë false vajzës në reklamën e gazetës.

Teoria e Sheila Llav thotë se njerëzit nxjerrin brirët nga maja e stilolapsit kur ndihen fajtorë për shtypjen e ndonjë dëshire. Shtrembërimi i syve të dikujt nxit çështje që lidhen me vetëdijen.

Provoni të shkarravitni kur jeni të ngarkuar dhe nën presion dhe jeni të dëshpëruar për një shpërqendrim. Ky stil vizatimi do të hapë horizontet e të menduarit kreativ, por praktik.

Objekte

Për shembull: Zemra, orë, karrige, gota…

Interpretimi i objekteve është i ngjashëm me interpretimin e ëndrrave – duhet të shikoni simbolikën, e jo funksionin origjinal të objektit. Për shembull, zemrat e zakonshme mund të simbolizojnë dashurinë, por edhe një nevojë të shtuar për vëmendje dhe mirëkuptim nga partneri, kolegu, ndonjë i afërt. Ora mund të jetë treguese se jeni nën presion të fortë për shkak të afateve, ndërsa një gotë e zbrazët do të simbolizonte rraskapitjen tuaj emocionale. Po karrigia? Ose po përpiqeni të vendoseni diku dhe të jeni rehat, ose ndiheni sikur nuk përkisni askund. Çfarëdo objekti që të vizatoni, kërkoni kuptimin e tij në një nivel tjetër.

Provoni të shkarravitni kur duhet të vendosni prioritete. Mundohuni të vini re se çfarë është ajo që vizatoni fillimisht. Orë të vjetra dhe kolltuqe? Është më se e qartë që duhet të përqendroheni në karrierën tuaj, sepse e keni më të rëndësishme për momentin.

Peizazhe dhe natyrë

Për shembull: Pemë, ​​gjethe, lule, diell, ujëvara, oqeane…

Pa asnjë dyshim posedoni një dashuri dhe admirim të lindur për natyrën, kurse në nënvetëdije ndiheni të lodhur, të mbingarkuar, po mbyteni dhe në mënyrë të dëshpëruar keni nevojë për të shkuar diku larg. Dielli inkurajon imagjinatën, që do të thotë se keni ëndërruar për natyrën. A janë lulet tuaja të drejta dhe me ngjyra? Keni nevojë të zhvilloheni në një fushë të caktuar (në punë apo marrëdhënie private). Gjethet që bien, nga ana tjetër, nxjerrin në pah ndonjë shqetësim – sapo të kapni veten duke vizatuar një lule me petale që bien, është koha të zbuloni se çfarë ju shqetëson.

Provoni të shkarravitni kur doni të vendosni qëllime. Krijimi i imazheve të ndonjë vendi të hapur mund t’ju ndihmojë të arrini qëllime më të larta dhe të rrisë disponimin tuaj drejt horizonteve më të gjera.

Mandala

Për shembull: Modele koncentrike me shumë detaje si lule, pastaj gjethe rreth saj, pastaj përsëri një rresht tjetër gjethesh dhe kështu me radhë në rreth.

Sipas Llav, këto dizajne tregojnë se ju jeni një optimist i madh. Urime!

Provoni të shkarravitni kur jeni në disponim jo të mirë. Përsëritja e detajeve të njëjta do t’ju ndihmojë të qetësoni mendimet negative në kokën tuaj. Përdorni ngjyra të hapura dhe shumë hapësirë ​​të bardhë për të mbjellur shpresën.

Njerëz

Për shembull: Sy, fytyra ose njerëz të tërë.

Emocioni me të cilin e përfaqësoni personazhin në letër, është emocioni që udhëheq me ju në atë moment. Por, kur një emocion i caktuar të theksohet më shumë (si një buzëqeshje e gjerë absurde) mund të nënkuptojë se vërtet po përpiqeni të disponoheni edhe pse shpirtërisht jeni të trishtuar.

Provoni të shkarravitni kur po përpiqeni të kuptoni se si ndiheni ndaj një personi të caktuar që ndoshta ju shqetëson ose ju trishton. Nëse personin e vizatoni me sy të vegjël, thellë brenda vetes e kuptoni se nuk mund t’i besoni.

Fjalë dhe shkronja

Për shembull: Emri i partnerit, dita e javës, inicialet tuaja.

E shkruani emrin tuaj përsëri dhe përsëri? Si thoni të ngadalësoni pak me egon?! Në çdo rast tjetër, gjithçka varet nga fjala dhe pozicioni në të cilin shkruani në fletë. Fjala është e kthyer mbrapsht? Ndiheni të padisponuar, të lodhur ose pesimistë. Fjala është e shkruar në drejtim për lartë? Ndjeni lëkundje pozitive dhe rritje të vetëbesimit.

Provoni të shkarravitni kur keni nevojë për rritje të vetëbesimit. Zgjidhni një moto (ose emrin tuaj) dhe shkruajeni disa herë me një pjerrësi të lehtë për lartë.

Plotësimi i boshllëqeve

Për shembull: E ngjyrosni hapësirën e zbrazët midis shkronjave ose numrave.

Mund të thuhet se jeni një person që dëshiron të ketë një qëllim të caktuar, ta ndjekë dhe ta përmbushë atë. Ndjenja e një detyre të përfunduar dhe planeve të realizuara ju përmbush më shumë se gjithçka.

Provoni të shkarravitni kur keni një bllokim të trurit gjatë një takimi, kur ju kërkohet të jepni një ide dhe të jeni kreativ. Mbushja e vrimave do të shtypë dëshirën e trurit për të endur dhe do të lejojë që idetë e reja të hyjnë në të.